“Avantazhi kryesor, krahu i lirë i punës, planet tona për zgjerim”

26/02/2019 4:02 PM 0 komente

Ertjan Cabiri, Drejtor Menaxherial i “Delmon Group Albania”

 

Shqipëria sot ka si avantazh kryesor në raport me fqinjët krahun e lirë të punës. Për Ertjan Cabirin, Drejtor Menaxherial i francezes “Delmon Group” në Shqipëri, kjo është ajo që po nxit kompanitë që operojnë në industrinë automotive të drejtojnë sytë nga vendi ynë.

Ai nënvizon në vendimet që marrin kompanitë e mëdha kalojnë në vlerësim një sërë faktorësh, si sistemi i taksave, burokracitë, afërsia me partnerët dhe avantazhi në secilin prej tyre krijon totalin e një nisme investimi. Në këtë kontekst, ai nënvizon se nga ana e qeverisë duhet të ketë nisma që përmirësojnë mjedisin e të bërit biznes dhe që nxisin investitorët të shohin Shqipërinë si një mundësi të re investimi.

A mund të bëni një profil të “Delmon Group” si kompani? (Nga “Delmon” në Francë zgjerimi i saj në tregjet e huaja dhe te dega e saj në Shqipëri. Çfarë ka në objekt të aktivitetit?)

“Delmon Group” është një kompani franceze e themeluar në vitin 1965 dhe e specializuar në përpunimin e gomës dhe aplikimet e saj në industri. Portofoli i produkteve të saj varion nga gominat amortizuese që përdorin autoveturat, specifikisht prodhohet për “Peugeot”, “Renault”, “Fiat Group”, te pjesët e gomës që përdoren në motorët e avionëve, apo sondat e shpimit të puseve të naftës. Kompania ka disa fabrika në Francë dhe Spanjë të specializuara në pjesë të ndryshme, sipas nevojave të klientëve përfundimtarë. Vitet e fundit, “Delmon Group” ka vazhduar në mënyrë agresive zgjerimin edhe në gjeografi të tjera si Kina dhe së fundmi në Shqipëri. Sigurisht, qëllimi kryesor mbetet ulja e kostove dhe afrimi me fabrikat e klientëve.

Sa është vlera fillestare e investimit të kompanisë, sa të punësuar ka dhe sa është volumi i eksporteve? Cili është plani afatmesëm i saj?

Vlera fillestare e investimit i kalon 1 milion euro vetëm në 6-mujorin e parë të aktivitetit në Shqipëri. Vetëm në këtë periudhë, ne kemi punësuar rreth 50 punonjës dhe kemi arritur të eksportojmë rreth 1 milion euro produkte llogaritur në vlerën e tregut. Në vitin e dytë synojmë që të shkojmë në 6 milionë euro eksporte dhe rrjedhimisht të zgjerojmë kapacitetet e të vazhdojmë të punësojmë dhe trajnojmë punonjës të rinj.

Sa e vështirë apo e lehtë është të gjesh krah pune të kualifikuar për proceset që kryhen në fabrikë në vendin tonë dhe në zonën ku operon? A zhvillon trajnime kompania dhe si janë të organizuara?

Është e pamundur të gjesh punonjës që nuk kanë nevojë për trajnim. Sigurisht, ka teknikë, të cilët kanë përvojë dhe mund të mësojnë më shpejt se sa të tjerë pa përvojë, por të gjithë duhet të kalojnë një periudhë trajnimi. Si strategji trajnimi, ne kemi preferuar trajnimin në vendin e punës dhe më pak atë teorik. Teknikët e mirëmbajtjes, të cilët kanë nevojë për më shumë specializim, kanë kaluar disa muaj në fabrikën tonë në Francë ku kanë punuar përkrah kolegëve francezë. Ndërkohë, për pozicionet e operatorëve të makinerive, përgjithësisht kemi preferuar t’i trajnojmë në fabrikën e Elbasanit, duke sjellë specialistë nga Franca, të cilët i mbikëqyrin dhe i drejtojnë. Kuptohet që këto trajnime janë mjaft të kushtueshme për kompaninë, por janë të domosdoshme për të garantuar një rritje të shpejtë dhe eficiente.

Sa nxitës e konsideroni sistemin e taksave dhe mjedisin e përgjithshëm të të bërit biznes në Shqipëri në kushtet aktuale? Çfarë avantazhesh ka Shqipëria që mund të nxisë zhvillimin e kësaj industrie në vend?

Avantazhi kryesor që ka Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja është krahu i lirë i punës. Jo rastësisht, ka pasur një lulëzim të industrive që përdorin regjimin e përpunimit aktiv ose fasoneria. Sistemi i taksave sigurisht është i rëndësishëm, por nuk mendoj se ka një rol vendimtar, sigurisht duke krahasuar vendet konkurruese me Shqipërinë. Gjithashtu edhe burokracia që ka të bëjë me themelimin e kompanive, si dhe marrëdhëniet me shtetin janë përgjithësisht të lehtësuara, falë përmirësimeve të ardhura nga qeveria shqiptare ndër vite, por edhe falë kompanive private që ofrojnë shërbime gjithnjë e më të kompletuara, si zyrat e avokatëve apo kontabilistëve.

Ndërkohë, mendoj që shteti shqiptar duhet të vazhdojë të punojë për të ulur sa më shumë kostot që mund të jenë vendimtare për marrjen e vendimit nga ana e një kompanie për të zgjedhur Shqipërinë apo një vend tjetër të rajonit. Për shembull, duhet të përshpejtohet liberalizimi i tregut të energjisë, duke qenë se kostot e energjisë në Shqipëri janë shumë të larta.

Gjithashtu, duke qenë se kostot e transportit janë shumë më të larta se transporti brenda BE-së, pse të mos synohet një lehtësim fiskal për kompanitë e transportit? Sigurisht këto janë thjesht ide, por thelbi qëndron në faktin se duhet punuar për të rritur avantazhet dhe për të eliminuar dizavantazhet e Shqipërisë në krahasim me vendet e rajonit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of