Arritëm të parashikonim në kohë zgjerimin

30/10/2018 4:48 PM 0 komente

Flet z. Ilir Saliaj, drejtues i rrjetit Big Market

 

Big Market u rendit rrjeti i parë i supermaketeve në vend për sa i përket qarkullimit, numrit të pikave në të gjithë vendin, por edhe numrit të të punësuarve (në 10 kompanitë me numrin më të lartë të të punësuarve në vend). Për “Monitor”, zoti Ilir Saliaj tregon se u rritën falë aftësisë për të parashikuar në kohë se kishte ardhur momenti për të zgjeruar rrjetin e supermarketve.

Big Market është një prej zinxhirëve më të mëdhenj të supermarketeve në vend. Si e shikoni tregun e shitjeve me pakicë për segmentin që ju mbuloni? Si ka qenë ecuria në 2017-n?

Edhe pse fuqia blerëse ka rënë disi, pasi ne shikojmë tkurrje në të gjithë fushat, kjo edhe sipas asaj që thonë operatorët e tjerë, ne si rrjet supermarketesh njohëm rritje në vitin 2017. Sa i përket tregut në përgjithësi, ne shikojmë që ka një dyndje në hapjen e marketeve. Vitet e fundit, shoh një modë të re “Tendenca drejt hapjes së marketeve”.

Njerëzit kuptojnë se nuk kanë zgjidhje të tjera dhe i besojnë pjesës së ushqimoreve. Por edhe ata që kanë qenë në treg, me dyqane më të vogla, panë se erdhi momenti që ose duhet të rriteshin, ose të dilnin nga tregu. Kjo deri diku është një shpërndarje për tregun tonë.

Edhe kompania jonë nuk e ka ndaluar procesin e hapjes së dyqaneve të reja, mirëpo ne patëm fatin që arritëm të parashikonim të parët se duhej të zgjeroheshim me pika të tjera dhe e zbatuam këtë. Aktualisht, nën logon Big Market operojnë 116 pika në të gjithë Shqipërinë.
Ka një ulje të tregut, por ne nuk e kemi ndier shumë, përveçse në disa pika në qytetin e Tiranës, ku dhe konkurrenca është më e fortë. Hapja e pikave të marketeve u bë shumë madhe në Tiranë. Në perceptimin tim, mund të them se të gjithë të mëdhenjtë janë rritur, rrjetet Spar dhe Conad.

Duke qenë se së fundmi zinxhirët e supermarketeve kanë zgjerim të vazhdueshëm, duke hapur pika të reja shitjesh, ju si e shikoni garën “për të kapur” klientë?

Në Tiranë ndihet, por deri tani nuk na ka shqetësuar. Ne nuk na shqetëson njëri-tjetri dhe në fund fiton klienti, sepse duke u shtuar konkurrenca, çmimet janë në nivele të ulëta. Për ne, problematikë kanë qenë ata që operojnë në informalitet. Sikurse ne, Spar-i, rrjeti Conad, janë biznese formale, që operojnë sipas rregullave dhe deklarojnë çdo shitje. Ne nuk jemi konkurrent me njëri-tjetrin. Tregu ynë ka hapësirë për rritje, sepse është pjesa më informale.

Ne mund të konsiderohemi si tregje të sigurta, edhe si taksapagues, edhe sa i përket sigurimit të të punësuarve. Ne kemi pasur politika më të hapura për t’u zgjeruar edhe në rrethe apo qytete e vogla në Shqipëri. Hapja në qytetet e vogla është normale, duke qenë se ezaurohen edhe tregjet e mëdha. Ne nuk kemi probleme me qytetet e vogla, madje kur shkojmë në zona të tilla u japim edhe një zhvillim atyre, veçanërisht në punësim. Strategjia e punës sonë ka qenë e tillë.

Një ndër shqetësimet kryesore në këtë biznes është konkurrenca e pandershme dhe ekonomia informale. Si kanë ndikuar këto në ecurinë tuaj?

Këtë e shoh pak të lidhur edhe me politikën, biznesin e vogël, duke menduar edhe punësimin e këtyre individëve. Nisi në një moment aksioni antiinformalitet në mënyrë të fuqishme dhe shumë qepena në rrugën “Myslym Shyri” u mbyllën. Kemi mbijetuar në situata të vështira, kur tregu ishte informal, kur shitej në rrugë. Tani tregu është në një situatë shumë më të mirë. Edhe në periferi të Tiranës, kur shikoj se presin kuponët tatimorë, kuptoj që diçka po ndryshon për mirë.

Me çfarë kemi vënë re nga bilancet e kompanive kryesore, zinxhirët e supermarketeve operojnë me marzhe të ulëta të fitimeve. Si krahasoheni me vendet fqinje?

Po të na krahasosh me rrjetet e supermarketeve jashtë, marzhet e fitimeve tona janë të ulëta. Rrjetet e supermarketeve në Itali punojnë me marzhe fitimi 30-35%. Por, ata kanë prodhim vendas dhe mbështesin biznesin e tyre në prodhim e tyre, ndërkohë që ne importojmë pjesën më të madhe të produkteve.

Ka zona ku shesim produkte që pranojnë marzh më të lartë. Në produktet e shportës punojmë me marzhe të ulëta. Vetë tregu të imponon një lloj ndarje, gjithmonë do të fusësh produkte të reja. Më fitimprurëse janë marketet në zonat periferike, ku blihen produktet e konsumit, në fund të ditës ne fitojmë mbi xhiron.

Ju jeni një nga 10 punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Sipas të dhënave nga rrjetet tuaja të supermarketeve keni të punësuar më shumë se 1700 persona, në 116 pikat në të gjithë Shqipërinë. A është e vështirë menaxhimi i një stafi të madh në numër dhe gjetja e krahut të punës?

Është e vështirë, por kemi bërë një ndarje të detyrash. Ne kemi ndjekur një strategji që të gjitha dyqanet e rrjetit tonë janë të ndara me NIPT-e të veçanta, kjo ka qenë një politikë jo e rastësishme. Ne vendosëm që secili dyqan i rrjetit tonë do të jenë me vetadministrim dhe do të përgjigjet për humbjet dhe fitimet e veta. Dyqanet kanë një menaxher, një financier, përgjegjësin e sallës, të cilët përgjigjen për problematikat.

Njerëzit janë vlera e kompanisë, ne jemi munduar që të krijojmë ekipin. Jemi përpjekur që t’ju japim mundësi individëve që kanë punuar fort të promovohen në detyrë. Kanë filluar punë si punonjës të thjeshtë në pikat e dyqaneve dhe janë ngritur në detyrë. Ky është një biznes dinamik. Përveçse duhet të kesh njohuri të mira në finanëa, duhet të jesh edhe një menaxher i mirë i burimeve njerëzore, por edhe njohës i mirë i tregtisë ndërkombëtare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of