Auditimi i energjisë, mundësitë dhe sfidat e vënies në praktikë

08/05/2018 9:54 AM 0 komente

Si palë kontraktuese e Komunitetin e Traktatit të Energjisë, vendi ka ndërmarrë një sërë reformash të detyrueshme për zbatimin e legjislacionit përkatës të BE-së lidhur me direktivat për shërbimet energjetike, eficencën energjetike, informimin dhe etiketimin e pajisjeve, etj.

 

Nga Dr. Lorenc Gordani*

 

Nga viti i largët 1991, vendi ka kërkuar të bëhet pjesë e zhvillimeve ndërkombëtare që shikojnë sektorin e energjisë, duke u angazhuar në Organizatën e Kartës së Energjisë. Pjesëmarrje që në vitin 1997, solli ratifikimin e protokollit mbi eficencën e energjisë dhe aspekteve të tjera lidhur me sektorin e mjedisit. Kështu, në përmbushje të angazhimeve të saj, Shqipëria vuri në zbatim rishikimin e politikave dhe kuadrit ligjor mbi eficencën e energjisë në vitet 2002, 2005 dhe 2007.

Megjithatë, rol vendimtar lidhur me reformat e sektorit të energjisë dhe të eficencës në veçanti, ka pjesëmarrja në Komunitetin e Traktatit të Energjisë (TKE) të Vjenës. Angazhimi siguron një kuadër politik për harmonizimin e legjislacionit për eficencë të njëjtë me atë të vendeve të tjera evropiane, ende pa u bërë pjesë e BE-së. Si palë kontraktuese e TKE-së, vendi ka ndërmarrë një sërë reformash të detyrueshme për zbatimin e legjislacionit përkatës të BE-së lidhur me direktivat për shërbimet energjetike, eficencën energjetike, informimin dhe etiketimin e pajisjeve, etj.

Pavarësisht angazhimeve politike të mësipërme, njëkohësisht duhet kuptuar se eficenca energjetike ka potencial në vetvete që sjell përfitime direkt për konsumatorët, duke zvogëluar emetimet dhe duke rritur sigurinë e furnizimit. Sa këtu, bashkuar me detyrimet ndërkombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm bëhen stimuj të mjaftueshëm të politikave të eficencës së energjisë. Politika që për më shumë lidhen edhe me konkurrencën, punësimin, komfortin dhe ndryshimin e klimës, duke siguruar stimuj të mëtejshëm për sektorin e eficencës në nivel rajonal, kombëtar dhe lokal.

Këto procese nuk kanë nevojë për investime intensive dhe në qendër kanë kontributin që vjen nga figurat profesionale si ajo e audituesit të energjisë të licencuar si person fizik ose juridik, për të ushtruar profesionin e lirë, apo menaxherit të energjisë e shoqërive të shërbimeve energjetike. Aktivitet auditues që është i detyrueshëm për konsumatorët e mëdhenj të energjisë, për objektet e reja apo ndërtesat ekzistuese që i nënshtrohen rikonstruksionit, apo të gjithë subjektet që aplikojnë për një program të financuar nga Fondi për Eficencën e Energjisë.

 

Si do të zhvillohen auditimet

Sipas parashikimeve të ligjit mbi eficencën, auditimet do zhvillohen duke u kryer apo duke u përsëritur çdo herë, përpara se një ndërtesë, objekt industrial dhe objektet e tjera që vlerësohen, vihen në punë ose ndërtohen nga e para, apo i nënshtrohen një rinovimi të konsiderueshëm (50% e vlerës). Lidhur me ligjin për performancën në ndërtesa, certifikimi i performancës është i detyrueshëm për të gjitha ndërtesat, të cilat do të shiten ose do të jepen me qira, do të ndërtohen ose rinovohen në mënyrë të rëndësishme (për më shumë se 25% të sipërfaqes), dhe pa dallim nëse janë publike mbi 500 m2 dhe më 9 korrik 2018 duke filluar nga 250 m2.

Siç edhe lidhur me ndërtesat me performancë “afër zero energji”, pritet hartimi i një plani kombëtar për të rritur numrin e ndërtesave me performancë “afër zero energji”. Ky plan, si pjesë e Planit Kombëtar për Zbutjen e Ndryshimeve Klimatike, përcakton objektivat që, pas datës 31 dhjetor 2018, të gjitha ndërtesat e reja, që janë në përdorim nga autoritetet publike (dhe pa dallim të gjitha pas datës 31 dhjetor 2020), duhet t’i përmbahen këtij detyrimi, me objektivin afatmesëm për të rritur performancën e ndërtesave të reja dhe të stokut të ndërtesave ekzistuese.
Në këtë kuadër, aktiviteti i audituesit, pritet të bëhet i zbatueshëm me daljen e akteve normative nga Këshilli i Ministrave lidhur me ligjin për eficencën dhe për performancën në ndërtesa. Pra plotësime që do të duhet të ishin nxjerrë brenda 12 muajve, respektivisht brenda nëntorit 2016 dhe 2017, në bashkëpunim me Agjencinë për Eficencën e Energjisë (AEE).

Megjithatë, mbështetja me akte ligjore dhe financiare deri më sot ka munguar për lançimin (ose më mirë buxhetimin) edhe të vetë AEE, duke penguar koordinimin dhe integrimin e masave në planet sektoriale. Për më tepër, disa masa janë vlerësuar si jo realiste, si për sa u përket afateve të propozuara, ashtu edhe gatishmërisë për t’i zbatuar dhe për t’i monitoruar ato.

 

Vonesa

Aktiviteti i audituesit, pritet të bëhet i zbatueshëm me daljen e akteve normative nga Këshilli i Ministrave lidhur me ligjin për eficencën dhe për performancën në ndërtesa. Pra plotësime që do të duhet të ishin nxjerrë brenda 12 muajve, respektivisht brenda nëntorit 2016 dhe 2017, në bashkëpunim me Agjencinë për Eficencën e Energjisë (AEE). Megjithatë, mbështetja me akte ligjore dhe financiare deri më sot ka munguar

 

Kjo do të thotë që strukturat institucionale kanë nevojë që të zhvillohen, në mënyrë që masat e parashikuara në PKVEE-në e tretë të zbatohen lehtësisht. Në veçanti, ligji për eficencën e energjisë kërkon që Agjencia të hartojë aktet nënligjore që duhen miratuar nga ministri, si dhe standarde dhe rregullore të tjera teknike për eficencën e energjisë, të promovojë dhe të përhapë informacionin rreth programeve, të koordinojë programe trajnimi, të verifikojë auditimet dhe të administrojë gjobat në rastet e shkeljeve ligjore.

Kuadër i cili është kërkuar me ngulm të plotësohet nga organizmat ndërkombëtarë dhe ka parë nisjen që prej një viti të një procesi nga Sekretariati i Energjisë në Vjenë, duke u finalizuar për herë të parë me një masë detyruese më 14 dhjetor 2017. Vendimi imponon përmbushje nga vendi sa më parë të angazhimeve në fushën e eficencës. Pra me gjithë vështirësitë dhe ngecjet e reformës në shumë sektorë, kjo është një fushë që po kërkohet që të hapet me patjetër!

 

Kjo është një fushë që kërkohet me patjetër që të hapet

Në këtë drejtim, për të ndihmuar AEE në lehtësimin e zbatimit dhe monitorimit të veprimeve, si një entitet në varësi të MEI-t, është menduar të ndiqet me bazën e krijuar gjatë dorëzimit të planit PKVEE-së. Kështu Grupi Ndërministror i Punës (GNP) që përfshin ministritë dhe agjencitë kryesore, me MEI-n si entiteti drejtues, krijuar gjatë hartimit të PKVEE-së pritet që të vazhdojë në një formë të ngjashme gjatë zbatimit të tij, duke u takuar të paktën 4 herë në vit.

Me gjithë vështirësitë dhe ngecjet e reformës në shumë sektorë, kjo është një fushë që kërkohet me patjetër që të hapet. E gjitha bën që tashmë është duke ecur me plotësimet me aktet nënligjore, duke parashikuar brenda fundit të këtij viti aprovimin e rregullores mbi kushtet e dhënies së licencës profesionale për audituesit.

Sipas kësaj rregullore, çdo individ apo shoqëri, vendase ose e huaj, për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e auditimit të energjisë, ka të drejtë të paraqesë kërkesën pranë komisionit të posaçëm të dhënies së licencave profesionale mbi auditimin e energjisë apo shërbimeve energjetike për t’u pajisur me licencë profesionale, pasi të ketë plotësuar kushtet që përcaktohen në të.

 

Masat smart

Përveç fondeve për eficencën e energjisë të dobishme për kapërcimin e barrierave të tregut, bëhet fjalë për masa “smart” që do të sillnin, jo vetëm rritjen e rendimentit në përdorimin e energjisë, por mbi të gjitha punësim dhe standarde të larta ekonomike. Së bashku me objektivat e tjerë të zhvillimit të qëndrueshëm (energji të rinovueshme dhe reduktim të emetimeve) do të krijojë kushtet e përfshirjes dhe ofrimin e mbështetjes financiare të domosdoshme nga institutet e kreditimit deri te bankat e zhvillimit për projektet më të rëndësishme infrastrukturore.

 

Shënim: Mendimet dhe opinionet e sa më sipër shprehur i përkasin autorit të tyre.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of