Banka Botërore vetëm pak vite më parë miratoi një Kuadër Partneriteti me Shqipërinë, e cila përfshinte vitet 2015-2019, me një vlerë financiare prej 1.2 miliardë dollarë, e cila do të shtrihej në disa programe. Por kur kanë kaluar disa vite nga nisja e zbatimit duket se pjesa më e madhe e këtyre parave tashmë janë shpenzuar.
Në publikimin e fundit të saj për Shqipërinë, që i përket muajit tetor dhe që bën përmbledhjen e situatës ekonomike, reformave dhe implementimit të projekteve të ndryshme mbështetëse bëhet edhe një bilanc mbi ecurinë e deritanishme të këtij Kuadri.
“Kuadri i Partneritetit të Vendit 2015-2019 rriti angazhimin e Bankës Botërore në disa programe huadhënieje që kapin një vlerë totale prej 1.2 miliardë lekësh dhe që fokusohet në tre fusha kryesore: rifitimi i balancës makroekonomike, krijimi i kushteve për shpejtimin e rritjes së sektorit privat, si dhe forcimi i menaxhimit të sektorit publik dhe dhënies së shërbimeve.
Të paktën 70% e programit është dorëzuar duke mbështetur qeverinë në disa nga prioritetet e saj kyçe, përfshirë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë makroekonomike dhe fiskale, si dhe qeverisja apo llogaridhënia në shërbimet publike, energji, sektori i ujit.
Aktualisht po përgatitet një Rishikim i Progresit që do të reflektojë çdo ndryshim potencial në prioritetet e qeverisë” thuhet në dokumentin e Bankës Botërore.
Banka nënvizon se në total, portofoli i saj përfshin 10 hua për 10 projekte të veçantë me një total prej 615 milionë dollarësh. Nga këto, të paktën 597.7 milionë janë kredi të marra përmes IBRD, 35 milionë dollarë nga IDA. Po kështu edhe 7 grante me një vlerë 14 milionë dollarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.