Si po e përdor firma gjermane e tregtisë online, Otto, inteligjencën artificiale. Firma po përdor një algoritëm të dizenjuar për laboratorin e CERN-it
Një pasqyrim mjaft i qartë i së ardhmes së shitjeve me pakicë mund të gjendet në një dyqan të vogël në Hamburg të Gjermanisë. Otto, një tregtar gjerman i shitjeve online, po përdor inteligjencën artificiale për të përmirësuar aktivitetet e firmës së tij, e cila është duke punuar me anë të një teknologjie, shpejtësie dhe saktësie, të cilat i tejkalojnë aftësitë njerëzore të punonjësve, shkruan The Economist.
Të dhënat më të rëndësishme dhe programimi i makinerive kanë vite që përdoren në botën e shitjeve online me pakicë, veçanërisht nga gjiganti i tregtisë online, Amazon. Objektivi kryesor i mbledhjes dhe analizimit të informacioneve të ndryshme është që të arrihet të kuptohen shijet e ndryshme të konsumatorëve, t’u rekomandohen produkte të ndryshme njerëzve dhe të personalizohen faqe online për klientët. Puna e Otto-s veçohet nga të tjerat, sepse ai po automatizon vendime biznesi, të cilat shkojnë përtej menaxhimit të klientëve, ku më e rëndësishmja është ulja e sasisë së produkteve të kthyera nga klientët, të cilat i kushtojnë firmës miliona euro në vit.
Sipas analizave të të dhënave të saj konvencionale, klientët kishin më pak mundësi të kthenin produktet e blera nëse ata do t’i merrnin ato brenda dy ditëve. Por ekziston edhe ana tjetër, ku një konsumator mund ta gjejë të njëjtin produkt me një çmim më të lirë në dyqan, gjë kjo që e detyroi Otto-n që kostot e transportit të dërgesës t’i paguante vetë.
Një gjë tjetër të cilën konsumatorët nuk e pëlqejnë janë edhe dërgesat e shumta; një numër i madh prej tyre preferojnë që të gjitha blerjet t’i vijnë njëherësh. Duke qenë se Otto shet produkte që ai vetë i blen tek të tjerët, vonesa në dërgesë është e pashmangshme, sepse një gjë e tillë nuk varet nga ai, apo atij mund t’i vijnë produkte të ndryshme për klientë të ndryshëm dhe jo të gjitha porositë e një klienti njëherësh.
Zgjidhja tipike e kësaj situate për t’u paraprirë vonesave është parashikimi që mund të bëjnë njerëzit në lidhje me preferencat e konsumatorëve në një periudhë të caktuar, në mënyrë të tillë që disa porosi t’i bëjnë paraprakisht. Otto shkoi më larg. Ai krijoi një sistem, duke përdorur teknologjinë Blue Younder.
Ky sistem funksionon në bazë të një algoritmi, i cili fillimisht ishte projektuar për eksperimentet fizike në laboratorin e CERN-it në Gjenevë. Ai analizon rreth 3 miliardë transaksione të kaluara dhe 200 variabla (të tilla si shitjet e kaluara, kërkimet në faqen online të Otto-s dhe informacionet në lidhje me ndryshimet e motit) për të parashikuar se çfarë do të blejnë klientët një javë para se ata të porosisin.
Ky sistem inteligjent ka rezultuar të jetë i saktë, sepse ka parashikuar se rreth 90% të produkteve që do të shiten brenda 30 ditëve. Ndërkohë ai sistem kryen edhe porosi që vetë Otto duhet t’i bënte, duke porositur rreth 200,000 produkte në muaj tek palë të treta, pa asnjë ndihmë apo ndërhyrje njerëzore. Do të ishte e pamundur për një njeri që të vëzhgonte shumëllojshmërinë e produkteve, të masave dhe të ngjyrave në atë sasi aq të lartë.
Në përgjithësi, stoku i tepërt që Otto magazinonte në të kaluarën ka rënë me një të pestën. Sistemi i ri i inteligjencës artificiale ka ulur kthimin e produkteve me më shumë se 2 milionë produkte në vit.
Sipas kësaj nisme, roli i rëndësishëm i Inteligjencës Artificiale në biznes mund të përdoret edhe thjesht në përmirësimin e proceseve ekzistuese, që ato të funksionojnë më mirë.
Gjithashtu Otto nuk është se pushoi asnjë prej punonjësve të tij, por e kundërta, ai punësoi edhe më shumë.
Në shumë raste, Inteligjenca Artificiale nuk do të ndikojë në uljen e numrit të punonjësve të një kompanie, por ajo do të realizojë detyra të caktuara në një nivel që njerëzit nuk mund t’i kryejnë ato. Shembulli i suksesshëm i Otto-s thekson faktin se sistemet e inteligjencës artificiale nuk është e thënë se mund të përdoren vetëm nga kompani gjigante si Amazon dhe Google, por edhe nga firma më të vogla.