Australian Open, çmimet në rritje: 39 mln euro për Grand Slemin e parë të vitit

17/01/2019 3:20 PM 0 komente

Para tri ditësh nisi Australian Open 2019, turneu i parë Grand Slem për këtë vit. Biznesi i tenisit është gjithnjë e më fitimprurës, siç tregojnë edhe çmimet për edicionin e këtij viti që zhvillohet në Melburn.

Këtë vit, çmimet që do të fitojnë tenistët dhe tenistet janë rritur me 14%, në 39 milionë euro (dyfishi krahasuar me vitin 2014), edhe për ata që eliminohen në raundin e parë kualifikues (9.340 euro, dyfishi krahasuar me 2018); Ata që do të humbin në raundin e parë ose 1/64 e turneut (46.700 euro). Për fituesit në turnetë për meshkujt dhe femrat parashikohen 2,55 milionë euro.

Australian Open po rritet në mënyrë të konsiderueshme, veçanërisht sa u përket fitimeve që vijnë nga sponsorizimet dhe shitja e biletave. Vetëm nga sponsorët, Grand Slemi që zhvillohet në Melburn fiton 65 milionë euro në vit, prej të cilave 10,6 milionë nga sponsori kryesor, Kia; 6,2 milionë euro nga Rolex dhe 4,3 milionë euro nga Anz Banking group.

Në parkun e Melburn, numri i spektatorëve që marrin pjesë është më i madh se ai në turne të tjerë. Në vitin 2018, u shitën 743.667 bileta, që sollën në arkën e këtij turneu rreth 100 milionë euro. Numri i biletave të shitura është më i madh krahasuar me dy Grand Slem-et europiane, Roland Garros në Paris dhe Wimbledon në Londër, me rreth respektivisht 475 dhe 480 mijë spektatorë.

Nëse kur flasim për çmimet, Australian Open u është afruar turneve të tjerë të mëdhenj, edhe sa i përket qarkullimit të përgjithshëm, i është afruar Roland Garros, duke kapërcyer 200 mln euro. Përpjekja është që t’i afrohet niveleve të Wimbledon rreth 260 mln euro dhe US Open në nivelin 300 mln euro.

US Open qëndron në krye sa i përket biznesit, me rreth 300 mln euro të ardhura. Nga të cilat, 105 mln euro vijnë nga të drejtat televizive, 57 mln euro nga sponsorizimet, 105 mln euro nga shitja e biletave, kjo falë 732.663 spektatorëve që ndoqën nga afër edicionin e vitit 2018. 26 mln të tjera vijnë nga shitja e nën produkteve të burimeve të sipërpërmendura.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of