Me vënien në punë të hidrocentraleve të para, investitorët austriakë renditen të dytët për nga vlera e kapitalit privat të “hedhur” në Shqipëri, duke lënë mënjanë një prej partnerëve tanë historikë në investime, Italinë.
Për këtë, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, u janë referuar burimeve zyrtare të Institutit të Statistikave, ndërsa u prezantonin lehtësitë për të bërë biznes në Shqipëri 21 firmave austriake që zbarkuan javës së kaluar në Tiranë.
Kompani me përvojë në fushën e energjisë, në zhvillimin e rezidencave turistike, por edhe në tregtimin e mallrave ushqimore po kërkojnë partnerë në një vend të vogël si Shqipëria, pikërisht 100 vite pas shpalljes së pavarësisë së saj. Studiuesit vlerësojnë rolin e Austro-Hungarisë për arritjen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë (1867-1918) edhe përmes shoqatës austriake “Komiteti për Shqipërinë”, e themeluar në qershor të vitit 1913 në Vjenë. Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, të zbehura gjatë ekonomisë socialiste, rifilluan të vendosen në njëzet vitet e fundit. Interesat ekonomike mbizotërojnë tashmë mbi ato gjeopolitike të një shekulli më parë. Dhe, ndonëse duhet të theksojmë se Shqipëria është një treg i vogël për sipërmarrësit austriakë, të cilët janë të mirëpozicionuar në Europë dhe Amerikë, vendi është bërë interesant vitet e fundit. Efektet e krizës financiare në Bashkimin Europian po nxisin shumë vende (bashkë me to edhe Austrinë) të studiojnë më me vëmendje tregjet në zhvillim, ndërkohë që disa politika lehtësuese që qeveria shqiptare ndërmori kohët e fundit, po tërheqin edhe më shumë interesin e firmave austriake. Ato vlerësuan javës së kaluar vendimet e qeverisë shqiptare për të hequr Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për makineritë (me vlerë mbi 50 milionë lekë) dhe TVSH-në e hekurit e çimentos për ndërtimin e HEC-eve.
Ilir Vangjeli, drejtor i Zyrës Tregtare Austriake në Tiranë, tha për “Monitor” se “interesi i firmave austriake është i fokusuar në sferën e energjetikës. 21 firmat austriake që erdhën në mision biznesi janë të specializuara në energji, elektronikë, ndërtim dhe konsulencë. Prodhues apo tregtarë, ata kanë interes të afrohen me tregun shqiptar”. Duke luajtur rol ndërmjetës mes bizneseve të dy vendeve, z. Vangjeli thekson se, synimi është të bëjmë sa më të njohur tregun shqiptar te firmat austriake.
Ndërsa “bashkatdhetarë” të tyre kanë shkelur më parë në këtë terren, për investitorët e rinj që vijnë nga Austria, rruga është më e lehtë. Mjafton të shohin si kanë ecur firmat austriake në Shqipëri. Shembullin e parë më të madh e gjejnë në sektorin e financave me bankën “Raiffeisen”, ndërsa shembujt më të rinj, po ashtu të rëndësishëm për nga vlera e investimeve, janë vendosur në hidrocentrale. Z. Vangjeli thekson se firmat austriake kanë tashmë shembujt e bizneseve për të cilat Shqipëria rezultoi e suksesshme. Kjo ndodh edhe me kompanitë e ndërtimit, apo ato të konsulenës për biznesin. Ekspertë në fushën e tregtisë vlerësojnë se bashkëpunimi me kompani austriake do të ishte i leverdishëm për bizneset shqiptare që kanë nevojë për më shumë eficencë. Pyetjes se përse shqiptarët duhet të zgjedhin një sipërmarrës austriak për të kooperuar, z. Vangjeli i përgjigjet pa hezitim: “Bizneset austriake janë shumë të vogla dhe të operueshme. Ato janë aktive e serioze në punë, kanë përvojë dhe janë eficente në përshtatjen me kushtet e tregut, çka i bën konkurrente”.
Austria, “pushton” HEC-et
Ndërtimi i dy projekteve të mëdha në sektorin e energjisë bëri që stoku i investimeve private austriake t’i kalojë 15% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte të bëra në vendin tonë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, deri dy vite më parë, këtë peshë e zinin investitorët italianë. Investimet në ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës llogariten 200 milionë euro, ndërsa ato në lumin Devoll arrijnë deri në 900 milionë euro. Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Projekte të tjera janë në negociata të avancuara, ndërsa investitorët austriakë, përmes ekspeditave në Shqipëri janë vënë në kërkim të lumenjve me interes.
Sokol Abazaj, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Biznesit, i cili merret me ndërmjetësimin e sipërmarrjeve austriake në këtë fushë, tregon se veprat aktualisht në negociata me firmat austriake kapin vlerën e 150 milionë eurove. “Jemi duke kooperuar me kompani austriake. Kërkesat janë shumë të mëdha dhe vetëm pak ditë më parë ishim në terren me dy prej tyre, që duan të ndërtojnë HEC-e në Shqipëri. Pamë dy lumenj që mund të merren në konsideratë për këtë investim dhe financimi i tyre mund të arrijë deri në 100 milionë euro”.
Duke pasur parasysh investimet e bëra deri më tani dhe ato në negociata e në prag të përmbylljes së kontratave të investimit, Austria kryeson në investimet për shfrytëzimin e burimeve hidrike në Shqipëri. Është bërë praktikë që puna për ndërtimin e HEC-eve, edhe kur bëhen me kapital tërësisht të huaj, të realizohet nga kompani vendase.
Ndaj, sipas përfaqësuesve të biznesit, heqja e TVSH-së për makineritë si dhe për hekurin e çimenton (këto specifike vetëm për HEC-et) janë avantazhe me të cilat mund të tërhiqen investitorë të huaj, por përfitojnë edhe kompani shqiptare që merren me ndërtimin e këtyre veprave. “Nëse investitorët austriakë do të sjellin anën financiare dhe teknologjinë, sipërmarrjet shqiptare, të cilat merren me ndërtimin, ulin ndjeshëm kostot e ndërtimit, pasi hekuri dhe çimento përbëjnë kostot kryesore të ndërtimit të një HEC-i së bashku me pajisjet teknologjike. Ky është një hap shumë i mirë, sepse i ndihmon ato të forcohen financiarisht”, thonë drejtuesit e shoqatave të biznesit vendas.
Kapitali austriak në HEC-e (i realizuar dhe i pritshëm)
Rreth 1 miliard euro – investimi i realizuar
150 milionë euro – negociatat në prag kontratash
100 milionë euro – shprehje interesi për dy projekte të reja
Burimi: Përfaqësuesit e biznesit austriak
Turizmi mes malit e detit, sipas austriakëve
Dy vendet kanë të përbashkët relievin e thyer dhe askush më mirë se sipërmarrësit austriakë të turizmit malor nuk mund ta zhvillojnë këtë lloj biznesi në vendin tonë. Por, investitorët e këtij vendi po shikojnë të ndërthurin klimën malore, me erën e detit, duke parë me interes projektet e zhvillimit në zonën e bregdetit jugor të Shqipërisë.
Austriakët po shikojnë me interes zonën e Sarandës dhe Vlorës. Bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë tregojnë se për këto projekte janë në fazë negociatash disa kompani.
INSTAT: Investimet, Austria ia kalon Italisë
Që prej vitit të kaluar, Austria vlerësohet të jetë partneri i dytë i Shqipërisë për sa u përket investimeve direkte private. Sipas raportit të fundit të Investimeve të Huaja Direkte, (që vlerëson investimet e realizuara deri në fund të vitit 2010) Austria renditej në vendin e tretë, duke zënë 14% të totalit të stokut të investimeve. Italia ishte vetëm një pikë para saj, me 15% të totalit të stokut të investimeve të realizuara në Shqipëri. Por, kapitali i sipërmarrjeve italiane në vendin tonë vlerësohet të jetë tejkaluar dukshëm nga ai i biznesit austriak. Vetëm për tre vitet e fundit të raportuara (2007-2010), pesha e investimit privat austriak në Shqipëri u rrit me gjashtë pikë përqindje. Në vitin 2007, vetëm 8% e investimeve të huaja vinin nga Austria dhe deri në atë periudhë, kryesonte investimi në sektorin bankar. Prania e këtyre investitorëve në vend u bë e dukshme me blerjen e Bankës së Kursimeve të Shqipërisë nga kompania “Raiffeisen International”, që është banka më e madhe në vend. Në vitin 2009 ajo përbënte 30% të aseteve bankare në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.