Arrihet marrëveshja e koalicionit gjerman

03/07/2018 9:44 AM 0 komente

Kancelarja Angela Merkel dhe Horst Seehofer, ministri i brendshëm gjerman, kanë arritur marrëveshjen që zgjidh konfliktin e tyre ‘të hidhur’ mbi politikën e emigracionit dhe i dhanë fund krizës, që e kishte shtyrë qeverinë gjermane në prag të kolapsit.

Marrëveshja duhet t’i japë fund një konflikti që kishte kërcënuar të shkatërronte aleancën  70-vjeçare midis CDU-së dhe partisë bavareze, me Seehofer të CSU dhe potencialisht mund të hedhte ‘në erë’ qeverinë e koalicionit.

Z. Seehofer, i cili në natën e së dielës ofroi dorëheqjen si kreu i CSU dhe ministri i brendshëm, tha se marrëveshja që u arrit të hënën, do të lejonte që ai të qëndronte në qeveri.

Marrëveshja kërkon krijimin e qendrave të transitit në kufirin gjermano-austriak për azilkërkuesit të cilët tashmë janë regjistruar në vendet e tjera të BE. Ata pastaj mund të dërgohen direkt nga atje në vendet që janë përgjegjëse për to.

Kjo përfaqëson një kompromis: Z. Seehofer kishte insistuar më parë që refugjatë të tillë duhet të largohen menjëherë nga kufiri gjerman, një kërkesë që Merkel refuzoi. Ajo tha se lëvizje të tilla të njëanshme do të dëmtonin zonën Shengen dhe do të rrezikonin unitetin evropian.

Marrëveshja reflekton pikëpamjen e Merkel se refugjatët nuk mund të kthehen thjesht pa marrëveshje paraprake me vendet përkatëse. Ajo thotë: “Ne nuk duam të veprojmë në mënyrë të pakoordinuar: do të lidhim marrëveshje administrative me vendet në fjalë që do t’u lejojë atyre të kthehen atje.”

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz