Flet Adrian Shehu, Drejtor i Përgjithshëm i Printec Albania
Në tregun bankar pritet që të hyjnë teknologji të reja, të cilat do të përmirësojnë dhe do të lehtësojnë shërbimin. Adrian Shehu, Drejtor i Përgjithshëm i Printec Albania, thotë se automatizimi i degëve të bankave ka ardhur si nevojë e reduktimit të shërbimeve me kosto të lartë dhe se shërbimi i dikurshëm u gjet i vjetruar.
Printec Group është lider në ofrimin e teknologjive në 17 vende në Europën Lindore dhe Qendrore. Cilat janë disa nga teknologjitë, risitë dhe zgjidhjet që ofron ky grup?
Printec është partner strategjik i NCR/ Verifone/Fico-Tonbeler/Namiral. Printec, nëpërmjet partnerëve strategjikë, ka kontribuar në stadet e zhvillimit të inovacioneve në sektorin financiar në Shqipëri, duke iu përshtatur kërkesave të tregut për të vijuar në standardet e kërkuara. Dinamikat e kërkesave të tregut kanë mundësuar aplikimin e teknologjive bashkëkohore, duke e bërë tregun në Shqipëri të jetë në standardet që kërkohet.
Sistemi bankar ka qenë gjithnjë pararojë në zbatimin e teknologjive të reja. Çfarë produktesh të reja do të hyjnë në treg dhe si do t’i lehtësojnë shërbimet për klientin?
Duke konsideruar 2018 dhe vitet më pas, kemi prezantuar produkte të zhvillimeve të reja të teknologjisë, si dhe kemi bërë implementim pilot. Në vitin 2019, këto produkte si ATM NCR SS 80 Series, POS/EFT Verifone Engage, eSignature, Branch Transformation/ Anti money loundrin etj., do të implementohen në disa institucione financiare. Kjo do të shërbejë për një marrëdhënie ndryshe të bankës me klientët.
Ndërkohë jemi duke punuar për të prezantuar dhe për të implementuar koncepte të reja të banking-ut dhe të shitjeve me pakicë, që do të prezantohet në muajt në vijim.
Vendet e zhvilluara po eliminojnë përdorimin e parasë cash. Sa larg këtij realiteti janë vendet EQL dhe Shqipëria në veçanti?
Mijëvjeçari i ri ka sjellë risi e tendenca të reja. Aplikimi i teknologjive dhe programeve softuerë ka ndihmuar institucionet financiare të minimizojnë përdorimin e parasë cash në shumë territore. Qëllimi i reduktimit të cash-it është i lidhur me shumë elemente, të cilat paraqesin kosto të larta operacionale të administrimit. Ndërkohë, dinamika e kërkesave të tregut ka zhvilluar programe e teknologji, të cilat lehtësojnë administrimin dhe kryerjen e pagesave në kohë reale.
Në Shqipëri ka disa vite që ndihet reduktimi i parasë cash, por vijon të punohet nga të gjithë pjesëmarrësit në treg dhe ekonomi, duke investuar në teknologji, të cilat ndikojnë në reduktimin e parasë cash në qarkullim. Megjithatë çështja e parasë cash në qarkullim është edhe çështje psikologjike. Shtresa të ndryshme të shoqërisë sonë janë ende në konceptin e parasë cash. Në njëfarë mënyre, këtë e kanë edhe të imponuar. P.sh. tregu i shitjes me pakicë preferon pagesat cash se sa pagesa alternative. Prandaj duhet kuptuar se çdo hap i hedhur është pozitiv dhe premtues.
Shqipëria ka numrin më të ulët të pajisjeve POS në rajon. Cilët janë faktorët dhe çfarë do ta përmirësonte situatën?
Kjo është e vërtetë, pasi ritmet e rritjes janë shumë të vogla. Ndërkohë duhet shprehur se institucionet financiare kanë investuar shumë në këtë produkt. Mjafton të përmendim faktin se investimi në POS/EFT është bërë nga banka dhe jo tregtari. Pajisjet janë në pronësi të bankës dhe tregtari është thjesht përdorues i tyre. Në shumë raste, alternativa për pagesë nuk ofrohet nga tregtarët. Prandaj kërkohet që edhe tregtarët të ndryshojnë konceptin, pasi kjo alternativë ju shërben më mirë interesave të biznesit të tyre. Kur them këtë, kam parasysh shumë elemente që duhen trajtuar me transparencë e duhet punuar me tregtarët, që të jenë të mirinformuar për shërbimet dhe avantazhet.
Gjatë prezantimit u tha se numri i degëve në Europën Lindore dhe Qendrore ka rënë me 34% në vitet e fundit. Si ka ndikuar automatizimi i proceseve dhe teknologjia në reduktimin e degëve?
Automatizimi ka ulur numrin e degëve të bankës, por në aspektin e shërbimeve me kosto të lartë dhe se shërbimi i dikurshëm u gjet i vjetruar. Kjo nuk do të thotë tkurrje shërbimesh, përkundrazi teknologjitë kanë mundësuar shtrirjen e shërbimeve në shumë pika që konsiderohen si pika shitje. Kjo ndodhi e tkurrjes të kujton Alan Greenspan te libri “Koha e Turbullirave” me shprehjen “…shkatërrimi i krijimit”…
Revolucioni dixhital në bankat shqiptare
Në vitin 2009, ProCredit kishte 867 punonjës dhe 42 degë, sipas statistikave nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Në fund të vitit 2017, numëronte 202 punonjës dhe 7 degë. Banka ka qenë një nga pionieret në automatizimin e proceseve në sektorin bankar shqiptar.
ProCredit vuri për herë të parë në përdorim teknologjinë e fundit, me anë të së cilës kanë arritur të zëvendësojnë tërësisht pozicione pune që merreshin me punë rutinë dhe që nuk kërkojnë një shkallë të lartë përfshirje, si numërim cash-i, apo kryerje detyrash të thjeshta operacionale.
“Përdorimi i teknologjisë na ka dhënë mundësi të shumta për të arritur pritshmëritë tona të biznesit, si përmbushja e nevojave të klientëve tanë me eficencë dhe ofrimi i mundësisë për të përdorur shërbimet bankare 24/7”, thotë znj. Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Bankës ProCredit Shqipëri. Ajo shton se ProCredit, falë përdorimit të teknologjisë, ka automatizuar rreth 99% të transaksioneve të saj, gjë që demonstron qartë fokusin për kanalizimin e transaksioneve në pajisjet elektronike dhe online.
Edhe bankat e tjera po e shikojnë si një sfidë përballjen me ndryshimet teknologjike. “Transformimi ynë dixhital do të vazhdojë përmes ofrimit të më shumë produkteve dhe shërbimeve online, duke i bërë veprimet bankare më të përshtatshme për klientët tanë”, pohon Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri, e dyta më e madhe në vend.
Për z. Maltin Korkuti, drejtori i Credins Bank, sfida teknologjike në shërbimet bankare është e madhe, pasi nuk mjafton investimi, por ka një kontekst rregullator dhe ligjor të ndërlikuar, si dhe një konkurrencë në rritje nga institucionet jo banka. “Por është një domosdoshmëri që brezi aktual konsumator e ka prioritet dhe ne, si bankë, synojmë të propozojmë zgjidhjet tona”, shton ai.
Z. Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania, pohon se në afatin e mesëm, sistemi bankar do të duhet të përballet me Revolucionin Dixhital. “Ne tashmë kemi hyrë në një epokë të re, veçanërisht sa i përket banking-ut me pakicë. Çdo bankë duhet të përditësojë modelin e saj të biznesit, duke pasur parasysh se gjeneratat e reja do të kenë qasje në shërbimet bankare, kryesisht ose vetëm nëpërmjet kanaleve dixhitale.
Është e parashikueshme domosdoshmëria për të rishikuar praninë e rrjeteve fizike dhe integrimi i të gjitha kanaleve dixhitale, në një platformë të vetme, duke u mundësuar klientëve të marrin gjithë shërbimin, duke përdorur një pikë hyrjeje të vetme. Nuk duhet të nënvlerësohet fakti që teknologjitë e reja lejojnë lojtarë të tjerë të hyjnë në arenë. Gjithnjë e më shumë banka do të përballen me kosto jashtëzakonisht të larta për t’u përshtatur me realitetin e ri”, pohon CEO i Intesa Sanpaolo.
I gjithë ky revolucion dixhital pritet që ta bëjë më pak të kërkuar kapitalin human, teksa një pjesë e tij do të zëvendësohet nga automatizimi. Sipas Shoqatës së Bankave, numri i punonjësve në sistemin bankar ishte rreth 6,900 persona në fund të 2017-s dhe ka mbetur pothuajse i pandryshuar në tre vitet e fundit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.