TAP padyshim ka hapur mundësi të shumta bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Azerbazhanit, por përtej këtij projekti madhor, këto dy vende janë në rrugë të forcimit të marrëdhënieve politiko- ekonomike gjithashtu.
Në kuadër të kësaj, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, nisi sot vizitën zyrtare në Azerbajxhan, ku u prit fillimisht nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, z. Ilham Aliyev.
Ilir Meta u shpreh se duhet punuar konkretisht për kompletimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve për të forcuar partneritetin bilateral, kryesisht në fushat e naftës dhe gazit, arsimit dhe turizmit. Në këtë drejtim, z. Meta theksoi se Shqipëria i mirëpret investimet dhe ekspertizën e gjerë azere, duke e konsideruar Shqipërinë si një portë hyrëse për të gjithë rajonin, ashtu sikurse edhe u shpreh se Azerbajxhani përfaqëson një partner të rëndësishëm për Shqipërinë dhe se dëshirojmë forcimin e marrëdhënieve tona politike dhe ekonomike.
Duke biseduar mbi ecurinë e projektit strategjik TAP, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti Aliyev ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit me qëllim hartimin e një Masterplani për gazifikimin e plotë të Shqipërisë duke përfituar nga eksperienca azere në fushën e naftës dhe gazit. Në këtë kuadër, u nënvizua rëndësia e intensifikimit të shkëmbimeve arsimore me synim përfitimin e ekspertizës azere në fushën e naftës dhe gazit përmes përgatitjes dhe trajnimit të specialistëve dhe inxhinierëve shqiptare.
Në përfundim, Kryetari Meta dhe Presidenti Aliyev ndanë bindjen e përbashkët se bashkëpunimi substancial që ka nisur mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit duhet ngritur në një nivel më intensiv shkëmbimesh politike, tregtare, ekonomike e arsimore mes dy vendeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.