Emmanuel Macron po “forcon” rregullat mbi emigracionin dhe azilin
Shumë pak para agimit, një radhë e gjatë emigrantësh është formuar përpara zyrës së emigracionit, shkruan The Economist.
Aplikantët, kryesisht meshkujt, presin në heshtje përpara kësaj zyre me xhaketat e tyre të mbërthyera deri në fund si një mburojë ndaj të ftohtit acar. Kuti kartoni të grisura dhe të vendosura përtokë zëvendësojnë shtretërit për të gjithë ata persona që janë në radhë. Të gjithë të grumbulluar pranë kanalit aty pranë, krijojnë imazhin e një tabloje me ngjyra shumë të ftohta.
Një burrë i gjatë nga Nigeria, me disa letra në dorë, thotë se po bën thirrje kundër refuzimit të tij të parë për të marrë azilin në këtë shtet, duke thënë se quhet Michael Emmanuel, njësoj si Presidenti Macron. “Unë erdha këtu përpara se z. Macron të zgjidhej dhe e di se ai do të veprojë njësoj si kancelarja gjermane Merkel, do t’i hapë kufijtë për ne”, shpjegon burri nga Nigeria.
Në vitin 2017, një numër rekord prej 100,000 personash kërkuan azil në Francë. Edhe pse kjo shifër ishte vetëm sa gjysma e azilkërkuesve në Gjermani, në Francë ajo shënoi rritje prej 17% në krahasim me vitin e kaluar.
Shumë emigrantë e përdorën Francën edhe si një vend kalimi për të shkuar më pas në Gjermani, Suedi apo Angli. Në një moment të vështirë të 2015-s, kur Gjermania hapi dyert e saj për të mirëpritur një fluks emigrantësh nga Siria dhe Iraku, autoritetet franceze dërguan shumë punonjës socialë në Mynih në përpjekje për të marrë me vetë një numër të konsiderueshëm të këtyre emigrantëve në Francë. Por ata u kthyen me vete me një numër më të vogël emigrantësh në krahasim me atë që kishin parashikuar.
Në ditët e sotme, situata nuk është e njëjtë me atë të para disa viteve. Një numër në rritje aplikantësh për azil, të udhëhequr kryesisht nga shqiptarët, afganët, apo ata që vijnë nga Haiti apo Sudani, po ushtrojnë presion në sistemin e përzgjedhjes së aplikantëve dhe sidomos për të prishur unitetin e partisë qeverisëse të z. Macron.
Gjatë fushatës së tij, për kënaqësinë e liberalëve, z. Macron deklaroi se znj. Merkel kishte “shpëtuar dinjitetin kolektiv të Europës”, duke hapur dyert e shtetit të saj dhe duke mirëpritur një numër të madh emigrantësh nga shtete të ndryshme.
Edhe gjatë luftës kundër ultranacionalistes, Marine Le Pen, z. Macron e përsëriti disa herë dhe duke i dhënë një rëndësi të veçantë çështjes së kufijve të hapur, si përgjigjja më humane që mund të jepej ndaj azilkërkuesve. Por, pas ardhjes në pushtet, ai duket se po e shtrëngon dhe po i forcon gjithnjë e më shumë procedurat dhe rregullat në këtë drejtim, të cilat do të bëhen publike muajin e ardhshëm. Në këtë situatë, qeveria e z. Macron po akuzohet për tradhti ndaj këtyre parimeve që premtoi gjatë fushatës.
Edouard Philippe, Kryeministri i qendrës së djathtë të Francës, thotë se projektligji do të ndihmojë në përshpejtimin e procedurave të azilit, në përmirësimin e kushteve në qendrat pritëse dhe në forcimin e efikasitetit të rregullave mbi emigrantët e jashtëligjshëm. Megjithatë, kritikët e qeverisë e dënojnë atë si autoritare dhe aspak liberale. Për shembull, një masë që do të shqyrtohet, do të zvogëlojë nga një muaj në 15 ditë afatin për paraqitjen e ankesës kundër refuzimit të dhënies së azilit.
Një masë tjetër do të rrisë periudhën maksimale të paraburgimit për emigrantët e paligjshëm nga 45 ditë në 90. Në dhjetor, organizatat bamirëse të refugjatëve u zemëruan kur qeveria urdhëroi regjistrimin e emigrantëve në qendrat e pritjes emergjente. “Jo të gjithë të huajt në Francë janë terroristë, jo të gjithë të huajt në Francë duan të përfitojnë më kot”, deklaroi Sonia Krimi, deputete nga partia qeverisëse e z. Macron, La République en Marche.
Për të drejtuar një rebelim brenda partisë qeverisëse, e cila mbetet një lëvizje e lirshme e qendrës së shumicës së deputetëve kryesisht me mandatin e tyre të parë, qeveria ka filluar zhvillimin e një sërë takimeve me ta, për të shpjeguar kontekstin në një këndvështrim më të gjerë. Vitin e kaluar, numri më i lartë i azilkërkuesve në Francë ishte nga Shqipëria, një vend që tashmë konsiderohet më i sigurt në krahasim me shumë vende të tjera.
Në një deklaratë për shtyp, një prej mesazheve më të fundit të z. Macron për vitin e ri ka qenë zbatimi i “detyrës morale dhe politike” të Francës, për të vepruar si një vendstrehim për të gjithë ata që vërtet largohen nga vendi i tyre për një jetë më të mirë. Por ai shtoi se, “me gjithë dëshirën tonë, ne nuk mund t’i mirëpresim të gjithë ata që mund të duan të vijnë në vendin tonë”.
Pas përfundimit të udhëtimit në Kinë, z. Macron ka planifikuar edhe shumë takime në shtete të ndryshme për të parë lëvizjet dhe flukset e emigrantëve. Duke qenë se pjesa më e madhe e anëtarëve të partisë së tij janë marrë më përpara me punë, kryesisht humanitare, vendosja e barrierave kufitare dhe dhënia e azilit ndaj një numri të kufizuar personash, është një mesazh i vështirë për t’u dëgjuar.