Ndryshimet që po ndërmerr qeveria në Kodin Penal kanë ngjallur reagime të ashpëra te biznesi, pasi bëhet fjalë për rritje të masave ndëshkruese në raste informaliteti, mosdeklarimi të saktë apo të rremë në dogana, për kontrabandë etj.. Në draftin e projektligjit këto vepra penale parashikohen të dënohen deri në 10 vjet burg.
Ekspertët thonë se këto ndryshime do të duhen të marrin votat e një shumice të cilësuar për të kaluar në Kuvend, ndërsa i konsiderojnë si rapresive dhe që tregojnë se shteti ka dështuar në mbledhjen e të ardhurave. Sipas tyre mbetet problematik dhe krijon konfuzion fakti sesi do qartësohet nëse deklarimi është i rreme apo nëse është bërë pa dijeninë e biznesit.
Ekspertët thonë gjithashtu se Ministria e Drejtësisë duhet të bëjë edhe ajo oponencën e saj për të qartësuar nenent.
Ndërsa për Presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford ashpërsimi i masave ndëshkuese kundër informalitetit në Kodin Penal do të frenojnë ekonominë.
Stefan Pinguli, sipërmarrës i Birrës Stela është i bindur që në momentin që ashpërsohet lufta ndaj biznesit do të gjenden forma përfitimi nga të tjerët, ndërsa ai që do e pësojë do jetë biznesi. Ai sjell shembullin e SHBA-ve, ku sa herë që ka një ashpërsim të luftës kundër drogës, ka një rritje të çmimit të saj, në përfitim të disave.
“Jo vetëm që nuk jam dakord me këto masa, por ato do të sjellin një efekt të kundërt të asaj që pritet”, thotë ai.
Nuk është e natyrshmë që një grup njerëzish të futen në burg, kjo krijon elemente negative në ekonomi. “Nuk mund të ashpërsosh masat jashtë logjikës, duhen marrë masa paralajmëruese, parandaluese dhe pastaj vepruese”.
Edhe Pinguli, ashtu si shumë sipërmarës të tjerë është tepër i pakënaqur që në qendër të goditjes së aksionit anti-informalitet është biznesi dhe jo administrata tatimore. “Populli dhe biznesi nuk është fajtor që administrata e ka edukuar gabim këto 20 vjet. Shteti ka në dorë administratën, jo popullin”, pohon ai, duke thënë se duhet të jetë administrata ajo që duhet të kalojë nën një regjim të fortë, përndryshe do të jetë ajo e “fituara” e këtyre masave.
Hajredin Fratari : Ky është mentalitet diktatorial
Atë që Turqia e bëri për 10 -15 vjet ne kërkojmë ta bëjmë brenda ditës. Qeveria duhet të merret me sistemin dhe jo t’i zgjidhë gjërat me burg. Biznesit nuk duhet t’i tregohet “kërbaçi” sepse ai do të ndalojë investimet, për t’i ndërmarrë ato në një kohë më të mirë. Të mos harrojmë që pas dy vitesh janë zgjdhjet parlamentare dhe kjo klimë nuk është aspak e favorshme. Madje mund të them se një ashpërsim i tillë i Kodit Penal është i pa konceptueshëm, i denjë për një mentalitet diktatorial.
Gjergji Liqejza, biznesmen në aktivitetin e fasonit :
Unë jam pro rregullave, por ligji të zbatohet i barabartë për të gjithë. Mënyra sesi po ndërmerren këto masa nuk është e mirëstudiuar. Biznesi nuk duhet të penalizohet në këtë mënyrë. Është e vërtetë që Italia ka penalitete më të forta dhe më të ashpëra, por ajo nuk i trajton bizneset me dashakeqësi. Në Shqipëri biznesi paragjykohet, trajohet apriori si evazor dhe kontrabandist. Nëse masat ashpërsohet dhe zmadhohen atëherë të jeni të bindur se kjo do të përkthehet në shtim të rrezikut për afera korruptive nga ana e administratës doganore apo tatimore. Më çdo rast duhet të pranojmë se ligji është mirë të zbatohet, por jo në mënyrë selektive.
Donika Mici, administratore e fabrikës së këpucëve “Donniana” :
Masat që po propozohen si ndryshime në Kodin Penal mund të vlerësohen si ekstreme dhe unë nuk mendoj se do të arrijnë rezultatet e kërkuara. Këto ndryshime duhen rishikuar ose të garantohet zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë. Unë nuk besoj se këto ndryshime do të mund të marrin miratimin e Kuvendit.
“Bushi servis”:
Sigurisht ne nuk kemi të bëjmë me të tilla situata si ajo e fshehjes së mallit, mos deklarimi etj.. Ne produktet i marrim nga kompanitë e mëdha jashtë Itali Gjermani etj. megjthatë kjo nuk e tjetërson faktin se masa e burgut është e rëndë për biznesin, e frenon, frikëson. Mund të ndodhin edhe ngatërresa, duhen vendosur masa të tjera.
Biznese pranë tregu cam:
Ne shkojmë rregullisht në turqi për furnizime, tregtojmë këpucë kryesisht. Nuk kemi pasur kurrë probleme nq dogana, veç ndonjë rast festash që kemi pasur vonesa. Nuk e dija për këto ndryshime, sigurisht burgu të frikëson të mos kryesh asnjë parregullsi. Kjo duhet të jetë menduar si arsye. Por përsëri biznesi po shenjestrohet, sidomos ai i vogli. Duhet tolerancë më tepër, për më tepër me ata që kurrë nuk kryejnë shkelje, duhen ndihmuar bizneset. Kemi sh pak klientë tani, megjithëse mundohemi të bëjmë ulje por kostot i kemi të mëdha. Ja shiko nk ndalon asnjë. Kanë mbyllur e tregun e gabit ku do vishen njerëzit lirë tani(qesh).
“Disney”, Lodra dhe aksesorë për fëmijë:
Nuk e dija për këto ndryshime, mbrëmë e pash në lajme. Më duken shumë të egra si masa, por po të zbatohen me të vërtetë për ata të cilët kryejnë kontrabandë prej vitesh, do ish e drejtë. Duhet edhe kontroll edhe ndëshkim i barabartë.
Një nga nenet që ka ngjallur më shumë diskutime është ai mbi ndryshimet e nenit 174 të ligjit të Kodit Penal :
“Importimi, eksportimi apo transitimi i mallrave, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së plotë apo të pjesshme, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore apo përfitimin pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi apo reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm, që ka të bëjë me importin ose eksportin e mallrave, përbën kontrabandë dhe dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.