Përvoja e gjatë me eksportin e bimëve mjekësore, që prej vitit 1992, pasioni për bimët dhe kërkimi shkencor u kombinuan nga themeluesi i kompanisë ATC Natyral, Ylian Liperi, për diversifikimin drejt një modeli novator dhe unik biznesi.
Duke kërkuar për vlerat e bimëve, ai krijoi çajra bio me veti të ndryshme qetësuese, nga ato kundër gripit, antioksidantë, për qetësimin e stomakut, lehtësimin e ulçerës, dobësim, anti-stres, anti-duhan, anti-celulit, anti-diabetik, anti-kolesterol, anti- varice, për kollë, prostatë, veshka, e deri ta ato afrodiziakë.
Sot, kur Yliani nuk jeton më, biznesi po drejtohet me të njëjtin pasion, nga i biri, Orgesi. ATC Natyral ndoshta është një nga kompanitë para të eksportit të bimëve mjekësore e orientuar drejt një modeli që siguron qëndrueshmëri afatgjatë.
Kompania, e cila është e vendosur në Shkozet të Durrësit prej 25 vitesh, ka ruajtur me fanatizëm grumbullimin dhe eksportimin e bimëve mjekësore të egra, por së fundi, ata kanë zhvilluar një plan biznesi për zgjerim në tregun e brendshëm. ATC është e para që ka kapur trendin e të konsumuarit bio edhe në Shqipëri ndaj vitet e fundit, ajo është në tregun vendas me çajet natyrale.
Farmacitë dhe supermarketet kanë tashmë një kënd të posaçëm ku tregtohen çajet bio të egër të ATC, teksa Orgesi pohon se kërkesa vendase për këto produkte është në rritje. Kjo rritje po i inkurajon që të zhvillojnë biznesin e çajeve bio edhe më tej. Së fundmi, kanë investuar në teknologji të posaçme për këtë qëllim. Çajet e egra të Shqipërisë do të shiten edhe me bustinë.
Administratorët kanë gati kampionët e para dhe thonë se çajet janë në gjendje të egër pa konservues, as ngjyrues dhe shumë shpejt do të nisë shpërndarja nëpër lokale. Bustinat do të përmbajnë boronicë, sherbelë, çaj mali. Kjo hapësirë në tregun vendas, përveçse do t’i sigurojë më shumë të ardhura kompanisë, më kryesorja është se do t’u ofrojnë shqiptarëve mundësinë të konsumojnë çaj bio në bare e restorante. Kjo mënyrë diversifikimi do të sigurojë të ardhura edhe për zinxhirin e shitjes me pakicë në vend dhe do të maksimizojë vlerën që mbetet në ekonominë shqiptarë të çajeve me bimë të egra.
Administratori i ATC pohon se tendenca e konsumatorëve për të konsumuar bio po nxit shitjet dhe ai po sheh me shumë optimizëm zhvillimet në tregun e brendshëm. Për t’i bërë sa më të dobishme produktet e tyre, pronarët e saj janë thelluar në literaturën e trajtimit të bimëve dhe çajeve.
Kompania kërkon nga autoritetet shqiptare të zhvillojnë më tej legjislacionin kombëtar në mënyrë që të lejojë kombinimin e çajeve për qëllime mjekësore.
Ndërkohë planet e kompanisë ATC do të vijojnë me shitjet online të çajeve bimore. Kompania ATC është e specializuar në mbledhjen, seleksionimin, pastrimin, përpunimin dhe import-eksportin e bimëve aromatike- mjekësore, si dhe të derivateve të tyre. Përveç këtyre, ATC merret me prodhimin e vajrave esenciale, duke shfrytëzuar ingredientët aktive tepër të vlefshëm që gjenden në bimët e egra në natyrë. Kushtet gjeo-klimatike të Shqipërisë favorizojnë biodiversitet të larmishëm bimësh dhe erëzash, të njohura për përbërësit aktivë dhe vajrave esenciale që përmbajnë. Kompania zotëron një rrjet të gjerë grumbulluesish në të gjithë Shqipërinë, me degë në veri dhe në jug të vendit.
Drejtuesit e kompanisë thanë se sektori duhet të mbështetet me më shumë investime. Ata gjithashtu konsiderojnë të rendësishëm ndërgjegjësimin në zonat rurale që të mos djegin pyjet dhe kullotat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.