Krijimi i rivalëve ndaj FMN-së dhe Bankës Botërore është më i lehtë se sa drejtimi i tyre
Për vite me radhë, vendet e BRICS kanë këmbëngulur se janë më shumë se një akronim. Për të larguar çdo dyshim, krerët e Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, të cilët u mblodhën në qytetin brazilian Fortaleza për takimin e tyre të gjashtë vjetor në korrik, njoftuan krijimin e dy institucioneve financiare: New Development Bank (NDB), për të financuar infrastrukturën dhe projekte për ‘zhvillim të qëndrueshëm’, me një kapital fillestar prej 50 miliardë dollarësh dhe Contingent Reserve Arrangement (CRA), prej 100 miliardë dollarësh për të mbështetur anëtarët në vështirësi financiare.
Në sipërfaqe, NDB dhe CRA, i cili ende duhet të miratohet nga parlamentet e pesë vendeve, të krijojnë përshtypjen e rivalëve ndaj Bankës Botërore dhe FMN-së, që së bashku përfaqësojnë bazën e rendit ekonomik të pasluftës.
BRICS ankohen se Bretton Woods, i quajtur kështu sipas një qyteti të New Hampshire, ku ata u mblodhën 70 vjet më parë këtë muaj, nuk i kushtojnë shumë rëndësi vendeve në zhvillim. Kina, ekonomia e së cilës renditet e dyta në botë pas Amerikës, ka më pak vota atje sesa vendet e Beneluksit. Amerika dhe Europa janë treguar të ngadalta për të korrigjuar këtë pabarazi.
Përfituesit e cash-it të FMN-së nuk i pëlqejnë gjithashtu reformat e ashpra sipas të cilave është e kushtëzuar ndihma, për të mos përmendur tonin me të cilin diktohen ato. Në Fortaleza, Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë, e lartësoi NDB dhe CRA si një mënyrë për të parandaluar ‘ngacmimet’ e vendeve, politika e jashtme e të cilave përplaset me atë të Amerikës apo Europës (ashtu siç bëri aneksimi i tij i Krimesë).
Megjithatë institucionet e reja nuk janë aq sabotuese sa mund të duken, të paktën nën maskën e tyre aktuale. Ndryshe nga FMN, CRA nuk është një fond por një ‘amalgamë’ premtimesh bilaterale për të krijuar rezerva të huaja (41 miliardë dollarë nga Kina, 5 miliardë dollarë nga Afrika e Jugut dhe 18 miliardë dollarë secili nga të tjerët) në dispozicion të BRICS në vështirësi. Çdo vend do të jetë në gjendje të shfrytëzojë një ‘shumë’ të kontributit të tij. Por pavarësisht shpërthimit të z. Putin, çdo gjë mbi 30% të asaj shume do të jetë, sikundër nënkupton emri i instrumentit, aksidentale – përfshirë edhe pjesëmarrjen në një program të FMN.
NDB, nga ana e saj, bashkohet me një sërë akronimesh të bankave të zhvillimit rajonal dhe kombëtar, kreditimi i të cilave ka reduktuar 52.6 miliardë dollarë që likuidoi Banka Botërore vitin e kaluar. Në 2013, BNDES i Brazilit shpërndau 88 miliardë dollarë. Ekuivalenti i saj kinez emetoi kredi me vlerë 240 miliardë dollarë. Kina po krijon gjithashtu një bankë të infrastrukturës aziatike (ku ka ftuar Indinë për t’iu bashkuar, por, për arsye gjeografike, jo për të tjerët).
Edhe kur kapitali i NDB-së rritet eventualisht në 100 miliardë dollarë, përfshirë edhe nga shtetet dhe institucionet jashtë BRICS, kjo do të linte pjesën më të madhe të nevojave të infrastrukturës së botës në zhvillim të paplotësuara. Banka Botërore vlerëson se vetëm Azia e Jugut kërkon 2.5 trilionë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Kina ishte e gatshme të kontribuonte më shumë. Por, India dhe Brazili, të lumtur që e përdorin bankën si një mënyrë politikisht e pëlqyeshme për të shfrytëzuar cash-in e Kinës, por të shqetësuar për dominimin e saj po aq sa janë për Perëndimin, këmbëngulën për një ndarje të barabartë. Afrika e Jugut mund të përballojë vetëm 10 miliardë dollarë.
Politika nuk mbaron këtu. Diskutimi mes Kinës dhe Indisë mbi selitë e bankës, dhe mes Indisë dhe Brazilit se cili duhet ta mbajë Presidencën e parë 5-vjeçare me rotacion, gati e prishi marrëveshjen. Udhëheqësit e BRICS u vendosën në Shangai dhe një indian, pritet ende për t’u emëruar. Por një brazilian është ai që do të kryesojë bordin e drejtorëve dhe një rus bordin e guvernatorëve. Ata nuk mund të lëvizin të gjithë në të njëjtin drejtim.
Këtu qëndron pengesa më e madhe për funksionimin e Fortaleza. Përveçse janë të mëdhenj dhe në zhvillim (arsyeja se pse ekonomistët në Goldman Sachs, një bankë investimesh, shpikën termin në vitin 2001), BRICS kanë pak gjëra të përbashkëta. Ekonomia kineze është 28 herë më e madhe se ajo e Afrikës së Jugut (jo pjesë e grupit origjinal Goldman). Të ardhurat për person në Indi janë një e dhjeta e të ardhurave në Rusi. Diferenca të tilla do të krijojnë vështirësi për të rënë dakord edhe mbi parimet themelore, sikundër (përveç vetes) në çfarë kushtesh mund të japin kredi apo kush llogaritet si ‘zhvillim i qëndrueshëm’, vë në dukje Douglas Rediker i International Capital Strategies, një agjenci konsulence.
Institucioneve të Bretton Woods iu deshën dekada të tëra për të rregulluar gjithçka – dhe ata dominohen nga demokracitë liberale që ndajnë të njëjtin vizion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.