Konkurrenca: kritika ERRU-t dhe Ujësjellësin për rritjen e çmimit të ujit

12/01/2018 10:13 AM 1 koment

Duke e konsideruar rritjen e çmimit të furnizimit me ujë në Tiranë një abuzim me fuqinë monopol që ka kompania Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a, Autoriteti i Konkurrencës kritikoi gjithashtu vendimin e Entit Rregullator të Ujit për rritjen e çmimit si të pajustifikuar dhe të pabazuar në logjikë të shëndoshë ekonomike.

Kompania monopol e furnizimit me ujë dhe e shërbimit të heqjes së ujërave të ndotura të Tiranës kërkoi dhe mori një rritje çmimi me 44% për furnizimin me ujë të kryeqytetit dhjetorin e kaluar, por kërkesa e UKT dhe vendimi i miratimit të kërkesës nga Enti Rregullator i Ujit u kritikuan ashpër nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili e konsideroi këtë masë një abuzim me pozicionin monopol të kësaj kompanie dhe rekomandoi rishikimin e vendimit.

Autoriteti i Konkurrencës ka për detyrë të ndalojë krijimin e monopoleve ose të mbikëqyrë rastet e abuzimit me pozicionin monopol të atyre kompanive që disponojnë një të ashtuquajtur “monopol natyror” të tillë si furnizimi me ujë apo me energji elektrike. Në rast se një kompani është private, atëherë Autoriteti ka të drejtë të vendosë gjobë, por në rastet kur abuzimi me pozicionin monopol kryhet nga një autoritet publik, atëherë Autoriteti nuk ka mundësi të vendosë gjobë, por jep rekomandim.

Në vendimin e publikuar në faqen e internetit të Autoritetit të Konkurrencës, rekomandimi është që Enti Rregullator i Ujit të ndryshojë vendimin, duke lejuar rritjen e çmimit vetëm gradualisht dhe vetëm në këmbim të plotësimit të kushteve për menaxhim më të mirë të UKT SH.A, siç përcaktohet edhe nga rregullat e vetë ERRU. AK i rekomandon gjithashtu “pronarëve të UKT”, pra Bashkisë Tiranë, të shohë mundësinë për të financuar investimet e nevojshme përmes huamarrjes dhe jo përmes rritjes së drejtpërdrejtë të tarifave.

Gjithsesi, kreu i Entit Rregullator të Ujit Shkëlqim Shani tha për BIRN se ai nuk kishte ndër mend të ndiqte rekomandimin e AK. “Vendimi për rritjen në masën 44% të çmimit të ujit është i drejtë dhe bazohet në objektivat madhore të qeverisë, atë të furnizimit me ujë 24 orë të kryeqytetit,” deklaroi ai.

Enti Rregullator i Ujit është një institucion që zyrtarisht duhet të jetë i pavarur nga qeveria dhe duhet të parandalojë abuzimin e mundshëm me tarifa nga kompanitë e ujësjellësve, të cilët mbikëqyren nga ky ent. Megjithatë, kryetari dhe anëtarët e bordit të entit emërohen nga Këshilli i Ministrave dhe bordi aktual është emëruar nga qeveria aktuale.

Pa logjikë dhe pa kushte

Ujësjellësi i Tiranës kërkoi rritje me 44% të çmimit të ujit pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. BIRN raportoi në atë kohë se Enti Rregullator i Ujit shkeli rregullat që vetë ky ent kishte miratuar mbi procedurën e aplikimit për ndryshim çmimi. Sipas rregullores, UKT duhej ta kishte përfunduar procedurën e aplikimit para 30 qershorit që të merrte rritje çmimi për vitin 2018 ndërsa ERRU duhej ta “shtynte vendimmarrjen për vitin pasardhës” në rast se ky kriter shkelej. Por pavarësisht shkeljes, ERRU e miratoi rritjen e çmimit në nëntor 2017.

Gjithsesi, për Autoritetin e Konkurrencës, problemi kryesor me vendimin e ERRU lidhet me faktin se miratimi i çmimit të ri për UKT nuk mbart kushte. Sipas vendimit të ERRU, në këmbim të rritjes së çmimit, UKT nuk ka kusht për rritjen e orarit të furnizimit me ujë, por pritshmëria është që vetëm në vitin 2022, furnizimi të jetë 24 orë. Aktualisht Tirana furnizohet me vetëm 10.83 orë ujë (të dhënat e vitit 2016), ndërsa 68 për qind e ujit të hedhur në rrjet, humbet ose vidhet. Aktualisht treguesit e mirëmenaxhimit të UKT kanë ardhur në përkeqësim gjatë vitit 2016 sipas raportit të fundit të ERRU.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se në fakt, një rritje e tillë çmimi duhet të kushtëzohet me përmirësim vit pas viti deri në vitin 2022.

“Rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë,” thuhet në vendimin e AK, i cili kritikon gjithashtu se në shkëmbim të rritjes së çmimit, UKT nuk do të ketë detyrim të përmirësojë mirëmenaxhimin e vet.

“Të rishikohen kostot në drejtim të rritjes së performancës së administrimit dhe të rishpërndahen burimet e të ardhurave të kërkuara për investime edhe nga ulja e kostove të operimit dhe mirëmbajtjes pasi sipas vendimit të ardhurat do të vijnë në masën 96% nga rritja e tarifave, dhe vetëm 4% nga rritja e nivelit të faturimit,” këshillon AK.

Autoriteti kërkon gjithashtu që UKT të kërkojë financimin e investimeve të reja përmes kredisë dhe t’i amortizojë këto investime gradualisht sipas rregullave normale të kontabilitetit në një kompani.

“Aksionarët e UKT për ta bërë tregun sa më efiçent duhet të vlerësojnë mënyrat alternative të financimit të nevojave financiare të UKT nëpërmjet kredive të buta/të lehtësuara ose nëpërmjet obligacioneve të qeverisjes vendor”, shkruan AK.

UKT është një kompani me fitime që arrijnë në mbi 5 milionë euro në vit pavarësisht shkallës së lartë të keqmenaxhimit, të vërejtur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, përfshirë pagesat e dyfishta të rrogave për shkak të pushimeve dhe punësimeve pa kriter në këtë ndërmarrje.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

1 Koment në "Konkurrenca: kritika ERRU-t dhe Ujësjellësin për rritjen e çmimit të ujit"

Notify of
avatar
Sort by:   newest | oldest | most voted
Water
Guest

Cdo gje qe shkruhet eshte mese e vertete por duhet te shkruani autoren Lindita Cela.

wpDiscuz