Komisioni Europian bëri të ditur lajmin e arritjes së marrëveshjes mes Parlamentit Europian dhe Këshillit për të nisur iniciativën ‘WiFi4EU’, e cila parashikon instalimin e ‘WiFi Hotspots’ në sheshet publike, parqet, spitalet dhe hapësirat e tjera publike në të gjithë BE-në.
Marrëveshja politike përfshin një angazhim nga të tre institucionet për të caktuar 120 milionë euro për të financuar pajisjet për shërbime falas publike Wi-Fi në 6,000 deri në 8,000 bashki në të gjitha vendet anëtare.
Burimet specifike të financimit do të finalizohen në rishikimin e kuadrit financiar shumëvjeçar të BE-së, u tha në deklaratën e KE-së, duke shtuar se autoritetet lokale do të jenë në gjendje të aplikojnë për fonde sapo të krijohet sistemi. Granti, i ndarë në formën e kuponëve, do të përdoret për blerjen dhe instalimin e pajisjeve, ndërkohë që autoriteti publik do të mbulojë kostot operative të vetë lidhjes.
Iniciativa WiFi4EU u prezantua për herë të parë nga Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, në shtator të vitit 2016, i cili shpresonte se do të kontribuonte në vizionin “çdo fshat europian dhe çdo qytet me qasje të lirë në internet në qendrat kryesore të jetës publike deri në vitin 2020. ”
Komisioneri europian për tregun e brendshëm dixhital, Andrus Ansip, e përshëndeti marrëveshjen duke thënë se iniciativa do mund të përmirësojë lidhshmërinë mbi të gjitha vendet ku aksesi i internetit është i kufizuar.
“WiFi4EU është hapi i parë i mirëpritur, por shumë më tepër duhet të bëhet për të arritur lidhjen me shpejtësi të lartë në të gjithë territorin e BE-së, si përmirësimi i koordinimit të spektrit në të gjithë Europën dhe nxitja e investimeve në rrjetet me kapacitet të lartë që ka nevojë Europa”,-u shpreh ai.