Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të rrisë transparencën me tatimpaguesit. Avokati i Tatimpaguesit i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të mundësojë publikimin e Buletinit tatimor, publikim zyrtar, në të cilin paraqiten tekste të manualeve teknike të administratës tatimore dhe legjislacionin tatimor në gjuhën angleze, për t’u shërbyer edhe bizneseve të huaja, që janë të interesuar të kryejnë, apo kryejnë efektivisht, aktivitet ekonomik në Shqipëri.
Nisur nga përvoja, sidomos e vitit të fundit, kur ka qenë i rritur numri i tatimpaguesve, të cilët u regjistruan, si tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, por më pak ata të regjistruar si tatimpagues mbi fitimin, të zbatohet qartë e drejta e informimit për to, ka rekomanduar Avokati i tatimpaguesit.
Duke qenë se në sportelin e QKR, ato pajisen vetëm me certifikatën e regjistrimit (NUIS), si tatimpagues kryesisht rishtazi, kësaj kategorie duhet t’i krijohet mundësia e informimit, në këtë sportel edhe për detyrimet e të drejtat, që ata kanë si tatimpagues.
“Krahas printimit të certifikatës së regjistrimit (NUIS), të mundësohet edhe printimi i një guide të shkurtër orientuese lidhur me detyrimet deklarative, dokumentare e paguese të tatimeve që tatimpaguesi, ka në një periudhë tatimore (muaj, tremujor, vit kalendarik). Një masë e tillë jep ndikim pozitiv në përmbushjen vullnetare të detyrimeve fiskale të tatimpaguesve”, ka rekomanduar Avokati i Tatimpaguesit.
Në udhëzimin e Ministrisë së Financave, nr. 24, datë 9.12.2014 “Për dhënien e pëlqimit dhe mënyrën e marrjes dhe vlefshmërinë e dhënies së pëlqimit për komunikimin elektronik të tatimpaguesit me administratën tatimore”, në paragrafin nr.13, me titull “Detyrimet e administratës tatimore”, administrata duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë, diktuar nga roli i saj në marrëdhëniet e partneritetit me tatimpaguesit, qoftë nga aspekti ligjor,ai i administrimit të sistemit elektronik, si dhe i detyrimeve kontraktore dypalëshe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.