Banesat: Çmimet dyfishohen deri në vitin 2015

27/03/2012 16:01 0 komente

Nuk mjaftonte rritja e çmimit të apartamenteve në masën 10-20% nga vendosja e TVSH-së në ndërtim për vitin 2006, por çdo vit deri në vitin 2015 çmimet e apartamenteve do të rriten në masën 5%. Lajmin e rritjes së përvitshme të çmimit të banesave e konfirmon për revistën “Monitor” z. Behar Male, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve. Faktorët e rritjes së çmimit të apartamenteve në masën 5% çdo vit janë të shumtë, pasi sipas z.Behar Male “në përcaktimin e kostos së apartamenteve ndikojnë shumë faktorë siç janë: rritja e taksave, rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit, kufizimi i lejeve të ndërtimit, rritja e kostos së nxjerrjes së licencave, si dhe rritja e pagave të punëtorëve më të thjeshtë e deri tek profesionistët e ndërtimit”. Sipas një llogarie të thjeshtë, i bie që deri në vitin 2015 çmimet e apartamenteve për metër katror të dyfishohen. Nëse në vitin 2004 apartamentet janë shitur mesatarisht me 650 euro për metër katror, nëse në vitet në vijim ato rriten me 5% çdo vit plus TVSH-në masën 20% (TVSH-ja do të vendoset në 2006), atëherë deri në vitin 2015 çmimet e apartamenteve do të shkojnë mesatarisht në 1200 euro për metër katror (shiko tabelën). Blerja e banesave: Sot një investim i leverdishëmBlerja e apartamenteve konsiderohet si një investim afatgjatë dhe që kryhet vetëm një herë. Në përgjithësi në Botë, blerja e pasurive të paluajtshme shihet dhe si një investim i mirë, kur alternativat e tjera të investimit nuk janë shumë të sigurta, apo nuk janë fitimprurëse. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Shqipërinë. Duke pasur parasysh faktin që interesat e lekut për depozitat po vijnë në ulje, normat e kthimit të dollarit dhe të euros në banka janë mësatarisht 2%, nga investimi në apartament (për ata që zotërojnë kursime në vlera të mëdha) fitohet më shumë. Norma e kthimit për një periudhë 10-vjeçare është minimumi 120%. Pra, nëse një apartament blihet sot 50.000 euro, pas dhjetë vitesh ai mund të shitet minimalisht 110.000 euro. Blerja e apartamenteve konsiderohet si një investim i mirë deri në vitin 2006, para se të hyjë në fuqi TVSH-ja në shitje dhe çmimet të rriten në vlerën 10-20%.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.