Avokati i popullit prezantoi sot një studim sipas të cilit minimumi jetik në vend aktualisht është 16 mijë lekë në muaj. Nga kjo shumë më shumë se gjysma shkojnë për shpenzime jo ushqimore dhe pjesa tjetër për ushqimore.
Avokati i Popullit, Igli Totozani shpjegoi se institucioni që drejton, për 5 vite me radhë ka bërë kërkesa dhe rekomandime të vazhdueshme drejtuar qeverive për të shpallur zyrtarisht minimumin jetik, por asgjë nuk është realizuar konkretisht. Në këto kushte, Avokati i Popullit përmes një procesi konkurrues kontraktoi Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) për realizimin e studimit: Llogaritja e Minimumit Jetik – Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi jetese të arsyeshme”.
Në legjislacionin shqiptar ende mungon një dispozitë e posaçme kushtuar minimumit jetik si për përkufizimin ligjor të tij ashtu edhe për detyrimin ligjor për llogaritjen e tij. Përcaktimi i parë i rëndësishëm i minimumit jetik në Shqipëri u evidentua në kodin e punës së vitit 1995, por me amendimet që i janë bërë në vitet në vijim, koncepti i minimumit jetik është hequr. Në Shqipëri, niveli i pensioneve është i vendosur me ligj, ndërsa niveli i pagës minimale, madhësia në vlerë e ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë dhe pagesës së paaftësisë përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Asnjëri prej këtyre treguesve të varfërisë nuk bazohet drejtpërdrejt në treguesit e minimumit jetik, madje rezultojnë më të ulët krahasuar me këtë minimum jetik të përllogaritur.
Duke ju referuar studimit “Llogaritja e Minimumit Jetik – Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi jetese të arsyeshme”, Avokati i Popullit z. igli Totozani theksoi se:
“Metoda e përdorur në këtë studim është ajo e varfërisë absolute. Minimumi jetik është përllogaritur mbi bazën e shportës ushqimore. Nga përllogaritjet e kryera minimumi jetik për frymë në vitin 2015 rezulton të jetë përafërsisht 16.000 lekë në muaj (7,089 lekë në muaj për shpenzimet ushqimore dhe 8,913 lekë në muaj për shpenzimet jo-ushqimore).
Në ndryshim nga studimet e tjera mbi nivelin e minimumit jetik vlera e përcaktuar nga ky studim merr në konsideratë edhe aspekte sociale dhe tendencat e konsumit në vendin tonë. Vlera e minimumit jetik përbën edhe bazën mbi të cilën duhet të llogariten pagat, pensionet sociale, ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë dhe pagesa e papunësisë, kuptohet duke bërë dhe rregullimet e nevojshme në lidhje me numrin e pjesëtarëve të familjes , numrin e të punësuarve prej tyre, pjesëtarët mbi dhe nën moshën e punës, asetet që zotëron familja etj. Minimumi jetik i llogaritur prej 16,000 lekë në muaj për frymë në Shqipëri vërehet se luhatet përafërsisht në të njëjtat nivele me vendet e Ballkanit Perëndimor, vecanërisht me Serbinë dhe Maqedoninë. Kjo ngjashmëri me vendet e rajonit rrit kredibilitetin e vlerës së përllogaritur nga ky studim.
Me qëllim për t’i siguruar individëve një jetesë me dinjitet do të ishte e nevojshme ngritja mbi konceptin e nivelit të minimumit jetik në atë të një standardi jetese të arsyeshëm. Standard jetese i arsyeshëm konsiderohet ai që plotëson nevojat fizike, psikologjike dhe sociale të një personi. Kjo nuk do të thotë që shteti duhet t’i garantojë çdo personi një nivel luksi, por as nuk nënkupton se një person duhet të jetojë vetëm në nivelin e mbijetesës. E drejta për një standard jetese të përshtatshëm njihet si një e drejtë njerëzore edhe në instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nënkupton nevojën për të vendosur një të drejtë minimale për ushqim veshje dhe strehim në nivelin e duhur. Prandaj është i rëndësishëm identifikimi i të gjithë ndërhyrjeve dhe politikave sociale për kalimin nga nevoja e përcaktimit të minimumit jetik në atë të një standardi jetese të arsyeshme në mënyrë të pajtueshme me dinjitetin njerëzor.
Nga analiza krahasimore mes nivelit të minimumit jetik me atë të pagës minimale , pensionit minimal dhe atij social, ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë dhe pagesës së paaftësisë në vend evidentohet lehtësisht se këto pagesa janë nën kufirin e minimumit jetik. Për këtë arsye rekomandohet që në vitet që vijnë në përputhje me mundësitë që do t’i krijohen buxhetit të shtetit, të gjithë treguesit e përmendur të kenë prirje përafrimi deri në përputhjen e plotë me vlerën e minimumit jetik me synim për t’i ofruar individëve përfitues të pagesave sociale një jetesë me dinjitet.
Pas publikimit të këtij studimi mbi përllogaritjen e nivelit të minimumit jetik në Shqipëri Avokati i Popullit do të hartojë disa rekomandimeve mjaft të rëndësishme për qeverinë dhe strukturat përgjegjëse të administratës.
Dy Rekomandime drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë që lidhen me përfshirjen e përcaktimit të minimumit jetik në kuadrin ligjor:
– Rishikimin e kuadrit ligjor për llogaritjen e minimumit jetik dhe krijimin e një baze ligjore të fortë për përllogaritjen e minimumit jetik sipas bazave shkencore dhe përgjegjësive institucionale. Akti ligjor që preket është Ligji Nr.9125, dt. 29.07.2003 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”. Amendimi i Kodit aktual të Punës. Më specifikisht , ripërfshirja e nocionit të minimumit jetik dhe institucionit përgjegjës për llogaritjen e tij në Nenin 123 të Kodit të Punës.
– Amendim i ligjit për Këshillin Kombëtar të Punës dhe përfshirjen në funksionet e tij, përdorimin e minimumit jetik në orientimin e pagave, pensioneve dhe përkrahjes sociale. Vendimi Nr. 1039, datë 4.12.2013 “Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe Caktimin e Përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë Këshill”. Në pikën 10 të këtij vendimi duhet të specifikohet rivlerësimi i pagave në varësi të nivelit të minimumit jetik.
Dy rekomandime drejtuar institutit të Statistikave iNSTAT:
– Përllogaritja e madhësisë së minimumit jetik. Amendimi i Ligjit për iNSTAT, me synim përfshirjen në funksionet e këtij institucioni edhe atë të llogaritjes së minimumit jetik. Ligji Nr.9180 datë 5.2.2004 (I amenduar për herë të fundit në 2013) “Për Statistika zyrtare”. Përfshirja në nenin 7 në përgjegjësitë e INSTAT edhe atë të përllogaritjes së madhësisë së minimumit jetik.
– Lëvrimi dhe publikimi i të dhënave. Mbledhja e të dhënave dhe publikimi i tyre sipas formatit të përcaktuar në standardet europiane (direktiva BE). Ligji Nr.9180 datë 05.02.2004 (I amenduar në 2012 dhe 2013) “Për statistika zyrtare”. Përcaktimi në nenin 8 për detyrat e iNSTAT që ky institucion duhet të mbledh, të përpunoj dhe publikoj të dhënat sipas standardeve evropiane.
Një rekomandim për institutin e Shëndetit Publik (ISHP):
– Sigurimi i të dhënave shkencore periodike (mbi baza vjetore ) i nevojës për kalori në ditë. Amendim i ligjit për iSHP me Urdhër të Ministrit të Shëndetësisë për përcaktimin në funksionet e tij të publikimit të nevojave energjetike për kalori në ditë për frymë. Ligji Nr.10138 datë 11.05.2009 “Për shëndetin public”. Në nenin 15 të këtij ligji duhet të përfshihet në funksionet e iSHP përcaktimi i nevojës ditore për kalori për një individ mesatar.
Një rekomandim për institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH ):
– Përdorimi i minimumit jetik si bazë për llogaritjen e përfitimeve. Përfshirja në ligjin për iSSH të llogaritjes së përfitimeve sociale duke përdorur minimumin jetik si referencë. Gjithashtu, indeksimi i këtyre pagesave sociale sipas indeksimit të minimumit jetik. Ligji Nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Ndërhyrja në nenin 59 për përfshirjen e minimumit jetik si bazë në vlerësimin e indeksimit të pensionit minimal , pagesës së paaftësisë etj.
Së fundi një sugjerim për sindikatat: Advokimi për minimumin jetik.
Sindikatat duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin publik dhe rritjen e presionit pozitiv tek Këshilli Kombëtar i Punës, për çështjen e minimumit jetik. Është domosdoshmëri organizimi i aktiviteteve sindikaliste, mbledhjet dhe konsultimet me instancat shtetërore për advokimin e vlerës së minimumit jetik dhe impaktit të tij.
Çdo vend llogarit dhe miraton kufirin e varfërisë bazuar në kushtet e tij ekonomike, sociale, tradicionale etj. Ky tregues shërben për të njohur numrin e familjeve dhe të varfërve, shkallën dhe përhapjen gjeografike dhe territoriale të varfërisë, si dhe për të zbatuar politika e programe të diferencuara për reduktimin e saj.
Ne jemi koshientë që arritja e disa standardeve nuk mund të bëhet as për një ditë dhe as për një vit, por ama qeveria duhet të paktën ta llogarisë minimumin jetik dhe të shpallë zyrtarisht nivelin e tij, në mënyrë që të orientohet me politika zhvillimore sociale për të lehtësuar jetën e qytetarëve të saj më të varfër dhe të pamundur”.
Minimumi jetik është shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme për të siguruar funksionin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë social- kulturore.
Shqipëria nuk e ka të shpallur zyrtarisht minimumin jetik, por ekspertë të statistikave kohë më parë shpjeguan se ka disa standarde ndërkombëtare që përllogarisin minimunim jetik. E adhurave për frymë dy dollarë në ditë është nje tregues që ndan minimumin jetik dhe gjithashtu vë kufirin e varfërisë ekstreme.
Zyrtarët shqiptare kur kanë llogaritur reformat për paga dhe pensioneve i janë referuar standardit dy USD në dit për frymë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.