Arsyet e “shëndosha” për të hapur një e-commerce

07/08/2013 9:43 AM 0 komente

John Fitzgerald Kennedy, në një nga fjalimet e tij, pati thënë: “E shkruar në gjuhën kineze, fjala krizë përbëhet nga dy germa. Njëra përfaqëson rrezikun dhe tjetra mundësinë. E pikërisht në momentet e vështirësive më të mëdha lindin mundësitë më të mira për të përmirësuar situatën”

Po cila mund të jetë një nga këto mundësi? E keni menduar ndonjëherë se mund të jetë e-commerce. Në fakt, të dhënat e tregtisë elektronike i japin të drejtë ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fakti është se ky sektor po njeh rritje të ndjeshme edhe në kushtet e një krize ekonomike. Një nga arsyet e kësaj rritjeje lidhet edhe me futjen e kufizimeve ligjore për përdorimin e parave cash, që kanë rritur prirjen për të përdorur kartat e kreditit. Tendenca në rritje e blerjeve online ka rritur edhe shifrat e transaksioneve. Për vitin 2013, rritja e këtij tregu parashikohet të jetë në nivelin 10-20%. Deri në vitin 2015, rreth 50% e popullsisë europiane do të blejë online gjithçka që i nevojitet. Nisur nga shifrat ndoshta mund të mendoni se ka ardhur koha që të hapni dyert e tregtisë online.

 

Përse të hapësh një e-commerce

Arsyeja nr. 1

Volumi i shitjeve është gjithnjë në rritje. Tashmë është e mundur që të mund të blini një numër të pafund artikujsh në internet, pa qenë e nevojshme që të ngriheni nga divani. Madje nuk mungojnë edhe dyqanet e veshjeve, të aksesorëve, të elektronikës, muzikës, etj.

Arsyeja nr. 2

Të hapësh një dyqan online të jep mundësinë që ta shtrish aktivitetin kudo që do të dëshirosh me kosto rreth 10.000% më të ulët se dyqanet fizikë. Mirëmbajtja e një portali kushton gjithmonë më pak se qiraja e një dyqani. Nuk është e nevojshme ta pastroni, as të paguani fatura dritash apo uji, taksa etj.

Arsyeja nr. 3

Mundësia për ta shitur në një treg shumë më të gjerë. Është fakt se pothuajse të gjithë kompanitë që shesin online në vendin e tyre, kanë njohur rritje të ndjeshme edhe jashtë kufijve. Duhet marrë në konsideratë edhe fakti se të kesh një dyqan e-commerce vizual edhe nga një tablet apo smartphone, të lejon t’ua shesësh atyre që nuk ndodhen përpara një kompjuteri. 

Arsyeja nr. 4

Nuk ka orare. Dyqani yt do të qëndrojë i hapur 24 orë në 24. Ky është një avantazh kundrejt konkurrentëve që nuk shesin online.

Arsyeja nr. 5

Marketingu të kushton më pak. Natyrisht tregtia në botën reale, por edhe ajo online e bazon suksesin në aftësinë për të tërhequr klientët, por edhe për t’i rikthyer ata. Kjo mund të arrihet nëpërmjet rrjetit social në të cilin konsumatorët flasin për një produkt. Po, por sa kushton, mund të pyesin disa. Shumë pak. Në fakt të zësh një vend në botën virtuale kushton më pak se në atë të “mishit dhe kockave”.

Është e udhës që të bëhet një saktësim. Të hapësh një dyqan online nuk është një lojë fëmijësh. Duhet që ky aktivitet të mbështetet në mënyrë profesionale dhe me durim derisa të bëhet një biznes. Të kesh një e-commerce nuk mjafton. Madje nuk mjafton vetëm një ueb që të shesësh online, nevojiten edhe aktivitete të tjera në mënyrë që portali juaj të jetë i dukshëm në motorët e kërkimit. Është shumë e rëndësishme që të jetë i optimizuar për motorët e kërkimit. Një portal i bukur, por jo i dukshëm nga të gjithë nuk i hyn në punë askujt. Për këtë arsye është e nevojshme që t’iu drejtoheni profesionistëve të kësaj fushe.

 

Rregullat e hapjes

Të shesësh dhe të blesh online është kthyer në një aktivitet të rëndomtë dhe tregtia online e njohur ndryshe si e-commerce është një nga kanalet më të përdorur nga sipërmarrjet dhe konsumatorët. Avantazhi i e-commerce, përveçse është një sistem i shpejtë, komod, ekonomik dhe ekskluziv, i jep mundësi gjithkujt që të shesë dhe blejë online, edhe pse nuk ka në pronësi një dyqan fizik. Për këtë mund të shfrytëzohen platformat që ekzistojnë tashmë prej disa vitesh, siç është eBay, ose duke hapur një faqe të personalizuar. Duke parë suksesin që garantojnë shitjet online, shumë njerëz, por edhe sipërmarrje, kanë hapur dyqane virtuale.

Si të hapësh një dyqan virtual

Sikundër u shprehëm edhe më lart, shitja dhe blerja online mund të ndodhë përmes kanaleve të ndryshme: mund të përdorni platformat ekzistuese në brendësi të të cilave mund të shisni produktet tuaja (duke krijuar kështu një dyqan të vogël onlone); të krijoni dyqanin tuaj online në një faqe të veçantë.

Të zgjedhësh të hapësh një aktivitet shitjeje online mund të duket si diçka e thjeshtë nga momenti kur në rrjet ka shumë platforma të e-commerce me funksione të ndryshme dhe të lehta në përdorim (siç janë Magento, Prestashop, WordPress WP e-commerce, Joomla VirtueMart, Enfinity, Sho pify, Blomming etj.). Por, kjo është një sipërmarrje që kërkon angazhim të përditshëm dhe një vëmendje të fortë ndaj aktivitetit logjistik që nuk duhet të nënvlerësohen përpara sesa të ndërmerret kjo përvojë. Në radhë të parë, për të pasur një dyqan e-commerce duhet ta regjistroni si aktivitet në institucionet përkatëse, pra të respektoni rrugëtimin burokratik për t’i dhënë jetë dyqanit tuaj online.

Edhe në rastin e këtij aktiviteti, duhet të studioni target-grupin që duhet t’i drejtoheni, të bëni kërkime dhe të zgjidhni atë që bën për ju. Të gjitha platformat janë të pajisura me funksione bazë, siç janë katalogët e produkteve shporta e blerjes, menaxhimi i porosive, magazinimi, menaxhimi i pagesave etj.

Çfarë përmban menaxhimi i tij

Të drejtosh një dyqan fizik online do të thotë që në radhë të parë të dish të përballesh me të gjitha aktivitetet plotësuese që janë: logjistika, kujdesi ndaj klientit dhe promocioni. Logjistika ka të bëjë me të gjitha fazat e organizimit dhe të drejtimit të produkteve që do të ekspozohen në dyqan dhe që do të blihen nga konsumatorët. Kujdes i veçantë duhet të tregohet ndaj kostove të dërgimit: shumë shpesh kalohet në shuma fikse dërgesash, ndërsa në rastin e kostove variabël duhet të vendoset tabela me çmimet përkatëse. Kujdesi ndaj klientit nuk është gjë tjetër veçse vëmendja ndaj tij. Mos vendosni si numër kontakti një celular, mund të nënkuptojë mungesë besimi nga ana e klientëve. Më mirë përdorni një numër fiks ose një numër jeshil. E në fund, por jo më pak e rëndësishme, është aktiviteti promocional. Për të promovuar faqen është mirë që të përdorni rrjetet sociale dhe publikoni vazhdimisht postime që të bëni kureshtarë klientët. Nuk mund të përjashtohet si teknikë edhe metoda e vjetër e e-mail marketing, që vazhdon të jetë efikase, veçanërisht në rastin e uljeve apo të promocioneve të ndryshme.

 

Katër rregulla që bëjnë të funksionojë një dyqan online

Një e-commerce përfaqëson një punë me kohë të plotë për administratorët, prandaj është e rëndësishme:

  1. Të fusni në mënyrë konstante produkte të reja
  2. Të menaxhoni porositë (mund të jetë e nevojshme që t’i dedikoni faqes një hapësirë të veçantë për gjendjen e produktit, p.sh: dërguar, në përpunim, anuluar etj.)
  3. Është e nevojshme që të monitorohet disponibiliteti i magazinimit. Aktiviteti i stokut është një çelës shumë i mirë për shitjen, promocioni i kohës së kufizuar i shtyn klientët të blejnë
  4. Është e rëndësishme që t’i dedikoni një hapësirë edhe ankesave. Ka raste kur dërgimi nuk realizohet me sukses ose klienti nuk mbetet i kënaqur nga produkti

Megjithatë mund të thuhet se, edhe pse numri i dyqaneve virtualë është në rritje të fortë, vazhdon të nënvlerësohet si një aktivitet nga pikëpamja menaxheriale. Për këtë, nëse vendosni që të hapni një e-commerce, mos harroni që të vlerësoni të gjithë aspektet që një aktivitet i këtij lloji përmban. Çelësi i suksesit nuk varet vetëm nga produkti i ofruar, por edhe nga mënyra sesi administroni faqen tuaj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of