Procesi i ekzekutimit të titujve ekzekutiv nga ana e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror apo atij Privat, si dhe autoriteteve të tjera të ngarkuar me ligj për ekzekutimin e tyre rast pas rasti, në një afat të përcaktuar apo të arsyeshëm, gjatë vitit 2017 rezulton se nuk është zhvilluar në përputhje me parimin e ligjshmërisë.
Sipas raportit të bërë publik së fundmi të Avokatit të Popullit, në procesin e shqyrtimit të një numri ankesash prej këtij institucioni është konstatuar cënimi i së drejtës themelore për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e mosekzekutimit të titujve ekzekutiv në një afat të arsyeshëm, sikundër sanksionohet në nenin 42/2, të Kushtetutës, apo në nenin 6/1, të Konventës Evropiane të së Drejtave të Njeriut.
Arsyet sipas Avokatit të Popullit:
• Problematikën që mbartin dispozitat e Udhëzimit nr.1, datë 04.06.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të njësive të qeverisjes së përgjithshme në llogari të thesarit”.
• Mungesa e cilësisë profesionale të përmbaruesve gjyqësorë, e cila shfaqet në veprimet dhe mosveprimet e tyre gjatë procesit të ekzekutimit të titujve ekzekutiv.
• Mosnjohja e legjislacionit civil dhe atij procedural, nga ana e përmbaruesve gjyqësorë.
• Kryerja e veprimeve përmbarimore jashtë objektit të ekzekutimit, si dhe keqinterpretimi i dispozitivit të vendimit gjyqësor.
• Mungesa e vullnetit prej përmbaruesve gjyqësorë, për vendosjen e sanksioneve ndaj subjektit pranë personit të detyruar, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, apo personave të tjerë në procesin e ekzekutimit, të cilët refuzojnë, kryejnë në mënyrë të parregullt, nuk respektojnë afatet ose kryejnë të kundërtën e asaj që është vendosur me vendim të gjykatës.
Gjykohet e nevojshme që të amendohet nenit 529, i Kodit të Procedurës Civile, për zgjerimin e rrethit të sendeve mbi të cilët nuk mund të vendoset masa e sekuestros, në procesin e ekzekutimit të titujve ekzekutiv prej Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor. Gjithashtu nevojitet nxjerrja nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, e udhëzimit për përcaktimin e metodologjisë në caktimin e vlerës së sendit të sekuestruar, prej Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, konform parashikimit të nenit 7 dhe nenit 11, të Ligjit 114/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.8116, Datë 29.03.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Shkaqe të tjera të cënimit të parimit për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë në një afat të arsyeshëm, në vlerësimin e institucionit të Avokatit të Popullit, vazhdojnë të jenë edhe:
1. Mungesa e cilësisë profesionale të përmbaruesve gjyqësorë, e cila shfaqet në veprimet dhe mosveprimet e tyre gjatë procesit të ekzekutimit të titujve ekzekutiv.
2. Mosnjohja e legjislacionit nga ana e përmbaruesve gjyqësorë.
3. Kryerja e veprimeve përmbarimore jashtë objektit të ekzekutimit, si dhe keqinterpretimi i dispozitivit të vendimit gjyqësor.
4. Mungesa e vullnetit prej përmbaruesve gjyqësorë, për vendosjen e sanksioneve ndaj subjektit pranë personit të detyruar, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, apo personave të tjerë në procesin e ekzekutimit, të cilët refuzojnë, kryejnë në mënyrë të parregullt, nuk respektojnë afatet, ose kryejnë të kundërtën e asaj që është vendosur me vendim të gjykatës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.