Dinamike përpara, klasike anash, moderne në pjesën mekanike. Seria e re e Audi A4 po përgatitet të luajë letrat e saj në një segment që duket sikur po ringrihet në këmbë me ngadalë
Modeli që u prezantua në Sallonin e fundit të Frankfurtit dhe do të dalë në shitje në fund të vitit, nuk mund të quhet ende si një model “i kthesës”. Në kuptimin që nuk i përgjigjet ende, ose të paktën jo plotësisht, elementëve estetik të diktuar për Audin nga Përgjegjesi i ri i Stilit, Mark Lichte, i cili pasoi Wolfgang Egger vitin e kaluar. Është më shumë një “A4 e plotësuar”: kjo do të ishte shprehja më e saktë për kursin stilistik aktual.
Sigurisht që është më e re në shpirt se në “veshje”. Platforma është ri ndërtuar nga e para. Gjithnjë me motor gjatësor, si modeli aktual, por e risistemuar. Është sërish platforma MLB, që ka debutuar në fillim të vitit tek Q7 dhe që atëherë e në vazhdim do të fillojë të shpërndahet, me rregullimet e duhura në përmasa, edhe tek modelet e reja: në fillim tek A4, pastaj A5 (të cilën duhet ta shohim në Sallonin e Detroidit në janar 2016).
Për A4, natyrisht, nuk ka njoftime zyrtare nga ana e prodhuesit. Atë që dimë e kemi mbledhur nga burime konfidenciale. Teknikisht është gjenerata e pestë, edhe pse do të ishte më korrekte të konsiderohej e treta, pasi modeli i vitit 2004 ishte më shumë një ristilizim i thellë i modelit të vitit 2000. Kjo të bën të mendosh se A4 e re është në realitet seria e katërt. Por gjithsesi: në Audi e quajnë të pestën, e pesta qoftë.
Në planin estetik, karakterizohet nga një grilë me shtrirje më horizontale, me kënde që shtyhen më shumë drejt pjesës së jashtme. Fenerët kanë një formë të re, jo më në formë drejtkëndore por më të çrregullta, si një L e përmbysur. Linjat anësore janë shumë të spikatura, sipas një tendence të filluar me A3 e fundit dhe të vazhduar me modelet e tjera të grupit, nga Volksëagen Passat tek Skoda Superb. Spoileri i vogël, i integruar në profilin e bishtit, është më i lartë dhe më i rrumbullakosur se ato aktualet.
KËNAQËSI NË TIMON
Megjithatë, nëse dizajni ka evoluar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për performancën dinamike. Këtë e mbështet vetë shefi i zhvillimit teknik, Ulrih Hackenberg, i cili ka deklaruar kohët e fundit që hapi i madh përpara për këtë makinë do të jetë aftësia e drejtimit. Përfitimet duhet të ndihen mbi të gjitha në zhdërvjelltësinë dhe reagimin e timonit. Sipas Hackenberg, progresi që do të ketë me adoptimin e platformës së re MLB, do të jetë e krahasueshme me hapin e kryer nga Golf dhe Audi A3 kur, me gjeneratat e fundit, adoptuan platformën MQB në vend të platformës së mëparshme. Në këtë mënyrë, MLB do të kursejë edhe peshë, falë kombinimit të çelikut me rezistencë të lartë dhe aluminit. Sa? Është shpejt të thuhet, por të paktën rreth njëqind kg sot nuk i mohon asnjeri.
Suspensionet do të jenë sërish multilink, edhe pse të rishikuara në gjeometrinë e tyre (me kërkesë, në modelet top, ofrohen edhe pneumatike). Sipas versioneve, piloti mund të zgjedhë modalitete të ndryshme drejtimi, që nënkuptojnë reagime të ndryshme të timonit, motorit, kambios dhe amortizatorëve.
MBËRRIN VERSIONI PLUG-IN
Për motorët me benzinë dhe diesel është parashikuar çiftimi me kambion manuale me gjashtë marshe dhe me automatiken S-Tronic, që për këtë rast duhet të jetë me nëntë raporte, ndërsa është shumë në dyshim mbijetesa e kambios multitronic (CVT). Mbahet premtimi për të prezantuar një variant hibrid plug-in për çdo model Audi – me gjeneratën e pestë të veturës A4, iu bashkangjit për herë të parë motorëve me djegie të brendshme një version e-tron, i cili shfrytëzon të njëjtën skemë “motor benzine – njësi elektrike” të modelit A3 Sportback hibride. Megjithatë, është në fazën e zhvilllimit edhe një version plug-in me naftë.
Edhe në kabinë duhet parashikuar një hov i madh përpara në krahasim me gjeneratën aktuale. Edhe këtu, jo shumë në aspektin estetik, që konfirmon sërish të njëjtën gjuhë stilistike, por duke e çuar një nivel më lart në aspektin e thjeshtimit të komandave dhe linearitetit të sipërfaqeve. Ndryshimi më i madh do të jetë në thelb. Detyra për të mahnitur, apo për të kënaqur (nëse preferoni kështu), i është besuar gjeneratës së dytë të platformës elektronike MMI, pjesa më e dukshme dhe mbresëlënëse e së cilës është i ashtuquajturi “virtual cockpit”, që debutoi tek Audi TT dhe nga ajo migroi edhe tek Q7 e re. Shkrutimisht, kuadri i instrumenteve ndërron pamje sipas funskioneve të kërkuara: një herë simulon një xhiromatës analogjik, në një moment tjetër shfaq të dhënat teknike të mjetit ose projekton navigatorin satelitor në gjithë ekranin, ndërkohë që xhiromatësi zvogëlohet duke zënë vend në pjesën e poshtme të ekranit. Ndërlidhja realizohet nëpërmjet Google Android Auto dhe Apple CarPlay. Në pritje të ngarjes autonome të makinës, A4 ofron një mori me sisteme elektronike ndihmëse për shoferin, përfshi edhe asistencën në trafik, që ka debutuar tek Q7.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.