Edhe në 2014-n vendi do të vazhdojë të rritet me ritme të dobëta, prej vetëm 2%….
Banka Botërore, në raportin e saj të fundit të perspektivës ekonomike globale, botuar mbrëmë në Uashington parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet me 1.8% në vitin 2013, duke përshpejtuar fare lehtë ritmet në raport me 2012-n, kur ajo u zgjerua me 1.6%. Në 2014-n, vendi do të vazhdojë rritje me ritme të dobëta, me 2%, për t’u përshpejtuar disi vetëm në 2015-n, me 3%, sipas parashikimeve të institucionit ndërkombëtar.
Rritja në 2013-n për Shqipërinë do të jetë pak më e ulët se e Europës Qendrore e Lindore (Shqipëria, Bosnia dhe Hercegovina, Bullgaria, Gjeorgjia, Kosova, Lituania, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia), që sipas Bankës Botërore do të zgjerohet me 1.9%.
Ndërkohë që parashikimi i Bankës për Shqipërinë ka mbetur i pandryshuar në krahasim me raportin e janarit 2013, ku pritej një rritje po prej 1.8%.
Në raportin e saj Banka Botërore e përmend Shqipërinë në grupin e vendeve në zhvillim që kanë ndjekur një politikë monetare lehtësuese, duke reduktuar normat e interesit.
Shqipëria nga ana tjetër, së bashku me Maqedoninë dhe Bullgarinë janë vendet që kanë lidhje të ngushta tregtare me shtetet që janë goditur më rëndë nga kriza, duke i bërë ato më të brishta.
Sipas raportit, rimëkëmbja e investimeve të huaja direkte mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për vende si Gjeorgjia dhe Shqipëria, ku IHD-të llogariten të zënë më shumë se 30% të formimit bruto të kapitalit fiks.
Raporti thekson se kredia në rajon ka qenë shumë e dobët gjatë gjysmës së dytë të 2012-s, dhe ka rënë me shpejtësi në Shqipëri në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni. Ulja intensive e raportit të mjeteve të veta ndaj kapitalit nga bankat evropiane gjatë dy viteve të fundit ka kontribuar në shtrëngimin e kushteve të kreditit dhe rritjen e dobët të huadhëniës, veçanërisht në vendet që kanë një prani të fuqishme të bankave europiane. Rritja e fundit e flukseve ndërkombëtare të bankave në rajon, ka të ngjarë ë sinjalizojë fundin e kësaj faze, thotë raporti, megjithëse ai pritet të vazhdojë me ritme më të lehta. Shqipëria renditet ndërkohë ndër vendet që ka një nivel të lartë të huave me probleme.
Vendet si Shqipëria, Gjeorgjia, Rumania, Serbia ka të ngjarë që të përfitojnë nga një kontribut më i madh në bujqësi këtë vit, përfundon raporti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.