Në të ardhme një klient mund të depozitojë paratë në makinat e automatizuara. “PrinTec” ofron infrastrukturën për automatizimin e shërbimeve bankare.PrinTec në përvjetorin e saj të parë prezanton një grup produktesh të reja për tregun shqiptar. “Printec Group” udhëheq tregun e pagesave elektronike në Europën Juglindore dhe bashkëpunon me shumë shoqëri që operojnë në sistemin financiar. Në fund të vitit 2004 “PrinTec Group” filloi aktivitetin edhe në Shqipëri me themelimin e shoqërisë “PrinTec Albania”, e cila gjatë vitit 2005 vendosi bashkëpunimin me pjesën më të madhe të institucioneve financiare në Shqipëri. Pak ditë më parë, drejtori i shitjeve pranë “PrinTec Group”, Panos Halkias prezantoi në Tiranë për përfaqësues të sistemit bankar katër grupe produktesh: shërbimet e pagesave elektronike, degë të automatizuara, programe për veprimet bankare dhe prodhime të ndryshme kartash. “PrinTec” për të njohur më nga afër bankat dhe institucionet financiare, që operojnë në vend, me shërbimet dhe funksionet që produktet e ofruara kryejnë, me rastin e 1 vjetorit të saj ajo organizoi edhe aktivitetin me titull: “Duke ngritur infrastrukturën për automatizimin e transaksioneve”. Në aktivitet u prezantua i gjithë portofoli i produkteve të “PrinTec Group” dhe me sesione të detajuara mbi teknologjinë e ATM-ve të shoqërisë “NCR” dhe mbi linjën e produkteve EFTPOS të shoqërisë “Verifone”. Gjithashtu, u prezantuan: – pajisje të administrimit të parasë, kartave si dhe teknologjitë e lidhura me kartat; – mjete të ndryshme pagesash elektronike; – degë të automatizuara bankash, të cilat mund të vendosen në të ardhme edhe në vendin tonë. Kështu, ndoshta pas pak kohësh që një klient të depozitojë para në një bankë nuk do të jetë e nevojshme që banka të qëndrojë hapur dhe punonjësit e saj të jenë në punë, sepse degët e automatizuara do të mundësojnë depozitimin e parave dhe gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me shumat, maturimin dhe interesin që ofron banka (“Kabinë financiare dhe makinë automatike për tërheqjen e parave”, “Makinë për pagesën e faturave”, “Makinë automatike me monedha dhe ricikluese” dhe “Pajisje për përpunimin dhe stampimin e çeqeve dhe sistemi i kartave”).Me 17 vjet përvojë në këtë industri dhe me filiale në 11 shtete të rajonit, PrinTec po udhëheq evolucionin e tregut të transaksioneve të automatizuara në Europën Jug-Lindore”, shprehet Ardian Shehu, drejtor i përgjithshëm i “PrinTec” në Shqipëri. Sipas tij: “E ardhmja e transaksioneve bankare është automatizimi i tyre”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.