jë e ardhme më e ndritshme apo shmangie e përhershme? Një raport nga Economist Intelligence Unit
Shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia vuajnë nga një sërë sëmundjesh, shkruan në një raport të posaçëm, njësia e inteligjencës e revistës “The Economist”, “Economist Intelligence Unit”. Rajoni karakterizohet nga rreziku i lartë gjeopolitik. Rreziqet e sigurisë përfshijnë shumë konflikte bilaterale; armiqësi që vazhdojnë që nga luftërat e viteve 1990, si dhe kërcënimin e fundamentalizmit islamik. Përveç këtyre, BE-ja po përballet edhe me konkurrencën gjeopolitike në rajon nga Kina, Rusia dhe Turqia.
Disa prej faktorëve që e shtyjnë rajonin drejt rrezikut politik dhe paqëndrueshmërisë përfshijnë fragmentarizimin etnik; dobësimin e besimit të popullit në qeveri; një histori konflikti; papunësia e lartë; aksesin ndaj armëve të vogla; rrezikun e terrorizmit; tensionet ndërkombëtare; abuzimet me të drejtat e njeriut; ankesat e grupeve të ndryshme dhe fluksin i madh i emigrantëve. Në vitin 2003, në një samit të zhvilluar në Selanik të Greqisë, krerët e BE-së u premtuan shteteve të Ballkanit se dera e anëtarësimit në BE, do të ishte e hapur për ta. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, anëtarësimi në BE vazhdon të mbetet një perspektivë e largët për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Europian dhe disa liderë të tjerë të BE-së kanë thënë se 2018-a është një vit shumë i rëndësishëm për rajonin, periudhë gjatë së cilës ata presin që të zgjidhen mosmarrëveshje të gjata, të cilat edhe më parë kanë penguar hyrjen e tyre në BE. Pas përfundimit të mosmarrëveshjes 27-vjeçare midis Greqisë dhe ish-republikës jugosllave të Maqedonisë, mbi emrin e kësaj të fundit, liderët e BE-së shpresojnë që të ndërmerret një hap i njëjtë edhe në drejtim të statusit të Kosovës. Ky do të jetë një nga mesazhet kryesore të Samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor që do të organizohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në Londër më 10 korrik 2018.
Perspektivat e pranimit në BE, pas Brexit
Zhvillimi i një samiti për nxitjen e zgjerimit të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar, një vend që do të largohet nga BE-ja në 2019, është një fakt disi i çuditshëm për disa, ndërsa për të tjerë edhe i diskutueshëm nëse duhet të mbahet apo jo. Edhe pse Britania ka qenë një prej avokatëve më të zjarrtë të pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, roli i saj në këtë drejtim shihet si i pavend dhe i tepërt, sidomos pas largimit të saj nga BE. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar e ka shprehur vazhdimisht mbështetjen për zgjerimin e BE-së, nën sloganin zyrtar, “Ne jemi duke u larguar nga BE-ja por jo nga Europa”.
Sidoqoftë, ekziston një paradoks në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, që vazhdon të mbështesë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, në një kohë kur kjo e fundit po largohet vetë prej saj. Të shumtë janë ata që e kanë të vështirë të përfytyrojnë një rol të dobishëm në të ardhmen për Mbretërinë e Bashkuar në drejtim të rajonit, por ky shtet ka shumë gjëra të rëndësishme për të ofruar, pavarësisht largimit nga BE-ja. Demokracia e Britanisë së Madhe është një prej pikave që mund të merret si shembull për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, pikë në të cilën shumica e tyre kanë çaluar për vite me radhë.
Raporti sheh tendencat e fundit në zhvillimin demokratik dhe analizon se pse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë arritur të krijojnë demokraci më të forta. Ato karakterizohen nga ekonomi dhe institucione të dobëta, nga rreziku i madh politik, krimi i organizuar dhe niveli i lartë i korrupsionit. Varfëria alarmante, largimi i trurit të klasës së mesme dhe niveli i lartë i papunësisë në mesin e të rinjve, i theksojnë problemet e zhvillimit politik.
Raporti analizon perspektivat e rritjes ekonomike të rajonit. Rritja, që nga kriza globale e vitit 2008, ka qenë e dobët dhe rajoni vazhdon të jetë në të njëjtat nivele të ulëta. Ka shumë arsye pse ky rajon ka perspektiva modeste afatgjata, si për shembull problemet e vazhdueshme institucionale; demografia e dobët; rreziku i lartë politik; pozicionet e brishta fiskale; ecuria e dobët në fushën e inovacionit; infrastruktura e dobët dhe ndikimi i papunësisë së lartë në konsum dhe cilësinë e punës.
Tregtia e jashtme është një tjetër fushë në të cilën Ballkani Perëndimor çalon në krahasim me shtetet e Europës Lindore që janë anëtare të BE-së, si dhe me rajone të tjera të tregjeve në zhvillim. Raporti paraqet të dhëna bindëse që tregojnë se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor po performojnë shumë më poshtë potencialit të tyre.
Eksportet janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, por Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet pak i integruar në tregtinë botërore. Maqedonia dhe Serbia janë më të integruara. Megjithatë, vendet e Europës Lindore që janë anëtarë të BE-së (BE11) kanë peshë më të madhe në tregti. Të dhënat tregojnë se tregtia brenda rajonit nuk pritet që të ndikojë në ngushtimin e këtij hendeku.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.