I prezantuar vetëm në versionin me pesë dyer, ky koncept hibrid plug-in i Audi mund të jetë një nga modelet hibride elektrike më të mira që kemi parë. Në shitje në fund të vitit për një çmim që fillon nga 37.000 euro
Ndonjëherë teknologjia më e mirë është ajo që fshihet nën atë që është e dukshme. Një shembull perfekt i kësaj është edhe prototipi A3 e-tron, i prezantuar nga Audi. Ndërkohë që automjetet elektrike si Cadillac ELR dhe BMW i3 të japin ndjesinë e një automjeti të së ardhmes, prototipi i propozuar nga Audi është shumë i ngjashëm me modelin A3 tradicional. Pas disa momentesh në timon e harron që po drejton një makinë elektrike dhe thjesht shijon udhëtimin.
Versioni “normal” i Audi A3 ofrohet në versionet me katër dyer (veturë), cabrio, versioni Sportback (me pesë dyer), si dhe versioni coupé (me tre dyer). Për konceptin hibrid elektrik A3 e-tron (e-tron do të jetë sigla e gjithë mjeteve elektrike të prodhuara nga Audi ) është zgjedhur varianti i karrocerisë me pesë dyer. Kjo makinë përdor një version të përmirësuar të motorit të mirënjohur 1.4 TFSI me 150 kf, të përdorur nga shumë modele të grupit Volkswagen. Ky motor është kombinuar me një kambio sekuencial e-S-Tronic me 6 raporte, i cili përfshin në brendësi të tij edhe një motor elektrik prej 75 kW. Kësisoj, i gjithë sistemi prodhon një total prej 204 kuaj fuqi dhe një moment përdredhës prej 350 Nm. Kjo mjafton që të arrish 100 km/h në vetëm 7.6 sekonda. Me qëllim që të ruajë zhurmën në minimum tek e-tron, Audi ka përdorur materialet izoluese akustike më efikase, që përdoren edhe në versionin me naftë të A3.
Paketa e baterive me jone litiumi prej 8.8 kWh e prodhuar nga Panasonic, është vendosur në një vend të izoluar prej alumini, e mbrojtur nga një pllakë prej fibrash karboni. Ajo është instaluar nën dysheme, në të njëjtin vend në të cilin ndodhet serbatori në versionet konvencionale. Ndërkohë, serbatori i reduktuar prej 40 litrash do të vendoset nën planin e ngarkesës së bagazhit. Falë këtij kombinimi, makina mund të sigurojë një autonomi prej 40 km në modalitetin tërësisht elektrik dhe deri në 1.000 km në operimin hibrid. Bateria kërkon rreth 2 orë për t’u karikuar plotësisht në një rrjet prej 240 Volt. Të gjitha pajisjet shtesë të teknologjisë hibride të pranishme në këtë makinë e shtojnë peshën e makinës me rreth 300 kg, që përkthehet në një peshë të përgjithshme prej 1.580 kg për A3 e-tron. Fatkeqësisht, elementët e sistemit të ri hibrid nuk lejnë vend të mjaftueshëm për adoptimin e sistemit quattro. Kështu, të gjitha versionet e A3 e-tron do të kenë vetëm rrota të para aktive.
Përcjellja e fuqisë dhe e momentit përdredhës të motorit elektrik kalon nëpërmjet transmisionit, ndaj në çdo ndërrim raporti do të vëreni një rritje të përkohshme të shtytjes. Në kombinim me motorin termik, fuqia në dispozicion rritet, duke u bërë me të vërtetë zbavitëse. Madje, kjo është edhe pjesa më e mirë e e-tron: në timon e saj ndihesh si në çdo A3 tjetër. Nëpër kthesa makina ruan qëndrueshmërinë, ju fal siguri dhe shumë kënaqësi. Ky mund të jetë një nga modelet elektrike më të arritura.
Ju do pyesni kush është veçantia më e madhe e A3 e-tron? Shtyni anash logon me katër unaza në pjesën e përparme të makinës dhe hapet një portë për karikimin elektrik të baterisë. Ndoshta është vendosja më e veçantë e portës elektrike ndër të gjitha makinat elektrike. Ashtu si për shumë makina elektrike të momentit, Audi do të prezantojë një aplikacion të posaçëm për të përzgjedhur opsionet e kabinës dhe ku mund të kontrollohet koha e mbetur e karikimit dhe të verifikohen shumë të dhëna të tjera mbi aspektin teknik të makinës. Audi A3 e-tron pritet të dalë në shitje në Evropë në fund të këtij viti.
Diçitura:
222 km/h dhe konsum mesatar prej 1.5 l/100 km
Me një peshë prej 1.580 kg, A3 Sportback e-tron arrin 222 km/h, me një përshpejtim nga 0-100 km/h për 7.6 sekonda. Kambio është një sekuencial e-S-tronic me 6 raporte, i zhvilluar posaçërisht për këtë version. Por detaji më interesant është ai i konsumit mesatar të karburantit, që ndalet në vetëm 1,5 l/100 km, me emetime të CO2 të barabarta me 35 g/km. Kjo arrihet falë mundësisë së përshkimit deri në 50 km dhe në shpejtësi deri në 130 km/h duke përdorur vetëm motorin elektrik. Dy njësitë motorike veprojnë së bashku kur ka nevojë për më shumë fuqi, por çaktivizohen të dy në fazën e lëshimit të gazit
Portë karikimi nën unaza
Shtyni anash logon me katër unaza në pjesën e përparme të makinës dhe hapet një portë për karikimin elektrik të baterisë. Ndoshta është vendosja më e veçantë e portës së karikimit ndër të gjitha makinat elektrike
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.