Azilet, bizneset e së ardhmes

26/02/2019 3:52 PM 0 komente

Qendrat e përkujdesjes së të moshuarve, ndryshe azilet, do të jenë një nga trendet e zhvillimit të ekonomisë. Plakja e popullsisë në botë dhe asaj në vend me ritme të shpejta ka rritur nevojat për të ofruar shërbime për moshat e vjetra kundrejt kostove më të lira.

Vendet skandinave, por edhe ato nga Europa Qendrore po i shohin vendet e Europës Lindore dhe ato mesdhetare si një mundësi e mirë, për shkak të kostove ende konkurruese dhe klimës së mirë që ofrojnë. Shërbimet për moshat e vjetra shihet të jenë po aq me leverdi për ekonominë dhe bizneset sa edhe bizneset e turizmit, madje edhe më shumë.

Ndërsa kujdesi për të moshuarit është një biznes mjaft i zhvilluar në Europën Lindore, sapo ka nisur të formësohet ideja dhe në Shqipëri. Investitorë italianë, por dhe të tjerë, po e shohin me interes ndërtimin e shtëpive (azile) me fokus të moshuarit e “pasur” të Europës Perëndimore.

Gjatë dy viteve të fundit është rritur kërkesa për apartamente me qira në Sarandë dhe Vlorë. Këto vijnë nga njerëz të moshuar në Europën Qendrore dhe të Veriut, të cilët duan t’i kalojnë pushimet në vende të ngrohta dhe me kosto jetese të ulët dhe të paguajnë më pak taksa për pensionet. Hotelet dhe resortet turistike mund të përshtatin oferta turistike për të moshuarit në muajt e dimrit, siç bën prej vitesh Turqia për pensionistët rusë dhe ata nga Gjermania.

Paga mesatare në Shqipëri është rreth 250-300 euro në muaj, kështu që me një pension neto që fillon nga 500 euro e lart, mund të jetohet më mirë se në Itali, ku do të duhej dyfishi i të ardhurave për të njëjtin nivel jetese. Përveçse ndikojnë në hyrjen e një sasie të ardhurash në Shqipëri, importi i të moshuarve italianë ndikon në rritjen e punësimit të dadove dhe infermierëve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of