Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna gjatë një takimi me drejtues të Odës Ekonomike (OEK) e quajti dizinformim lajmin se doganat e Kosovës ka aplikuar një taksë shtesë për maunet me mallra nga Shqipëria. ” Kjo qëndron sepse këtu kemi të bëjmë vetëm me një kompani vendase (kosovare) e cila faturon shërbimet e transportit dhe nuk ka të bëjë asgjë me barrierë qoftë tarifore, qoftë jo-tarifore, e tëra kjo dezinformatë është qartësuar në mënyrë shumë të shpejtë dhe profesionale falë një bashkëpunimi të shkëlqyer në mes të Doganave të Kosovës dhe Doganave të Shqipërisë udhëhequr nga Elisa Spiropali dhe një kontribut të dhomës së tregtisë dhe industrisë së Tiranës, gjegjësisht të Nikolin Jaka”.
Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu, falënderoi drejtorin Rafuna, për punën dhe angazhimin e tij në eliminimin e barrierave për të bërë biznes me Shqipërinë dhe më gjerë si dhe në veçanti e theksoi rolin dhe kontributin e këshillit konsultativ në eliminimin e këtyre barrierave.
Drejtori Rafuna, çmoi lartë partneritetin dhe dialogun konstruktiv me OEK-un dhe komunitetin e biznesit i cili dialog dhe partneritet i mundësoi dhe përshpejtoi reformat e filluara në Doganat e Kosovës në këtë vit.
Për Doganën e Kosovës, sfidat kanë qenë të shumta qoftë sa i përket depove doganore, procedurave të përshpejtuara, kanalit blu, deklarimeve elektronike, zgjidhja e problemit me import te tekstilit dhe shumë vështirësi të tjera të cilat për fat të mirë edhe për doganat edhe për komunitetin e biznesit, por edhe për Kosovën i takojnë të kaluarës.
Gërxhaliu theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij dialogu. “Jemi të vetëdijshëm se reformat nuk janë gjithë herë të mirëpritura, por në rrugëtimin e Kosovës drejtë familjes evropiane dhe në fillimin e implementimit të marrëveshjes së MSA, këto reforma kanë qenë mese të nevojshme, por duhet kuptojmë se janë vetëm një hap i parë i një rrugëtimi të gjatë drejtë integrimit ekonomik dhe politik në familjen e evropiane”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.