Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se sot, përmes sistemit elektronik EDI, mundësohet regjistrimi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, gjegjësisht gjenerimi i numrit të TVSH-së.
Tatimpaguesit, që obligohen apo vullnetarisht zgjedhin të regjistrohen për TVSH, kërkesën për regjistrim, do ta parashtrojnë përmes Sistemit Elektronik EDI.
“Pasi të parashtrohet kërkesa nga ana e tatimpaguesit, sistemi do të bëjë verifikimin e të dhënave të tatimpaguesit. Vetëm për tatimpaguesin që plotëson të gjitha kriteret për Regjistrim në TVSH, regjistrimi do të bëhet në mënyrë elektronike”, ka njoftuar ATK.
Në momentin e regjistrimit të tatimpaguesit për TVSH, tatimpaguesi pranon mesazhin, me të cilin njoftohet se regjistrimi ka përfunduar me sukses dhe njëherësh pranon edhe numrin e gjeneruar të TVSH-së.
Po ashtu, në mënyrë elektronike, tatimpaguesi njoftohet se Certifikatën e TVSH-së duhet ta tërheq në zyrën përkatëse të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve. /Telegrafi/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.