Fatkeqësitë e ditëve të fundit kanë shkaktuar një tension shumë të madh te gjiganti europian i infrastrukturës.Shkalla dhe kompleksiteti i kontratave të saj të koncesionit mund ta shpëtojnë Atlantian nga dëmtimet e mëtejshme
Prokurorët janë ende duke hetuar në lidhje me shkaqet që çuan në rrëzimin e urës në Xhenova më 14 gusht, si pasojë e së cilës u vranë 43 vetë. Autostrade per l’Italia, kompania që menaxhon urën, si dhe gjysmën e rrugëve me pagesë të Italisë, ka kohë deri në fillim të këtij muaji për të provuar se kishte kryer sipas të gjitha parametrave mirëmbajtjen teknike të urës, shkruan The Economist. Nëse ajo nuk arrin që ta provojë këtë gjë brenda afatit të caktuar, atëherë ajo mund të humbasë të gjitha koncesionet e asaj rruge në vend.
Kjo fatkeqësia e ka lënë Atlantia, kompaninë që zotëron Autostrade per l’Italia, në një pozitë aspak të sigurt. Që prej 14 gushtit, datë në të cilën u rrëzua edhe ura në Xhenova, çmimi i aksioneve të saj ka rënë me 27%. Humbja e koncesioneve të rrugëve italiane, do ta çonte atë pastaj drejt falimentimit. Në gjysmën e parë të vitit 2018, Autostrade per l’Italia, gjeneronte pothuajse dy të tretat e fitimeve të Atlantias, në një vlerë prej 1.7 miliardë eurosh (2.1 miliardë dollarësh amerikanë).
Shteti ia shiti kompaninë Autostrade per l’Italia në vitin 1999, një entiteti që më vonë u bë Atlantia, në një kohë kur Italia duhej të reduktonte borxhin e saj publik, kusht i domosdoshëm për të hyrë në Eurozonë. Në vitet pasuese, aksionet e Atlantias e kanë tejkaluar shumë më tepër tregun e fjetur të aksioneve të Italisë.
Kthimet në vlera të larta i lejuan kompanisë të përvetësonte aeroportet në Itali dhe Francë; rrugët me pagesë në Amerikën Latine, Poloni dhe Indi; dhe një pjesë prej 15.5% në Eurotunnel. Në mars të këtij viti, ajo ra dakord të blinte Abertis, një rival spanjoll, në një marrëveshje që do të krijonte operatorin më të madh të rrugëve në botë. Por autostradat italiane kanë qenë burimet kryesore të fitimeve të Atlantias.
Sipas Standard & Poor’s, pasi blerja e Abertis të përfundojë, marrëveshje në të cilën mesa duket nuk ka ndikuar fatkeqësia e ndodhur në Xhenova, asetet italiane do të vazhdojnë të kontribuojnë me një të tretën e fitimeve të grupit. Nëse Atlantias do t’i hiqeshin të gjitha këto koncesione, atëherë Autostrade per l’Italia do të ndikonte vetëm në pakësimin e të ardhurave të saj dhe nuk do të konsiderohej më si motori i saj i veprimit.
Autostrade per l’Italia thotë se do të arrijë të provojë brenda afat të caktuar se ka vepruar sipas të gjitha kushteve të duhura teknike të mirëmbajtjes.
Luigi Di Maio, zëvendëskryeministri dhe kreu i Lëvizjes populiste Pesë Yjet, ka thënë se ura duhet të rindërtohet nga një kompani shtetërore. Ai gjithashtu dëshiron që kompania Autostrade per l’Italia të kalojë sërish në pronësi të shtetit.
Por kthimi në pronësi të shtetit është një mundësi shumë e largët. Partnerët e koalicionit të z. Di Maio të Ligës së Veriut nuk janë të bindur. Heqja e koncesionit është gjithashtu më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u zbatuar në praktikë. Sipas analistëve nëse kjo gjë do të realizohej, Autostrade per l’Italia do t’i jepej e drejta për të kërkuar një kompensim nga 10 deri në 15 miliardë euro.
Kontratat bujare i japin kësaj kompanie të drejtën e kompensimit, në vlerën të barabartë me atë të marrëveshjes, e cila skadon në vitin 2042, pa përfshirë këtu edhe penalitetet deri në 10%, edhe në rast se Autostrade per l’Italia vërtetohet se nuk ka përmbushur detyrimet e saj. Vlera konsiderohet e lartë nga qeveria italiane, nëse merret në konsideratë edhe niveli i saj i lartë i borxhit publik. Shkalla dhe kompleksiteti i koncesionit të Autostrade per l’Italia është shumë e vështirë për t’u zbuluar, sepse i gjithë rrjeti i saj është i përfshirë në një kontratë të vetme, dhe në rast se asaj i hiqen koncesionet, ajo ka të drejtë të kërkojë kompensimin e mësipërm.
Anëtarë të tjerë të qeverisë kanë qëllime të ndryshme nga ato të z. Di Maio. Giuseppe Conte, Kryeministri i vendit është njëri prej tyre dhe kërkon që Autostrade per l’Italia të marrë përsipër përgjegjësinë e këtij rasti, duke ndihmuar në vlera monetare kundrejt familjeve të viktimave, për të strehuar të zhvendosurit dhe për të ndërtuar një urë të re. Padyshim që Autostrade per l’Italia do të paguajë një çmim shumë të lartë për fatkeqësinë e ndodhur, por ajo mund ta mbajë të paprekur biznesin e saj.