Banka e Detit të Zi, një dritare e hapur kreditimi për bizneset
Shqipëria si një aksioner i Bankës së Detit të Zi (BSTDB) ka mundësi të përfitojë edhe më shumë nga financimet e saj. Xhentil Demiraj, Këshilltar i Lartë i Komitetit të Menaxhimit të Bankës, tha se objektivat afatmesme janë në përputhje me nevojat e zhvillimit të Shqipërisë, të sektorit privat, si dhe me prioritetet e qeverisë. Ja paketa e kredisë për Shqipërinë
Banka e Detit të Zi po shfaq gatishmëri të lartë për të kredituar ekonominë shqiptare dhe për këtë qëllim, ekspertët e saj janë duke zhvilluar takime të ngushta me bizneset dhe grupet e tjera të interesit në vendin tonë.
Xhentil Demiraj, Këshilltar i Lartë i Komitetit të Menaxhimit të Bankës, tha se Shqipëria si një aksioner i Bankës së Detit të Zi (BSTDB) duhet të përfitojë edhe më shumë nga financimet e saj. Ai pohoi se financimet mund të akordohen ndaj sektorit publik, atij privat dhe partneriteteve publike-private.
Portofoli i huas së Bankës i ka kaluar mbi 1 miliard eurot, ndërsa Shqipëria mbetet ende e nënfinancuar. Banka lëshon kredi kryesisht për projekte të mëdha të infrastrukturës dhe njeh raste shumë të suksesshme në ato të energjisë, të prodhimit industrial dhe bujqësor, të shëndetit publik, të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të ndërtimit etj.
Projektet për Shqipërinë
Banka ka një interes të madh për të rritur investimet në Shqipëri, si në sektorin publik dhe atë privat.
“Objektivat tona afatmesme janë në përputhje me nevojat e zhvillimit të Shqipërisë, të nevojave të sektorit privat, si dhe me prioritetet e qeverisë”,- tha Demiraj
Në sektorin e energjisë, interesi i Bankës përqendrohet në stabilizimin e sektorit dhe efikasitetin, rritjen e prodhimit hidro-energjetik dhe mbështetjen e rrjeteve të ndërlidhjes, tha Demiraj.
Në sektorin e bujqësisë, fokusi do të jetë në financimin e qendrave të magazinimit, përpunimit, si dhe serat e orientuara drejt eksportit.
Prodhimi për eksport, veshjet dhe industria e këpucëve, bimët mjekësore, përpunimi i peshkut, janë në interes për financime nga Banka e Detit të Zi.
Infrastruktura e transportit me përmirësimin e rrugëve dhe mirëmbajtjes së tyre, rrjetit hekurudhor rajonal, janë në fokus gjithashtu.
Infrastruktura komunale, gjithashtu me ujin dhe kanalizimet, riciklimin e mbeturinave urbane, transportin lokal, etj.
Minierat, parqet logjistike, parqet industriale, TAP dhe gazifikimit shihen me interes për financim nga Banka e Detit të Zi dhe gjithashtu turizmi është një potencial i madh, por i pazhvilluar nga mungesa e një strategjie afatgjatë të integruar.
Vlerësimi për rritjen
Shqipëria u bë një kandidat i BE-së në qershor 2014, duke pritur të fillojë bisedimet e pranimit në fillim të 2016-s.
Pas një dekade me një rritje mesatare 6% (2000-2008), ekonomia u përball me një ngadalësim progresiv që nga viti 2009. Efekti i plotë i krizave rajonale dhe globale u vonua për shkak të politikave agresive kundërciklike në 2008-2009, por këto politika patën dhe efektin negativ të rritjes së borxhit publik dhe të detyrimeve të prapambetura.
Gjatë viteve 2009-2011, rritja ekonomike ishte në mes të 3-4%; më pas kaloi në një periudhë prag-stanjacioni me rreth 1% rritje vjetore në vitet 2012 dhe 2013, dhe me një përmirësim modest në vitin 2014 dhe 2015 (2.1, 2.3% e pritshme).
Perspektivat afatmesme 2016-2018 tregojnë për një rritje 3.3-4.3%, por nuk ka gjasa që ekonomia të kthehet në potencial para vitit 2020.
Perspektiva pengohet nga mungesa e kreditimit në sektorin real të ekonomisë, kreditë me probleme në nivele të larta, bilancet e rrezikuara të korporatave, pasiguria e mbledhjes së të ardhurave, si dhe rënia e remitancave.
Nga ana tjetër, stabilizimi i sektorit të energjisë dhe formalizmi i ndërtimeve të paligjshme pritet të gjenerojë më shumë të ardhura në vitet në vijim. Gjithashtu përmirësimet në zonën e euros dhe ndërtimi i gazsjellësit TAP do të ndihmojë perspektivat e rritjes afatmesme.
Avantazhet
Duke qenë rajonale, Banka e Detit të Zi i njeh me hollësi nevojat e rajonit. Prania lokale e lejon atë për të mbushur boshllëqet, duke dhënë financime të drejtpërdrejta ndaj kompanive të nivelit të dytë. Ekspertët e saj shpjeguan se mund të alokojnë hua shtesë me kushte konkurruese për firmat rajonale.
Orhan Aytemiz, drejtor për Industritë e Përgjithshme të BSTDB, tha se, Banka merr elementet e rrezikut politik të vendit ku operon, që shpesh i mbajnë investitorët privatë larg dhe gjithashtu përmirëson qasjen në financim për kompanitë e vendeve anëtare.
Aytemiz tha se operacionet e financuara nga Banka janë të hapura për investitorët nga jashtë rajonit për investimet që mund të bëhen në rajon.
Kompanitë publike dhe private mund të financojnë operacionet e tyre të investimeve.
BSTDB nuk është një organizatë që synon maksimizimin e fitimit dhe asnjë huadhënie nuk është e motivuar politikisht apo tërësisht koncesionare.
Kushtet e financimit
Banka e Detit të Zi, aksionere dhe anëtare e së cilës është edhe Shqipëria, prezantoi javën e kaluar për grupet e interesit në Shqipëri paketën e saj të huas. Në takim ishin të pranishëm drejtues të bankave tregtare në vend, korporata dhe përfaqësues të bizneseve të interesuar për linjat e financimit.
Roman Matkwsky, drejtor për Energjinë dhe Infrastrukturën, shpalosi sektorët ku banka është e interesuar të kreditojë. Energjia, infrastruktura dhe nxitja e eksporteve ishin në fokus të tyre.
Banka e Detit të Zi financon rreth 35% të totalit të një projekti të ri dhe afatet e maturimit janë 7-15 vjet. Financimi në një projekt varion nga 5-50 milionë euro.
Portofoli i kreditimit të Bankës në Shqipëri deri më tani është 55 milionë euro, nga të cilat janë disbursuar 47 milionë euro, ndërkohë që investimet totale të bankës gjatë 15 viteve të fundit kanë kaluar 110 milionë euro.
Në fund të vitit 2014, portofoli kumulativ BSTDB në 11 vende anëtare të saj ka arritur në 304 operacione të miratuara në sektorët kyç të infrastrukturës, energjisë, transportit, prodhimit, telekomunikacionet, sektorin financiar dhe fusha të tjera të rëndësishme që arrijnë në rreth 3.5 miliardë euro.
Në varësi të kushteve të përcaktuara në krijimin e Marrëveshjes, Banka mund të sigurojnë ose të lehtësojnë financim për operacione brenda dhe midis vendeve anëtare, duke i dhënë theks të veçantë, kudo që të jetë e mundur, për operacionet që nxisin zhvillimin ekonomik dhe social dhe forcimin e bashkëpunimit midis vendeve anëtare.
Sfidat e rajonit
Duke u renditur në A2 nga Moody dhe A- nga Standard & Poor, BSTDB është një nga institucionet financiare më të vlerësuara që veprojnë në rajon.
Perspektivat e rajonit të Detit të Zi, përfshirë Greqinë dhe Shqipërinë, kanë ardhur duke u dobësuar për shkak të faktorëve që vijnë nga trazirat financiare në Eurozonë.
Gjithsesi, modeli ekonomik rajonal sugjeron se vështirësitë strukturore të ekonomisë mund të minojnë potencialin e rritjes dhe uljen e këtyre rreziqeve.
Flukset e investimeve e dobëta janë problematike jo vetëm për efektin e tyre të menjëhershëm të uljes, por edhe për efektin e tyre afatgjatë në rritjen e PBB-së dhe nga ana tjetër, mungesa e investimeve kërcënon potencialin e rritjes ekonomike.
Investimet e Huaja Direkte janë një përbërës i nevojshëm për të nxitur qëndrueshmërinë e rritjes, megjithatë, ato kanë rënë kohët e fundit. Paqëndrueshmëria e zgjatur dhe rëniet që nga viti 2009 kanë ndikuar negativisht në perspektivat e rritjes afatgjatë.
Viti 2016 pritet të shfaqë rritje të moderuar pozitive, duke shënuar ndoshta “pikën e kthimit” drejt një rritjeje të qëndrueshme në afatgjatë.
Plani afatmesëm
Banka e Detit të Zi në planet e saj ka rritjen e portofolit të huas deri më 2018 në rreth 1.2 miliardë euro, që supozon një rritje vjetore me 7.5% të portofolit. Rritja e ekspozimit ndaj sektorit publik do të jetë 15-20%. Rritja e pjesës së financimit të tregtisë do të jetë në mes të 10-15%. Banka synon një diversifikim më të madh gjeografik të portofolit. Synohet rritje e huamarrjes në nivelin 600.000.000 mln euro. Banka do të synojë të zbatojë strategji të përshtatura për çdo shtet anëtar dhe do të vijojë angazhimin për anëtarësimin e vendeve të reja. BSTDB është themeluar nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Rusia, Turqia dhe Ukraina, të cilat janë 11 vendet themeluese të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), si një shtyllë financiare e BEDZ.
Banka e Detit të Zi ofron një gamë të gjerë të instrumenteve financiare dhe merr një qasje fleksibile në strukturimin e produkteve të saj financiare.
Format kryesore të financimit të drejtpërdrejtë të ofruara nga banka janë Kredi dhe garancitë, bashkëfinancimet me institucione të tjera financiare, si dhe pozicione të bashkëfinancimit me kapital aksioner.
Produktet financiare mund të ofrohen ndaras ose në ndonjë kombinim.
Kushtet e produkteve të Bankës janë të përshtatura për të përmbushur nevojat specifike të secilit klient. Rregullimet mund të bëhen gjatë gjithë jetës së një operacioni, nëse parashikohet në dokumentacionin origjinal.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.