“Arma jonë e fortë, studentët cilësorë”

27/05/2018 4:30 PM 0 komente

Flet rektori i Universitetit Politeknik, Andrea Maliqari

 

Kemi nevojë për një bashkëpunim më të gjerë me kompanitë që ne t’i orientojmë programet tona, sidomos, masterat që janë specializime në fusha të caktuara, me nevojat e tyre…

Cilat janë pritshmëritë tuaja nga panairi i punë, i organizuar Universiteti Politeknik i Tiranës?

Universiteti Politeknik i Tiranës organizoi për herë të parë panairin e punës dhe patëm pak vështirësi, duke qenë hera e parë. Aktiviteti, për ne ka tre drejtime të rëndësishme. I pari lidhet me parimin, i dyti me formën, kurse i treti me vendin. Kur flas për parimin, ne donim që të krijonim një mundësi që të bëheshin bashkë universiteti dhe kompanitë, duke mbajtur në mes studentin.

Kjo do të thotë, duke mbledhur bashkë të gjithë kompanitë, të krijohej një mundësi që ato të prezantojnë aktivitetin e tyre dhe një njëkohësisht dhe kapacitetet. Studentët patën mundësinë që duke vizituar stendat e kompanive pjesëmarrëse në Panairin e Punës, të shihnin se cilat ishin kapacitetet dhe mundësitë e kompanive. Panairi synoi që të vendoste një marrëdhënie të re mes kompanive edhe studentëve.

Ne kemi një marrëveshje me një pjesë të madhe të kompanive pjesëmarrëse, duke qenë se shumë prej studentëve tani kryejnë praktikat tek ata. Por panairi lidh marrëdhënie direkt me studentin, e cila është një lidhje më e qëndrueshme.
Ne kemi kapacitete, përveç mësimit kemi edhe kërkimin shkencor. Problemet që mund të ketë një kompani mund t’i zgjidhë universiteti. Ose kapacitetet që ka universiteti mund të përdoren nga një kompani. Në këtë mënyrë nis të ndërtohet edhe një lidhje mes aspektit të kërkimit shkencor dhe nevojave të kompanive.

Si është kërkimi shkencor, sa kërkime bëni?

Duke filluar nga 2016, kemi ndërtuar një strategji për sa i përket kërkimit shkencor. Strategjia është e orientuar nëpërmjet partneriteteve që kemi lidhur me universitetet europiane, nga të cilat marrim edhe formën, edhe praktikën. Ne i prezantojmë çdo vit në një konferencë shkencore ndërkombëtare, ku janë punët tona por edhe ato që janë rezultat i bashkëpunimit. Duke u bërë bashkë kërkuesit tanë me ata të huaj, gjenerohet një punë e qëndrueshme. Dikur i organizonim në mënyrën e vjetër, tani kemi një qasje të re.

Ka njëfarë ngadalësimi, sepse ne nuk pranojmë më kontingjentë për doktoraturë. Në universitetin publik është bllokuar numri i kuotave, prej katër vitesh nuk kemi aplikantë të rinj për doktoraturë. Kërkimi shkencor mbështetet tek energjitë e reja. Bashkëpunimi me universitetet e huaja ka qenë një shtysë e madhe për të rritur cilësinë e kërkimit shkencor.

Disa nga kompanitë pjesëmarrëse në panair theksuan se ka një hendek midis njohurive (kurrikulave që marrin studentët në shkolla dhe nevojës që ka tregu). Si e shikoni këtë shqetësim?

Ky është një shqetësim shumë i drejtë dhe vetë ky organizimi ka pasur si qëllim edhe këtë element. Në fund të fundit, produkti që ne nxjerrim duhet të jetë pjesë e kompanive. Kompanitë e dinë më mirë se çfarë nevojash ka tregu. Është detyra jonë që, duke qenë afër kompanive, të kemi mundësinë që me kërkesat e tyre, të përsosim programet tona. Falë edhe partneriteteve që kemi me universitetet europiane, ne kemi bërë një përshtatje të kurrikulave që marrin studentët jashtë me kurrikulat që mësohen në shkollat tona.

Duam t’u japim mundësinë studentëve tanë që të marrin një kualifikim tjetër, që ta kenë shumë të lehtë për t’u integruar edhe në tregjet europiane të punësimit. Kemi nevojë për një bashkëpunim më të gjerë me kompanitë që ne t’i orientojmë programet tona, sidomos, masterat që janë specializime në fusha të caktuara, me nevojat e tyre.

Një pjesë e studentëve zgjedhin të shkojnë jashtë në përfundim të studimeve, veçanërisht studentët e teknologjisë së informacionit. Çfarë mund të bëhet që ne t’i nxisim studentët që të qëndrojnë në vend?

Duke dalë jashtë kuadrit të universitetit, situatat dhe kushtet e vështira i detyrojnë studentët drejt zgjedhjeve që ju japin më tepër siguri dhe një jetë më të mirë. Ky nuk është vetëm një problem me studentët tanë, por edhe me ata të mjekësisë. Problemi nuk është i Universitetit, është shumë më i gjerë dhe lidhet me faktorët ekonomikë. Thuhet se na ikin studentët, por pak përmendet që nga universitetet tona po ikin edhe pedagogët. Arsyeja nuk lidhet vetëm me pagën, por edhe me formimin që marrin në një universitet tjetër.

 

Nuk ikin vetëm studentët

Problemi nuk është i Universitetit, është shumë më i gjerë dhe lidhet me faktorët ekonomikë. Thuhet se na ikin studentët, por pak përmendet që nga universitetet tona po ikin edhe pedagogët. Arsyeja nuk lidhet vetëm me pagën, por edhe me formimin që marrin në një universitet tjetër.

 

Çfarë keni nevojë që të përmirësoni në fakultet?

Nëse i referohemi një shifre që i takon Politeknikut duhet që për një student në universitetet politeknike, sipërfaqja minimale të jetë 6 deri 8 metër katrorë në dispozicion. Nuk mund të mendohet që një fakultet arkitekture të jetë me një sipërfaqe 3-4 metër katrorë për student. Ndërkohë që në klasa, sipërfaqja është 2 metër katrorë për student, Ky është vetëm një element. Natyrisht që këtu diskutohet ulja e pranimeve, me qëllim që të arrihen standardet. Ne na duhen ambiente të reja, laboratorë të rinj, të vendosim pajisje të reja teknologjike. Në një pjesë të rasteve jemi të detyruar të prishim klasa për të bërë laboratorë.

Një zgjidhje do të ishte bashkëpunimi me bizneset duke krijuar ato që quhen inkubatorë, ku një kompani vendos në dispozicion hapësirat e saj për studentët që të praktikohen dhe në fund, produkti që del nga këta laboratorë është pronë e kompanisë. Në këtë mënyrë krijohet një marrëdhënie simbiozë midis universitetit, kompanisë dhe studentëve. Panairi shërbeu jo vetëm për të krijuar lidhje midis kompanive dhe studentëve, por edhe për të ndërtuar një strategji të mirëfilltë që do t’i vijë në ndihmë universitetit. Është e nevojshme një vëmendje më e madhe nga shteti.

Fondi që shkon për arsimin nga buxheti i shtetit është shumë i ulët, edhe më i ulët është për kërkimin shkencor. Kërkimi shkencor nuk bëhet me tarifat e studentëve. Të ardhurat që marrim nga tarifat e studentëve janë të ulëta dhe nuk mjaftojnë për të mbyllur kostot administrative, dhe jo më të financohet kërkimi shkencor. Shteti, me anë të politikave të veta, duhet të na ndihmojë me infrastrukturën, të na sigurojë ambiente. Partneritetet me universitetet e huaja kërkojnë shpeshherë disa standarde që për ne është e vështirë t’i plotësojmë.

Ju thatë se bashkëpunoni vazhdimisht me kompanitë private, qoftë për intershipet e studentëve, qoftë për rekrutimin e tyre në kompani të ndryshme. Cilat janë profesionet më të kërkuara?

Kërkohen më shumë studentët e teknologjisë së informacionit. Kërkesa më e lartë është për studentët e inxhinierisë së informatikës, inxhinierisë elektronike dhe inxhinierisë së telekomunikacionit. Më pas vijnë inxhinierët e ndërtimit dhe arkitektët, edhe pse arkitektura është në një fazë ngopje, kërkesë ka për ata që janë të orientuar te ndërtimi. Sa u përket arkitektëve në fushën e konceptit kanë shumë konkurrencë nga kompanitë e huaja.

Edhe për inxhinierët e ndërtimit ka aktualisht kërkesë, po ashtu ka pasur kërkesë edhe për inxhinierët e gjeologjisë. Largimi i projektit TAP do të krijojë pak vështirësi në tregun e punës, dhe do të jenë kompani të tjera. Edhe për sa i përket inxhinierëve elektrikë, ka aktivitete.

Janë degë të preferuara nga kompanitë dhe duhet thënë që kemi përparësi në punësim. Arma jonë e fortë janë studentët, të cilët janë shumë cilësorë. Në teknologjinë e informacionit, studenti i fundit që ne pranojmë ka mesataren 9.7, arkitektura 9.2, ndërtimi 8.7. një pjesë e mirë arrijnë një stad dhe ikin jashtë. Kërkojnë një cilësi tjetër. Me studentët që kemi një projekt për diplomë të dyfishtë, ne i çojmë në Francë në Grandes Écoles, bëjnë dy vitet e fundit, asnjëri prej tyre nuk është kthyer. 16 studentë që kanë shkuar dhe nuk janë kthyer.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of