Avokatura e Shtetit bëri me dije se me ndryshimet e fundit ligjore në ligjin e saj organik është ngritur një organ i ri kolegjial, i domosdoshëm në trajtimin e problematikave shumë dimensionale, me të cilat ky institucion përballet gjatë ushtrimit të kompetencave të tij. Bëhet fjalë për “Kolegjin e Avokaturës së Shtetit”.
“Kolegji i Avokaturës së Shtetit gjatë funksionimit të tij do të kontribuojë, ndër të tjera, në dhënien e këshillave dhe miratimin e strategjive për çështje të një rëndësie të veçantë për interesat pasurorë të shtetit, zgjidhjen e papajtueshmërive së vlerësimeve në trajtimin e çështjeve gjyqësore/këshillimeve, si dhe dhënien e udhëzimeve për bashkërendimin dhe trajtimin e çështjeve në kuadër të dhënies së asistencës juridike. Kolegji drejtohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit dhe përbëhet nga 6 avokatë shteti, përfaqësues të zyrave në nivel qendror dhe vendor” thuhet në njoftimin e Avokaturës.
Por cila është përbërja e këtij Kolegji. Mes gjashtë avokatëve janë Abaz Deda, Avokat Shteti pranë Zyrës së Përfaqësimit Ligjor në Gjykatat Kombëtare, Donika Pahumi , Avokate Shteti pranë Zyrës së Inspektimit, Brunilda Lilo Avokate Shteti pranë Zyrës së Gjykatave të huaja, ndërkombëtare dhe arbitrazhit ndërkombëtar, Alba Thoma Avokate Shteti pranë Zyrës së Këshillimit dhe Koordinimit Ndërministror, Ibrahim Feimi, Kryetar i Zyrës Vendore Korçë dhe Ermjona Sotiri Avokate Shteti pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë
KOnstituohet edhe Këshilli Konsultativ për çështjet e GJEDNJ
Avokatura e Shtetit bëri me dije gjithashtu se pranë saj është konstituuar “Këshilli Konsultativ për Çështjet e GJEDNJ-së(Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut)”, një organ kolegjial i parashikuar për herë të parë në legjislacionin shqiptar.
“Kolegji Konsultativ gjatë punës së tij, ndër të tjera, do të shqyrtojë çështjet e komunikuara Qeverisë Shqiptare nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me qëllim dhënien e këshillimit në trajtimin e tyre ose propozimin/arritjen e një zgjidhje miqësore. Gjithashtu, Këshilli do të luajë një rol në rekomandimin e zgjidhjeve dhe hartimin e planeve të veprimit, me qëllim ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së.
Këshilli Konsultativ për Çështjet e GJEDNJ-së ka në përbërje të tij, juristët si Arta Vorpsi, Artan Hoxha, Kristaq Traja, Petrit Plloçi, Sokol Sadushi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.