Bota sot gjendet përballë kërcënimit të ngrohjes globale, dhe është pikërisht kjo arsyeja se pse studiuesit duan të dinë nëse ka pasur edhe në të shkuarën të tilla periudha mbi rruzullin tonë. Për këtë na vjen në ndihmë atlasi i rrathëve të pemëve për botën antike, i cili na ofron të dhëna qysh nga nisja e epokës sonë.
Shkencëtarët kanë gjetur kështu një rrugë, që të paktën të rikonstruktojnë gjendjen e 2000 viteve të fundit mbi Tokë në lidhje me kushtet atmosferike e kësisoj ndryshimeve klimaterike.
Me këtë synim, ata kanë vëzhguar me kujdes rrathët vjetorë të pemëve dhe kanë ndërtuar pas tyre, harta të mirëfillta, sipas të cilave dëshmohet, se sa e thatë apo e lagësht për shembull, ka qenë vera në një vit të caktuar.
Nën drejtimin e Edëard R. Cook nga Universiteti i Shtetit të Kolumbias (në Nju Jork, SHBA) bjë ekip kërkuesish ka përpiluar një atlas të tillë të formësuar nga harta të tilla për të ashtuquajturën “Bota Antike” në kontinentet: Europë, Afrikë, si dhe në rajonin e Lindjes së Mesme. Për këtë Cook dhe kolegët e tij nuk kanë marrë në shqyrtim vetëm rrathët vjetorë të pemëve, por edhe të dhëna të panumërta rrathësh pemësh të fosilizuara.
Pikërisht në revistën shkencore “Science Advances”, ata shkruajnë se analizat e tyre dëshmojnë thatësirat e mëdha të viteve 1540, 1616, 1893 dhe 1921. Për më tepër gjetjet e Cook dëshmojnë edhe për periudhat ekstremisht të lagështa kohore të viteve 1315 deri në 1317 që kanë shkaktuar krizën më të madhe të urisë në Europë për periudhën e Mesjetës.
Një krahasim me atlasët për Amerikën Latine e Azinë dëshmoi veç të tjerash se mes shekujve të 11 dhe mesit të shekullit 15, ka pasur qartësisht periudha më të gjata thatësire sesa në shekullin e njëzetë.
Arsyeja se përse kjo ka mundur të ndodhë në mënyrën e paraqitur, shkencëtarët thonë se akoma nuk dinë ta shpjegojnë. Gjithsesi në mbyllje ata shkruajnë se atlasi i ri jep të dhëna që thjeshtojnë gjetjen e arsyeve për të tilla periudha thatësirash vdekjeprurëse.