Kthimi i balancave makroekonomike; krijimi i kushteve për përshpejtimin e rritjes së sektorit privat; forcimi i menaxhimit të sektorit privat dhe ofrimit të shërbimeve janë prioritete kryesore që synohen nga programi i Grupit të Bankës Botërore (GBB) për Shqipërinë për periudhën e viteve fiskalë 2015-2019…
Banka Botërore, pasi njoftoi se ka akorduar 1.2 miliardë dollarë për Shqipërinë në kredi e projekte, ka publikuar Kuadrin Partneritetit për Vendin (KPV), I cili parashtron programin e Grupit të Bankës Botërore (GBB) për Shqipërinë për periudhën e viteve fiskalë 2015-2019 dhe synon të mbështesë aspiratat e Shqipërisë për të patur rritje të barabartë dhe integrim në Bashkimin Evropian. Programi i GBB-së do të realizohet duke u përqendruar tek objektivat binjake të uljes së varfërisë dhe nxitjes së prosperitetit të përbashkët. Programi i KPV-së me mbështetje teknike dhe financiare është projektuar në mënyrë të përzgjedhur rreth një nëngrupi të përparësive kyçe të identifikuara në Analizën Sistematike të Vendit (ASV), e cila ka vlerësuar pengesat dhe mundësitë për përshpejtimin e rritjes, uljen e varfërisë dhe rritjen e përfshirjes dhe të prosperitetit të përbashkët. KPV-ja është ndërtuar në një përpjekje më afatgjatë të GBB-së për të forcuar bazën e provave dhe analizën për të mbështetur një proces përcaktimi përparësish si pjesë e shkencës së qasjes së jetësimit të përqafuar nga Qeveria e Shqipërisë pas fillimit të punës në shtator të vitit 2013.
Arsyetimi për hartimin KPV-së rreth pesë përparësive kryesore të përzgjedhura mes dymbëdhjetë përparësive të ASV-së mbështetet tek këto filtra shtesë përzgjedhjeje:
ASV-ja ka përcaktuar 12 fusha të gjera përparësish për veprim për t’i bërë të mundur Shqipërisë të bëjë përpara drejt arritjes së objektivave binjake. Ekipi e vendit bëri ndarjen e këtyre 12 fushave klasifikur sipas përparësive në tri grupe të dallueshme mbështetur në ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë mbi arritjen e objektivave binjakë: përparësi themelore, përparësi mbështetëse dhe përparësi përkrahëse. Përparësitë që kanë ndikimin më të madh mbi rritjen, uljen e varfërisë dhe përfshirjen konsiderohen si përparësi themelore, përparësitë të cilat më pas formojnë bazën për përzgjedhje ose selektivitet për përcaktimin e programit të GBB-së brenda KPV-së. Pjesa e mbetur e përparësive konsiderohen si përparësi mbështetëse dhe përparësi përkrahëse që shërbejnë për të rritur ndikimin dhe qëndrueshmërinë e përparësive themelore. Pesë përparësitë themelore të identifikuara nga ASV-ja janë: i) kthimi i qëndrueshmërisë fiskale dhe stabilitetit financiar; ii) krijimi i një mjedisi biznesi me cilësi të lartë, i cili promovon rritjen e kompanive dhe hapjen e vendeve të punës; iii) ofrimi i energjisë së pastër në mënyrë efikase, të barabartë dhe të qëndrueshme; iv) formalizimi dhe rritja e gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë së tregut të tokës; dhe v) rritja e qeverisjes, transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë.
Kthimi i qëndrueshmërisë fiskale dhe ruajtja e stabilitetit financiar – kjo është fushë avantazhi krahasues dhe angazhimi të gjatë të GBB-së, pasi GBB-ja ofron analiza makro-ekonomike të bazuara dhe një ndarje të mirëpërcaktuar pune me FMN-në. Me angazhimin e nivelit më të lartë të qeverisë për të trajtuar mungesat e gjata të ekuilibrit, GBB-ja ka mundësi të paprecedentë për të mbështetur reformat në këtë fushë. GBB-ja ka po ashtu avantazh krahasues ndërmjet partnerëve ndërkombëtarë në menaxhimin e investimeve publike me një ekip të fortë të punës analitike, përfshirë dhe Analizat e Financave Publike.
Krijimi i një mjedisi biznesi me cilësi të lartë – angazhimi i GBB-së në Shqipëri reflekton një avantazh krahasimor global në këtë fushë (që është më i dukshëm nëpërmjet raportit Doing Business); po ashtu, GBB-ja ka angazhim të suksesshëm në këtë fushë në shtetet fqinje të Ballkanit. Angazhimi shfrytëzon dhe avantazhet plotësuese të IBRD-së dhe të IFC-së, duke u mbështetur në përfshirjen e vazhdueshme këshillimore të IFC-së. Në të bën pjesë ekspertiza e GBB-së për t’i ardhur në ndihmë qeverisë për të realizuar reforma ligjore dhe rregullatore me synim përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe të klimës së investimeve. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë rol udhëheqës në këtë fushë ndërsektoriale dhe është një kampione efektive dhe pikë fokale për thellimin e reformës.
Ofrimi i energjisë së pastër, eficente, të barabartë dhe financiarisht të qëndrueshme – GBB-ja do të mbajë nivel të lartë angazhimi ndërsa aplikon mësimet e nxjerra nga angazhimet e saj në të shkuarën në sektorin energjetik në Shqipëri. GBB-ja do të angazhohet në ndërhyrje të mëdha që priten të mbështesin një rezultat transformues në performancën e sektorit të energjisë. Qeveria ka filluar të bëjë një fushatë me profil të lartë për përmirësimin e performancës në sektorin energjetik. Forca e plotë e kombinuar e IBRD-së, IFC-së dhe MIGA-s do të përdoret për t’iu përgjigjur nevojave për reformë dhe për investime në sektor. Angazhimi i GBB-së bën të mundur përfitimin në maksimum nga burimet dhe nga partnerë të tjerë, të tillë si BERZH-i dhe BE-ja.
Formalizimi dhe rritja e gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë së sektorit të tokës – GBB-ja njihet përgjithësisht si partner drejtues për reformat e administrimit të tokës në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dhe Shqipërinë, ku angazhimi i mëparshëm i GBB-së ka ndihmuar sisteme të përmirësuara rregullatore dhe rezultate të matshme për regjistrimin dhe menaxhimin e tokës. GBB-ja ka po ashtu rezultate të suksesshme të mbështetjes së pastrimit mjedisor dhe menaxhimit të tokës në Shqipëri, që kanë rëndësi për turizmin e qëndrueshëm bregdetar.
Rritja e qeverisjes, transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë – GBB-ja do të mbështetet në bazën e saj analitike dhe avantazhet krahasuese ndërmjet partnerëve të tjerë të zhvillimit për të mbështetur reformat e ofrimit të shërbimeve publike. Ajo është e pozicionuar mirë për të mbështetur reformat e shëndetit publik duke i bërë ato më transparente, më mirë të qeverisura dhe më të përqendruara tek qytetarët. Qeveria ka shprehur angazhimin më të madh në nivelet më të larta për të transformuar marrëdhënien ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë dhe ka përvetësuar shkencën e qasjes së jetësimit për ta zbatuar këtë objektiv, gjë për të cilën GBB-ka ka kapacitet dhe njohuri për të mbështetur.
Angazhimi do të përbëhet nga dymbëdhjetë objektivat e KPV-së të grupuara në tri fusha të gjera kryesore:
Fusha e rëndësishme 1: kthimi i balancave makroekonomike. ASV-ja i konsideron qëndrueshmërinë makro-fiskale dhe stabilitetin e sektorit financiar si përparësitë më të mëdha, për shkak të ndikimit themelor mbi aftësinë e vendit për të kaluar në një model rritjeje të përshpejtuar dhe të qëndrueshëm. Pikat e dobëta ekonomike të Shqipërisë përkeqësohen nga borxhi i lartë publik dhe pagesat e prapambetura, planifikimi i papërshtatshëm dhe menaxhimi i investimeve publike, veçanërisht në infrastrukturën e transportit, deficitet fiskale të paqëndrueshme dhe mungesa e balancave në sektorit financiar, përfshirë volumin e madh të kredive të këqija. Në kuadrin afatshkurtër dhe më tej, këto pika të dobëta mund të prekin gjenerimin e përfitimeve të mirëqenies sociale dhe shpërndarjen e tyre ndërmjet familjeve dhe kompanive, aftësinë e familjeve dhe të firmave për të akumuluar asete dhe kthimet që marrin familjet dhe kompanitë. Masat për përshpejtimin e rritjes do të mbështesin rritjen e të ardhurave, duke kontribuar në këtë mënyrë për objektivat binjake. Për shembull, pagimi i pagesave të prapambetura publike po çon në rritje të prurjeve financiare në sektorin privat, gjë e cila ka të ngjarë të rrisë kërkesën e brendshme dhe të kontribuojë drejtpërdrejt mbi rritjen dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Trajtimi i sfidave makro-fiskale dhe financiare është parakusht për vendin për të kaluar në një model të ri rritjeje. Strategjia propozon tri objektiva të ndërlidhura të KPV-së të mbështetura nga një program i fortë ndërhyrjesh teknike dhe financiare për të zbatuar kuadrin makro-fiskal afatmesëm të dakordësuar. Një objektiv i KPV-së në këtë fushë do të përqendrohet tek konsolidimi fiskal, duke reformuar fusha me detyrime fiskale të paqëndrueshme, të tilla si pensionet. Pagat dhe pensionet ishin shtytësit kryesorë të uljes së madhe të varfërisë së Shqipërisë përpara vitit 2008. Reforma e pensioneve përfshin pensionet sociale të synuara për të mbështetur të varfërit dhe popullsinë vulnerabël. Një tjetër objektiv do të përqendrohet tek rritja e transparencës dhe parashikueshmërisë në financimin dhe menaxhimin e investimeve publike, veçanërisht në infrastrukturë. Menaxhim më i mirë i shpenzimeve dhe ulja e shpenzimeve joeficente do të krijojë hapësirë për investime në shërbimet sociale dhe në infrastrukturën publike, gjë e cila do të kontribuojë në rritjen e mirëqenies sociale të shtresës së të varfërve dhe të fundit të 40 përqindëshit të popullsisë nëpërmjet rritjes së aksesit tek shërbimet dhe hapja e vendeve të reja të punës. Objektivi i tretë i KPV-së do të trajtojë dobësitë e sektorit financiar që cenojnë stabilitetin dhe minojnë rolin e institucioneve të sektorit financiar për nxitjen e rritjes dhe të prosperitetit të përbashkët.
Fusha e rëndësishme 2: krijimi i kushteve për përshpejtimin e rritjes së sektorit privat. Kjo fushë do të ofrojë mbështetje transformuese për Shqipërinë, nëpërmjet pesë objektivave të KPV-së, gjë e cila korrespondon me tri prej përparësive kryesore të ASV-së: i) krijimi i një mjedisi biznesi me cilësi të lartë; ii) ofrimi i energjisë së pastër, eficentë dhe financiarisht të qëndrueshme; dhe iii) formalizimi dhe rritja e gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë së tregut të punës. Objektivat e KPV-së në këtë fushë të rëndësishme mbështesin reformat e qeverisë nëpërmjet ndërhyrjeve që promovojnë rritjen dhe zgjerojnë përfshirjen e të varfërve dhe të grupit të poshtëm të 40 përqindëshit të popullsisë. ASV demonstron në mënyrë empirike mangësi në mjedisin e biznesit sipas standardeve globale, pavarësisht progresit të kohëve të fundit. Për këtë arsye, përmirësimi i mjedisit të biznesit është objektiv i KPV-së brenda kësaj fushe të rëndësishme. Pengesat qendrore përfshijnë një barrë të rëndë rregullatore, kuadër të papërshtatshëm për investimet private, informalitet të lartë, logjistikë dhe lehtësim minimal tregtimi, pengesa për angazhimin në tregun e punës, përkim i dobët i aftësive me punën e kryer, praktika të papërshtatshme të qeverisjes së korporatave dhe të raportimit financiar të cilat kufizojnë aksesin e kompanive në financim dhe në investim. Reformat për përmirësimin e mjedisit të biznesit janë kritike për krijimin e vendeve të punës dhe mund të forcojnë lidhjen ndërmjet rritjes ekonomike dhe uljes së varfërisë. Objektivi i dytë i KPV-së që lidhet me mjedisin e biznesit do të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit duke pasur parasysh potencialin e tij të madh si shtytës kryesor për rritjen, hapjen e vendeve të reja të punës dhe investimet. Mungesa e stabilitetit në furnizimin me energji elektrike është identifikuar si pengesa kryesore për të bërë biznes në Shqipëri, dhe përbën objektivin e tretë të KPV-së brenda kësaj fushe të rëndësishme. Për më tepër, subvencionimet e qeverisë janë në nivel fiskal të paqëndrueshëm në një sektor ku humbjet teknike dhe jo-teknike ishin të barabarta thuajse me gjysmën e energjisë së prodhuar në fund të vitit 2013. Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji është një ndër gurët kryesorë të themelit për rritjen e investimeve, rritjen, hapjen e vendeve të reja të punës dhe uljen e varfërisë. Zhvillimi i potencialit të Shqipërisë për hidrocentrale mund të shërbejë si shtytës i fortë për rritjen ekonomike për t’ju ardhur në ndihmë rajoneve më pak të avantazhuara të tejkalojnë pabarazitë në varfëri. Përparësia e ASV-së e lidhur me tokën do të trajtohet nëpërmjet dy objektivave të tjera të KPV-së. E para përqendrohet tek zgjidhja e çështjeve historike të tokës dhe të pronësisë, të cilat janë jetike për stimulimin e investimeve urbane dhe rurale, për të tejkaluar varfërinë si dhe pabarazitë rajonale në nivelet e varfërisë. Objektivi i dytë i KPV-së për tokën do të përqendrohet tek forcimi i produktivitetit dhe qëndrueshmërisë së përdorimit të tokës për promovimin e zhvillimit. Kjo përfshin përdorimin më të mirë të burimeve të bollshme agro-pyjore të Shqipërisë (që është një element i rëndësishëm i përfshirjes në zhvillimin ekonomik). Sigurimi i të drejtave të pronësisë, formalizimi i parcelave të tokës dhe menaxhimi i qëndrueshëm i tokës do të kenë ndikim pozitiv mbi përmirësimin e pabarazive rajonale lidhur me varfërinë, uljen e varfërisë dhe përmirësimin e mirëqenies në 40 përqindëshin e fundit duke bërë të mundur një përdorim më të sigurtë dhe produktiv të aseteve. Rigjenerimi ekonomik i zonës bregdetare nëpërmjet zhvillimit të integruar të turizmit do të hapë një gamë mundësish ekonomike, të cilat do të kontribuojnë drejt kapërcimit të pabarazive lidhur me varfërinë. Në përgjithësi, në këtë fushë të rëndësishme që i dedikohet rritjes së sektorit privat, do të gërshetohet angazhimi operacional GBB-së dhe niveli AAA tek aftësitë, punësimi, çështjet e tokës dhe të drejtat e pronësisë dhe do të hartohen masa për uljen e pabarazive rajonale dhe rritjen e përfshirjes.
Fusha e rëndësishme 3: forcimi i menaxhimit të sektorit privat dhe ofrimit të shërbimeve. Kjo fushë trajton përparësinë themelore të ASV-së për përmirësimin e qeverisjes, rritjen transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë. Brenda kësaj përparësie të ASV-së, programi i GBB-së do të përqendrohet në mënyrë selektive në ndërhyrjet e lidhura me menaxhimin e sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve, ku GBB-ja ka demonstruar avantazhe krahasuese. Reformat e shërbimit civil, siguria dhe shteti i së drejtës po mbështeten nga BE-ja dhe nga partnerë të tjerë. Mbështetja e GBB-së synon në mënyrë më të drejtpërdrejtë besimin e qytetarëve tek qeverisja, forcimin e ofrimit të shërbimit, përmirësimin e ekzekutimit të shërbimit dhe aksesin në shërbimet bazë. Këtu përfshihet mbështetja për rritjen e sektorit privat nëpërmjet partneriteteve publike dhe private (PPP) për t’u angazhuar në ekzekutimin e shërbimeve. Ky program do të mbështesë katër objektiva të KPV-së. Objektivi i parë përqendrohet tek eficenca e përgjithshme e ekzekutimit të shërbimit publik. Një mjedis i dobët ligjor, rregullator, dhe qeverisës shihet si kontribuesi kryesor i cilësisë së dobët të shërbimeve, llogaridhënies së kufizuar ndaj përdoruesve të shërbimit dhe si jo i aftë për të ofruar nivel të barabartë shërbimesh për të varfërit dhe personat vulnerabël. Sektori publik shqiptar karakterizohet nga sisteme të dobëta të menaxhimit të performancës dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në ofrimin e shërbimit. Shërbimet publike në Shqipëri karakterizohen nga mungesa e eficencës në shpenzime, kapacitetet e dobëta institucionale, nivelet e ulëta të llogaridhënies, pabarazitë social-ekonomike dhe shkalla e lartë e pagesave informale duke e drejtuar gishtin tek korrupsioni. Duhet të krijohet besim më i madh tek qytetarëve dhe qeverisë nëpërmjet ndryshimeve në ndërveprimet e qytetarëve me qeverinë. Tri objektivat e tjera të KPV-së përqendrohen tek cilësia dhe përshtatshmëria e ofrimit të shërbimit në mbrojtjen sociale, shëndetësi dhe furnizimin me ujë për 40 përqindëshin e fundit të popullsisë, popullsinë në rajonet më të varfëra të vendit dhe komunitetet vulnerabël, përfshirë dhe komunitetin rom. Angazhimi i GBB-së në këtë fushë do të mbështesë drejtpërdrejt përpjekjet e qeverisë për etiketim më të mirë, ndërsa përmirësohet kontakti me shërbimet publike dhe disponueshmëria e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.