Jashtë, mes metropoleve të mëdha ose në destinacione ekzotike.
Në mal, për ata që duan traditën ose në plazh për ata që shkojnë kundër rrymës. Ju sjellim një guidë se ku mund të kaloni Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2017
Nga Elona Bedalli
Lajmin e mirë po jua themi që në fillim. Si Krishtlindja, ashtu edhe Viti i Ri bien në fundjavë, ndaj në dispozicion do të keni më shumë ditë për të pushuar. Gjithashtu do të keni më pak shpenzime, pasi edhe do të festoni edhe do të kaloni fundjavën. Për të tjerat, ju vijnë në ndihmë agjencitë e udhëtimit, të cilat kanë menduar me detaje paketa udhëtimesh që ndryshe nga një vit më parë, kanë çmime më të favorshme. E në këtë listë futen destinacione si Parisi, Stambolli apo edhe më larg, Dubai.
Kur flitet për Krishtlindjen apo se ku do ta prisni ndërrimin e viteve, vendet më tradicionale mbeten ato malore, që ofrojnë panoramë dimërore me dëborë.
Falë shoqërive me kosto të ulët që ofrojnë çmime të favorshme, një sërë destinacionesh janë bërë më lehtësisht të arritshme dhe paketat më të lira.
Për ata që duan të pushojnë më gjatë, në krye të listës janë destinacionet e largëta. Zinxhirët e hoteleve janë angazhuar që të ofrojnë jo vetëm spektaklin e ndërrimit të viteve, por edhe relaks dhe shërbime të mirëqenies. Dubai e Abu Dhabi janë zgjedhjet që po kërkohen më shumë nga kjo kategori e shqiptarëve.
Europa tërheq më shumë me paketat që ofrojnë mundësinë për të vizituar disa destinacione, si Vjena, Praga apo edhe Parisi.
Stambolli, pavarësisht sulmit të fundit dhe situatës jo shumë të qetë, do të jetë pjesë e vendeve që kanë zgjedhur shqiptarët për të pushuar në këto ditë të ftohta dimri.
Te fqinjët më lirë
Teksa ka kaluar pak më shumë se gjysma e muajit dhjetor, agjencitë e udhëtimeve parashikojnë një fundvit me ecuri pozitive. Drejtuesi i agjencisë ATHS, Besnik Vathi, thotë se numri i prenotimeve është në rritje në krahasim me një vit më parë. Mungojnë shifrat e sakta për të kuptuar trendin e këtyre kërkesave, por drejtuesit e agjencive thonë se kjo vjen për shkak të çmimeve më të favorshme të paketave që po hidhen në treg. “Rajoni është duke punuar fort. Fqinjët janë treguar agresivë sa u takon paketave turistike dhe angazhimi nga ana e tyre për të tërhequr sa më shumë turistë ka qenë i madh. Lëvizjet më të mëdha drejt rajonit pritet të realizohen për Krishtlindje e më pak për Vitin e Ri. Këtë vit, kjo rendje është favorizuar edhe nga çmimet më të ulëta të paketave”, thotë drejtuesi i kësaj agjencie.
E, në fakt, këto paketa nisin që nga 80 euro për person. Kryesisht me këtë çmim vjen Maqedonia, me pikën e saj më të famshme të turizmit dimëror, Mavrova. Sipas drejtuesve të agjencisë Union Travel, vëmendje të madhe po merr edhe Tetova me destinacionin e saj të njohur “Kodra e Diellit”.
Kosova është destinacioni që ofrohet për festat e fundvitit. Agjencia Union Travel sjell për ju një qëndrim disaditor në resortin e mirënjohur të skive, Brezovicën, për Krishtlindje nga data 24 – 26 dhjetor, me çmim që llogaritet në 59 euro për person.
Mali i Zi gjithashtu ofron paketa të favorshme për të kaluar festat e fundvitit. Ofertat për të pushuar në Ulqin në këto ditë të ftohta dimri nisin nga 59 euro nga agjencia ATHS.
Vas Tour ofron qëndrime për tri ditë e katër net në Mal të Zi, në Radika, për çmime që nisin nga 120 euro për person. Në këtë çmim përfshihet akomodimi me mëngjes, si dhe përdorimi i disa shërbimeve, të tilla si sauna, pishina etj.
Union Travel ka menduar edhe për një destinacion të veçantë, jo shumë të frekuentuar, ku nuk mungon mikpritja e ngrohtë e që është Zhabljaku. Me mëngjes dhe darkë, përfshi edhe darkën gala, për dy net e tri ditë ofrohet një paketë që nis nga 80 euro në ditë.
Por, mund të zgjidhni edhe Greqinë, me disa nga destinacionet si Selaniku apo Janina. Kjo e fundit ofrohet nga ATHS me një çmim prej 79 eurosh me qëndrim 3-ditor. Ndërsa udhëtimi në Selanik nis me një çmim prej 56 euro për person.
Union Travel ju ofron paketa udhëtimi për Krishtlindje edhe në Lefkada për dy net e tri ditë me një çmim që nis nga 122 euro për person.
Europa, më shumë grupe e ture kulturore
Udhëtimet në grup mbeten më të preferuara nëse dëshironi të mbeteni brenda kontinentit. Europa renditet e dyta për preferencat e shqiptarëve kur vjen puna te kalimi i festave të fundvitit.
Një zgjedhje që preferohet më së shumti nga ata që janë të pasionuar pas turizmit kulturor. Paketat përfshijnë disa qytete. Natyrisht nuk mund të flasim për luks, pasi në të shumtën e rasteve bëhet me autobus, por mund të vizitoni disa qytete e të qëndroni disa ditë në Itali, Francë apo edhe në Austri, Çeki e Gjermani.
Kjo është një praktikë që vazhdon të mbetet në modë dhe tërheqëse edhe për europianët.
Pikërisht këto lloj udhëtimesh janë edhe shpresa e agjencive turistike në të ardhmen. Besnik Vathi, drejtues i kompanisë ATHS, vlerëson se udhëtimet në grupe janë ato më të kërkuarat e tregojnë prirjen e pushimeve.
Nëse preferenca juaj është Çekia, atëherë agjencitë kanë shumë se çfarë t’ju ofrojnë. Është një destinacion që e gjen pothuajse te çdo agjenci, pasi Praga në fund të vitit është një mrekulli më vete. Udhëtimi është kryesisht me autobus dhe itinerari që ndiqet është: Tiranë – Split – Zagreb – Vjenë – Pragë – Budapest – Beograd – Prishtinë – Tiranë.
Bëhet fjalë për qëndrime që shkojnë deti në shtatë ditë dhe llogariten në 239 euro për person, me mëngjes.
Por, mund ta zgjidhni këtë destinacion edhe për Vitin e Ri, Union Travel ju ofron një qëndrim 4-ditor, me darkën gala me një çmim prej 650 euro për person.
Pavarësisht tronditjes që pësoi gjatë këtij viti nga sulmet terroriste, “qyteti i të dashuruarve’, Parisi, i është rikthyer ritmeve të tij turistike. Agjencitë e udhëtimeve shprehen se ka rritje të prenotimeve për këtë destinacion, që dikur ka qenë ‘molla e ndaluar’ për shumë shqiptarë. Ndërrimi i viteve mund të pritet në Paris me një çmim prej 650 euro nga agjencia Union Travel.
Sipas drejtuesve të kësaj agjencie, kërkesa në rritje për prenotime ka edhe për Italinë. Fundviti në Milano kushton 165 euro për person, në Venecia rreth 450 euro për person, ndërsa në Firence, 138 euro për person.
Nëse dëshironi që Vitin e Ri 2017 ta prisni në një mot plot diell e shkëlqim, atëherë mund të zgjidhni Dubain, ose Brazilin. Agjencitë e udhëtimit kanë menduar edhe për dëshirat e ‘nxehta’ të këtyre ditëve të ftohta.
Në krye të prenotimeve është Dubai. Dikur ishte një nga destinacionet më të shtrenjta, por këtë vit, çmimet kanë pësuar ulje të lehtë. Janë kryesisht të rinj, të cilët duan të eksplorojnë këtë vend që shkëlqen nga ndërtimet luksoze të teknologjisë së fjalës së fundit.
Agjencitë e udhëtimeve thonë se ky është një destinacion që zgjidhet nga ata që duan të pushojnë me gjatë në këtë stinë.
Sava Tours e ofron këtë destinacion me 789 euro për person, Union Travel për 850 euro, ATHS me po këtë çmim, ndërsa Vas Tours për rreth 900 euro.
Por, nëse dëshironi të provoni një destinacion më intrigues, ku mund të shijoni edhe karnavalet, atëherë do të duhet të zgjidhni Brazilin. Viti i Ri në Brazil është një përvojë krejtësisht ndryshe. Udhëtimi nis që në datë 24 dhjetor dhe zgjat 9 ditë. Oferta vjen nga Vas Tour dhe kushton 2,480 euro në dhomë dyshe, përfshi këtu edhe taksat. Në këtë paketë nuk janë të përfshira vaktet.
Ose mund të zgjidhni Ishujt Maldive. Sava Tours ofron akomodim me 7 net fjetje all inclusive për 1,659 euro për person, përfshirë edhe transfertat.
Çmimet, më lirë këtë vit
Në fund të fundit, çmimet janë ato që diktojnë edhe vendin ku mendohet për të kaluar festat e fundvitit.
“Shqiptarët shfrytëzojnë, sipas rastit, mundësitë më të mira. Ata kanë nevojë për shërbim profesional dhe siguri që çdo gjë të shkojë mirë. Përzgjedhja e hotelit, linjës së udhëtimit, transfertat dhe guidat ofrohen në mënyrë profesionale nga agjencitë. Mundohemi të jemi korrektë dhe të krijojmë përshtypje të mira te klientët, që ata të kthehen përsëri”, thonë drejtuesit e agjencive. Çdo udhëtim i organizuar nga agjencitë është përsëri pjesë e luksit pasi çdo detaj është i menduar me kujdes dhe paketat përfshijnë shumë shërbime me destinacion turizmin e mirëfilltë.
“Në përgjithësi, agjencitë e së njëjtës kategori, të quajtura ‘tour operator’ (ato që e organizojnë çdo shërbim nga A-ja te Zh-ja, në mënyrë të pavarur nga agjenci të tjera) janë të kanalizuara te të njëjtat destinacione dhe çmimet janë pothuajse të njëjta
Abu Dhabi dhe Dubai janë pjesë e destinacioneve të shtrenjta. Më pas vijnë vendet e Europës Perëndimore si Parisi, Praga, Londra, Italia. Te çmimet intensifikohet edhe “lufta” mes agjencive turistike. Është “luftë” për të mbijetuar në treg, për të afruar sa më shumë klientë, por edhe për të rritur fitimet. Kjo kërkon një strategji më vete. Pasi kanë studiuar tregun e ofertave, agjencitë bëjnë propozimet e tyre, duke ofruar “parajsën”. Çmimin më të lartë e mban Dubai me rreth 800 – 900 euro për person. Një çmim që duhet thënë se nuk ka pësuar ndryshime me një vit me parë. Janë kryesisht çiftet e reja që kërkojnë paketa me çmime disi më të shtrenjta, por edhe destinacione më ekzotike. Ata priren të jenë edhe konsumatorët më të mirë të pushimeve jashtë Shqipërisë.
Tendenca
Destinacionet më të preferuara për shqiptarët janë vendet e rajonit, si Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia, por edhe Parisi, Vjena apo Dubai.
Standardet
Pavarësisht se t’i kalosh pushimet jashtë Shqipërisë kushton më shumë, cilësia më e mirë e infrastrukturës dhe shërbimeve në vendet e tjera, janë arsyet kryesore që tërheqin shqiptarët
Ju kushton më lirë të udhëtoni në janar
Ka edhe një mundësi tjetër për të udhëtuar, madje më lirë nëse zgjidhni të udhëtoni pas festave, në janar. Çmimet janë ndjeshëm më të ulëta. Nuk është aspak ide që mund të anashkalohet. Ja një listë e desinacioneve low cost për këtë periudhë të vitit nga Momondo.
1. Balcelona
Hotelet në Barcelonë ofrojnë në këtë periudhë qëndrime me 9 euro për natë. Mund ta kaloni ditën duke bërë shumë gjëra falas dhe një mal me ushqime për të shijuar.
Nuk është më i liri, por është nga ato destinacione që duhet të jenë patjetër pjesë e listës suaj. Pallati Guell, shtëpia Batlló dhe Sagrada Familia janë nga ato site që të ofrojnë emocione të veçanta. Në janar, Barcelona është ekonomike, prandaj mos u mendoni dy herë dhe zgjidhni të fluturoni drejt këtij vendi. Nga aeroportet fqinje me Shqipërinë mund të gjeni oferta vërtet ekonomike.2. Lisbona
Nuk është edhe aq e ngrohtë në ditët e dimrit, por në klasifikimin që ka bërë Momondo ka fituar dy vende. Mesatarja e temperaturave është 16 gradë Celsius.
Arsyeja tjetër është se Lisbona është tejet ekonomike në janar. Një nga të paktat të tilla në Europë.
Hotelet në Lisbonë ofrojë akomodime që nisin nga 13 euro për person. Një çmim i mirë, apo jo?
Ky qytet pëlqehet për rrugët me ngjyra, të këndshme, për njerëzit mikpritës, të sjellshëm e të qeshur.
Edhe lokalet ofrojnë çmime relativisht të ulëta në janar.
Mund të zgjidhni të shijoni një pije, pasdite në Pharmacia për një përvojë unike, një mbrëmje diku midis Hipster dhe Principe Real duke zgjedhur mes Pavilhao Chinês dhe Pensão Amor (ose ndoshta të dyja bashkë).3.Budapesti
Jeni lodhur nga qëndrimi në divan? Tripadvisor ju këshillon që të lini pas rutinën dhe të investoni në një udhëtim me kosto të ulët.
Budapesti mbetet një nga qytetet e popullarizuara për bukurinë e tij, urat dhe historinë. Cilësohet si “Parisi i Lindjes”. Në fakt, është qyteti i duhur për ata të cilët duan të bëjnë pushime ekonomike pa hequr dorë nga cilësia.
Nëse doni ta bëni të vlefshëm udhëtimin tuaj, atëherë mund të frekuentoni edhe banjat termale. I bëjnë pushimet tuaja më unike. Çmimet? Banjat Szechenyi kanë oferta Spa që fillojnë nga rreth 20 euro.
Ndërsa mund të akomodohemi për 7 euro4. Londra
Lini mënjanë origjinalitetin dhe të shkoni në Londër. Natyrisht nuk është një qytet i lirë, por ka shumë gjëra që mund të bëni me fare pak para ose edhe falas.
Nëse në pushimet tuaja të janarit në Londër dëshironi të shijoni një shfaqje cilësore, atëherë ja disa këshilla sesi mund të kurseni për biletat në West End.
Gjithashtu mund të argëtoheni duke shëtitur në Tate Modern, të vizitoni Royal Albert Hall, të hani Fish and Chips si dhe të pini birra.
Nëse doni të bëni foto nga lart dhe të shijoni panoramën, atëherë keni 10 vende ku mund ta bëni këtë.
Hotelet në Londër në këtë periudhë mund të ofrojnë çmime akomodimi duke filluar nga 26 euro.Por, nëse keni qenë në të gjitha këto vende, atëherë lini të lirë fantazinë, zgjidhni fluturimet me kosto të ulët, bëni gati valixhet dhe shijoni udhëtimin tuaj dimëror.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.