Arratia e miliarderëve: Si Zelanda e Re u shndërrua në parajsën e shumëkërkuar

04/03/2017 8:02 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Qytetet e largëta dhe vendet mbresëlënëse kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e multimiliarderëve, duke filluar që nga presidenti i ri i Amerikës, Donald Trump apo Peter Thiel, të cilët e duan këtë parajsë të izoluar të klasit të parë.

Liqeni Wanaka është një peizazh i mrekullueshëm, por edhe pak i frikshëm në të njëjtën kohë, aty ku yjet ndriçojnë natën dhe ku qyteti më i afërt nuk ka semaforë. Pas 18,000 km nga Londra dhe 23 orë distancë me avion nga Nju Jorku, ju mbërrini në fund të botës – ku supermarketi më i afërt është vetëm tetë minuta larg dhe ku mund të gjeni shampanjën e ftohtë ‘Veuve Cliquot’ dhe gatimet tradicionale me mish pate, shkruan The Guardian.
Pyetja e parë e gjithë atyre që duan të largohen dhe të shkojnë diku tjetër është: Cili është ai destinacion?
I tillë ka qenë edhe për Michael Nock, një menaxher në Hong Kong, i cili ka një shtëpi superluksoze afër Queenstown. Pas kërkimeve të shumta, ai vendosi të shkonte në Zelandë të Re, sepse duke qenë se është një komunitet i vogël, ajo ka aftësinë për të qenë e pavarur dhe me një shtet ligjor të bazuar në sistemin anglez. Ka një peizazh mbresëlënës, i cili i kalon të gjitha pritshmëritë dhe, mbi të gjitha, t’i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme, vazhdon Nock.
Shëtitjet përgjatë brigjeve lindore të liqenit Wanaka, klubi i zhurmshëm i jahteve, fushat e mrekullueshme të Eely Point ku piknikët i kalojnë edhe ato të filmave më të bukur dhe kënaqësia që marrin të gjithë, por sidomos të vegjlit nga patinazhi amatoresk, në sipërfaqet e ngrira të liqenit, lë këdo pafjalë. Shumë pranë të gjitha këtyre ngrihen shtëpitë luksoze, të cilave banorët e zonës u referohen me termin “radha e multimilionerëve” që shtrihen për kilometra të tërë duke gjarpëruar pothuajse të gjithë zonën e Beacon Point.

Wanaka mbresëlënëse

Edhe pse muaj pas muaji apo vit pas viti, dritaret apo dyert e shtëpive të këtyre multimilionerëve nuk hapen ndonjëherë, pjesa më e madhe e tyre janë shumë të mirëmbajtura, me një gjelbërim rrethues dhe me pishina të pastruara gjatë gjithë vitit.
Sipas Censusit të vitit 2013, më shumë se gjysma e 2,781 shtëpive në Wanaka janë të pabanuara.
Sipas kryetarit të bashkisë së Queenstown Lakes, Jim Boult, numri i multimilionerëve në këtë zonë është i madh dhe njëkohësisht edhe shumë e rëndësishme është edhe prania e tyre këtu. Kur ata vijnë në qytetin tonë, shpenzojnë shumë para si për të mirëmbajtur pronat e tyre por edhe duke punësuar një numër të madh njerëzish, gjë kjo që ndikon në uljen e nivelit të papunësisë, vazhdon ai më tej.
Pra ata janë kontribuues shumë të rëndësishëm të sektorit të punësimit në këtë njësi administrative. Udhëtimet nga Wanaka, në parkun kombëtar pranë malit të Aspiringut, i cilësuar si trashëgimi botërore po shndërrohen në një prej destinacioneve më të pëlqyera të elitës botërore.
Të shumtë janë ata multimilionerë që duan të kenë strehëzën e tyre të reklasit në Hemisferën Jugore, shumë larg problemeve me të cilat përballet shumica e botës perëndimore, shprehet Terry Spice, drejtor i “Luxury Real-Estate” në Zelandën e Re, i cili vetëm pak kohë më parë i shiti një pronë një multimilioneri shumë të njohur amerikan. Ai vijon duke thënë se ka pasur një interesim në rritje nga një numër i madh multimilionerësh (dhe jo vetëm amerikanë) për këtë parajsë larg botës.
Në fillim të rrugës Mount Aspiring në Wanaka ndodhet prona 25 milionë dollarëshe e Sam Morgan (themeluesi i një prej website-ve më të famshëm të ankandeve në Zelandë të Re), në krah të malit Alpha. Në të majtën e saj ndodhet prona e Peter Thiel, miliarderi dhe themeluesi i PayPal, njëkohësisht dhe këshillues i Trump-it, i cili edhe pse me shumë polemika, arriti ta marrë nënshtetësinë e Zelandës së Re, gjë kjo që i krijoi atij mundësinë për të blerë sipërfaqe të mëdha toke.
Katër kilometra më tej, në Gjirin Glendhu, ndodhet Motatapu (21.5 milionë dollarë). Për shumë vite me radhë, ky ishte një prej vendeve më të pëlqyera të yllit të popit Shania Twain, pronësi që edhe sot e kësaj dite zotërohet nga ish-bashkëshorti i saj, producenti afrikanojugor, Robert “Mutt” Lange.
Që në momentin e parë pas blerjes së kësaj prone, unë iu përkushtova asaj me mish e me shpirt dhe i vura të gjitha ëndrrat e mia aty, me dëshirën e madhe për të ndërtuar një fermë gjigante në këtë parajsë larg botës, shkruan Twain në kujtimet e saj.
Tabelat e shumta të shitjeve në të dyja anët e rrugës janë shenjat e para paralajmëruese të shndërrimit të kësaj zone në një prej destinacioneve më të pëlqyera të njerëzve më të pasur në botë, destinacion ky, që vetëm disa dekada më parë ka qenë thjesht një tokë e shfrytëzuar nga barinjtë e zonës dhe vendasit për të bërë piknikë buzë liqenit.
Me një spital privat (30 milionë dollarë) një aeroport ndërkombëtar dhe një shumëllojshmëri lokalesh, dyqanesh dhe qendrash estetike, rajoni Queenstown Lakes po tërheq gjithnjë e më shumë admirimin e pasanikëve më të privilegjuar të botës.
Por në një situatë të paparashikueshme post-Brexit, dhe në një botë neo-Trumpiste, interesi i tyre është rritur shumë dhe disa vendas janë shumë të shqetësuar nga një situatë e tillë. Ata shprehen se po mbyten nga një pasuri e tillë marramendëse, e cila e ka shndërruar rajonin e tyre njëherë e një kohë bujqësor në një terren sportiv ku të kamurit nga vende të ndryshme të botës e shfrytëzojnë për të luajtur me kohë të pjesshme.

Zelanda e Re 2Vendasit të pakënaqur

Ndërsa vendi po pushtohet nga multimilionerët, grupe të ndryshme me banorë vendas si “Shoqata e banorëve vendas” janë në “prag të kolapsit”, sepse ka mungesë të theksuar vullnetarësh dhe fondesh financimi.
Ne kemi marrë vetëm 7.000 dollarë dhe po ndeshemi me biznesmenë të cilët mund të shpenzojnë miliona dollarë vetëm për të përvetësuar dëshirat e tyre, shprehet Julian Haworth, sekretar i shoqatës “Upper Clutha Environmental” gjatë këtyre 22 viteve të fundit. Por situata po përkeqësohet. Tek Araroa, shtegu i gjatë që vizitohet nga shumë njerëz për të bërë ecje dhe që shtrihet përgjatë liqenit në kufi me pronën e Thielit, një prej shqetësimeve më të mëdha të grupit të ambientalistëve është se ky shteg dhe mbi të gjitha peizazhi i jashtëzakonshëm natyror do të prishej pa kurrfarë kujdesi nga ndërtimet e shuma që do të ngrihen aty.
Cilido qoftë ai që është i lidhur me Trump-in, është e sigurt që nuk mund të sjellë veçse gjëra të këqija dhe kjo nuk është çudi. Po ne duam që njerëzit, sidomos ata të kësaj zone, të respektojnë rregullat dhe mbi të gjitha të jenë sa më të drejtë, si me të tjerët por më shumë me natyrën që i rrethon. Gjithnjë e më shumë, Wanaka po shndërrohet në një komunitet që po motivohet vetëm nga paraja dhe është pikërisht kjo ajo që po e tjetërson, duke mos i lënë asgjë nga qyteti paqësor i 30 viteve më parë, shprehet Julian Haworth. Aktualisht janë tre stacione të mëdha në shitje në Queenstown. Investitorët e huaj që duan të blenë një tokë në Zelandë të Re, i duhet të aplikojnë për një vizë investitori. Viza e investitorit përcakton se aplikantët mund të fitojnë qëndrim të përhershëm në Zelandë të Re nëse investojnë 1.5 milionë dollarë në një periudhë 4-vjeçare dhe qëndrojnë një minimum prej 146 ditësh gjatë periudhës së investimit.
Një tjetër lloj vize për multimilionerët është ajo e cila përcakton se aplikantët duhet të qëndrojnë një minimum prej 44 ditësh në Zelandë të Re gjatë 2 viteve të periudhës 3-vjeçare të investimit prej 10 milionë dollarësh.
Vitin e kaluar, në informacionet e nxjerra nga Panama Papers, ishte edhe Zelanda e Re, e cila cilësohej si vendi ideal për të ngritur truste të huaja dhe mbi të gjitha për të shmangur taksat.

E çuditshme ajo çfarë po ndodh

Është vërtet shumë e çuditshme ajo çfarë po ndodh këtu, shprehet Randall Aspinall, një blegtor që jeton në Luginën Matukituki, 30 km larg pronës së z. Theil.
Në shumicën e pronave të blera nga të huajt, mbahen ende bagëti të ndryshme si për shembull delet, por ama nuk është e qartë nëse një gjë e tillë është e rëndësishme për ta ashtu siç ka qenë për ne, apo e bëjnë thjesht sepse e kanë pasion, vazhdon z. Aspinall.
Unë kam rezerva të forta në lidhje me shitjen e fermave të mëdha në vend, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz që nuk janë kurrë në shtëpi. Këtu mund të përmendim menaxherin e njohur Michael Nock, i cili pas vitit 2008 të krizës financiare globale, mori me qira një helikopter për të gjetur parajsën e tij në Zelandën e Re. Ai e gjeti atë – në Queenstown.
Që prej Brexit dhe zgjedhjes së Trump-it, Nock ka pasur kërkesa të shumta nga miq të tij supermilionerë, të cilët janë të interesuar për të blerë një pronë si ajo që zotëron ai. Dhe ai me zemër i rekomandon blerjen e një prone në Queenstown Lake, një ndër vendet më të mira në botë.
Por ndryshe nga shumë milionerë të tjerë, prona e Nock duket shumë e mirëmbajtur, edhe pse ai mund të kalojë këtu maksimumi vetëm tre muaj gjatë gjithë vitit. Ai ka krijuar lidhje të forta edhe me banorët vendas dhe një gjë të tillë e shpreh nëpërmjet dhënies së studios së tij të artit për t’u shfrytëzuar nga artistët e rinj të zonës.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz