Çmimi Nobel për Fizikë u shkon pionierëve të lazerit: hulumtimet e tyre gjejnë zbatimin në shumë fusha, duke përfshirë mjekësinë dhe biologjinë: “Ata kanë bërë realitet një ëndërr të vjetër të fantashkencës” shpjegon Akademia e Shkencave.
Arthur Ashkin, Gérard Mourou dhe Donna Strickland janë fituesit e çmimit Nobel 2018 për Fizikë, për zbulimet e tyre në fushën e lazerave. Ata kanë krijuar “instrumente të përbëra nga drita” – thotë Akademia Mbretërore e Shkencave në Stokholm.
“Instrumentet e tyre me precizion po lëvrojnë fusha të reja për kërkimin, përveçse gjejnë zbatim të gjerë në industri dhe mjekësi”.
‘PISKATORET’ OPTIKE
Ashkin, 96 vjeç, amerikan, është fituesi më i madh në moshë në historinë e çmimeve Nobel. Ai punoi në Bell Laboratories dhe fitoi gjysmën e çmimit për “zhvillimin e piskatoreve optike dhe për aplikimin e tyre në biologji”.
Këto ‘piskatore’ (në anglisht “optical tweezers”) mund të kapin dhe të manipulojnë objekte shumë të vogla si viruse, qeliza apo atome, pa i dëmtuar ato. Sipas Akademisë, në këtë mënyrë është bërë realitet “një ëndërr e vjetër fantashkencore” – shfrytëzimi i presionit të ushtruar nga rrezatimi i ndritshëm për të lëvizur objekte fizike”. Eksperimenti i parë me piskatore optike daton në vitin 1987 kur Ashkin mundi të manipulonte një bakter me rreze lazer.
ÇMIMI NOBEL DHE GRATË
Donna Strickland është gruaja e tretë që fiton çmimin Nobel për Fizikën. E fundit ka qenë Maria Goeppert-Mayer në vitin 1963, e cila kishte studiuar konfigurimin e atomit. Para saj, 60 vjet më parë, Nobeli për Fizikën është fituar nga Marie Curie.
“Kam menduar që ishte diçka e çmendur” – ishin fjalët e para të Strickland, me zërin që i dridhej, gjatë lidhjes së drejtpërdrejtë me Stokholmi. Në 108 edicionet e fundit të Nobel, në të gjitha disiplinat, çmimi Nobel është fituar vetëm nga 49 gra kundrejt 925 burrave.
Nobel i fundit që është fituar nga një grua daton në vitin 2015: Youyou Tu, nga Akademia Kineze për Mjekësinë Tradicionale, Nobel për Mjekësinë, për kurat e saj kundër malaries.
NDARJA E ÇMIMIT
Gjysma tjetër e çmimit do të ndahet mes Gérard Mourou, 74 vjeç, me nënshtetësi të dyfishtë, franceze dhe amerikane (angazhim i dyfishtë në École Polytechnique të Palaiseau dhe në Universitetin e Miçiganit) dhe Donna Strickland, 59 vjeçe, kanadeze, nga universiteti i Waterloo, “për metodën e tyre e cila gjeneron pulsime ultra të shkurtra me intensitet të lartë” – shpjegoi Komiteti i Nobel. Këto rreze lazer të holla dhe të sakta, të zhvilluara duke nisur nga viti 1985, presin dhe shpojnë lloje të ndryshme materialesh, me saktësi të lartë.
“Çdo vit, miliona operacione realizohen me këto instrumente shumë të sakta” – thekson Akademia e Shkencave. Bëhet fjalë për impulset laser më të shkurtër dhe me intensitetin më të lartë që janë krijuar ndonjëherë. Emri teknik i metodës është “chirped pulse amplification”, ose CPA. Kjo gjen zbatim, përveçse në mjekësi edhe në industri.