Flet drejtorja e Programacionit në Top Channel, Vjollca Dedei
Një treg i vogël si Shqipëria ka një ofertë të madhe sa i përket numrit të televizioneve e për rrjedhojë, edhe programacionit. I gjen të gjitha nga televizionet e dedikuara vetëm ndaj muzikës deri tek ato të dokumentarëve.
Për televizionet gjeneralistë, tregu është bërë më i vështirë, sepse edhe audienca po bëhet më përzgjedhëse. Drejtorja e Programacionit në Top Channel, Vjollca Dedei, konfirmon pikërisht këtë tendencë të audiencës, që kërkon gjithmonë e më shumë prodhime cilësore, çka nxit edhe televizionet të jenë më të kujdesshme në atë që servirin.
Presioni i audiencës përzgjedhëse duket se është veçse pozitiv, pasi ka një angazhim të madh të televizioneve për të plotësuar kornizat e tyre me atë që mungon apo evoluon.
Cilat janë disa nga programet e reja që i shtohen ekranit të Top Channel dhe audienca që synohet të arrihet përmes tyre?
Top Channel ruan një ekuilibër të mirë midis programeve informative dhe atyre argëtuese, si dhe prodhimet të Top Channel, në raport me prodhimet e huaja, në përpjekje për të fituar një audiencë sa më të gjerë, të të gjitha target grupeve. Në këtë frymë kemi programuar nga e hëna në të enjte transmetimin talk show “Top Story”, i cili sjell temat më të nxehta të aktualitetit.
Por ndërkohë, në fundjavë kemi të programuara show të argëtimit në zhanre të ndryshme si Cabaret show “Portokalli”, show i argëtimit “Top Show Magazine”, Game show argëtues “Shiko Kush Luan në Top Channel”, show-n argëtues “VIP në Shtëpi”, game show “100 Milionë”. Gjithashtu, programimi ynë ka ndryshuar me një fokusim të kujdesshëm në programet e mbrëmjes së herët që fillon në orën 22:15, i cili është më i konsoliduar me show dhe seriale premierë të suksesshëm.
Me këtë programim, synojmë audiencën që kërkon politikën, audiencën që mezi pret të argëtohet me show-t e zhanreve të ndryshëm, aq mirë të prodhuara nga Top Channel, audiencën e filmave dhe serialeve, audiencën e të rinjve me një program te rikonceptuar “Pop Culture” si dhe “Top List”, me programe familjare të mëngjesit e të pasdites.
Programet e reja që i shtohen programacionit tonë janë:
1. Show “Shiko Kush Luan në Top Channel”
2. Show “VIP në Shtëpi”
3. Show i talentit “The Voice Kids”, sezoni 2
4. Show “Dua të të bëj të Lumtur”, sezoni 2
5. Reality Show “Big Brother VIP”
6. Game Show “100 Milionë”
7. Programi për të rinj “Pop Culture”
dhe disa të tjera surprizë…
Cilat do të jenë programet ekzistuese dhe a do të ketë modifikime të tyre?
Programet ekzistuese që do të vazhdojnë me sukses në TCH janë: Wake Up, Në Shtëpinë Tonë, Pasdite në Top Channel, Fiks Fare, Top Story, Procesi Sportiv, Top Show, Top Show Magazine, Gjurmë Shqiptare, Top List, Exclusive, Portokalli.
Është normale dhe logjike që programet ekzistuese të transformojnë dhe të rrisin veten nga viti në vit. Një vit ka disa tendenca të kërkuara nga audienca dhe këto ndryshojnë nga viti në vit dhe ne ecim me hapin e kërkesave të audiencës duke i udhëhequr ata, përndryshe programet kthehen në një rutinë të mërzitshme. Kështu ka ndodhur me Wake Up, Në Shtëpinë Tonë, Top Show, Top Show Magazine, Pasdite në Top Channel, etj.
Nga të dhënat që keni, si e shihni sot audiencën shqiptare, ku po orientohet më shumë?
Për sa i takon audiencës shqiptare, preferencat anojnë më shumë për programet argëtuese, duke u ndjekur nga programet politike. Ndërsa në lidhje me zhanret, ka një përqindje të konsiderueshme që pëlqejnë melodramat e huaja apo qoftë dhe prodhime vendase të kësaj fryme. Është gjithnjë në rritje përqindja e shikuesve më sqimatare, në kërkim të prodhimeve më cilësore.
Prodhime tuajat apo blerje?
Top Channel ka tendencën të prodhojë më shumë se sa të blejë programe të gatshme. Shikuesit i pëlqen më shumë të shohë në ekran problemet e veta, dramën dhe emocionet shqiptare. Në Top Channel, dominon blerja e formateve si një garanci për prodhimet tona të suksesshme, të zhanrit argëtues kaq shumë të ndjekur nga audienca shqiptare.
Cilat janë disa nga blerjet më të mira për të cilat keni arritur të mbyllni kontratat?
Janë pothuajse kontrata të mbyllura formatet e blerë për show-un e talentit “The Voice Kids”, game show “The Money Drop/100 Milionë”, reality show “Big Brother VIP”, etj. Ndërkohë Top Channel është një frekuentues i rregullt i tregjeve të shitblerjes së programeve televizive e kinematografike; aktualisht do të jetë prezent në MIPCOM, Kanë, i konsideruar më i madhi në këtë lloj, për t’u njohur dhe për të blerë prodhimet e formatet më të fundit dhe më të suksesshëm në tregun botëror. Në lidhje me blerjet e filmave artistikë e serialë, po punohet për një paketë të plotë të re me filma seriale si “Gomorrah”, “Empire”, “Billions”, etj., si dhe vazhdimësinë e sezoneve të reja të serialeve “Homeland”, “Amerikanet”, “Downton Abbey”, “Skuadra Antimafia”, “Ndër e respekt”, etj. Por nuk mund të mos përmendim një listë të gjatë të filmave artistike më të vlerësuar nga kritika botërore.
Si është qasja e biznesit në aspektin e marketingut e lidhur me programet specifike, ku preferojnë të reklamojnë?
Ka disa lloje qasjesh të biznesit. E para ka të bëjë me fashën e orarit që natyrisht dominon prime time. E dyta ka të bëjë me cilësinë e shikueshmërinë e programit. E treta ka të bëjë me produktin që kërkon të reklamosh në varësi të audiencës që ndjek programin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.