Banka e Shqipërisë: Ekonomia më 2019, rriten presionet negative

08/01/2019 1:53 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë pret që ekonomia të rritet me ritmet e vitit 2018 edhe më 2019, porse faktorët që mund të ndikojnë negativisht këto zhvillime janë më të shumtë.

Në një material të posaçëm të përgatitur nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë për “Monitor” për zhvillimet ekonomike të vitit 2019 dhe në periudhën afatmesme, Banka Qendrore parashikon se rritja do të vijojë të ushqehet, në masën më të madhe, nga gjallërimi i konsumit dhe investimeve në ekonomi, ndërkohë që kontribut pozitiv pritet të vijë edhe nga rritja e mëtejshme e eksporteve.

Por në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, balanca e rreziqeve qëndron e zhvendosur në kahun e poshtëm. Kjo do të thotë se probabiliteti i ngjarjeve, të cilat mund të prodhojnë shmangie të ekonomisë në kahun e poshtëm të pritjeve është më i madh se probabiliteti i ngjarjeve, të cilat mund të sjellin surpriza pozitive, pra shmangie në kahun e sipërm.

Banka e Shqipërisë vë në dukje se ambienti i huaj vijon të karakterizohet nga paqartësi lidhur me kahun dhe intensitetin e zhvillimeve ekonomike. Ky tipar është veçanërisht i pranishëm në partnerët tanë kryesorë tregtarë, si Italia dhe Greqia, por edhe në vendet e Bashkimit Europian dhe të Eurozonës. Në rast reduktimi të ritmit të rritjes, forcimi të barrierave proteksioniste, apo problemeve dhe turbullirave financiare në to, ndikimi në Shqipëri do të ishte i pashmangshëm.

Së dyti, me gjithë konsolidimin progresiv të burimeve të rritjes ekonomike, qëndrueshmëria e tyre nuk duhet të merret e mirëqenë. Ekonomia shqiptare ka qenë dhe do të mbetet subjekt goditjesh, të cilat mund ta shmangin atë nga trendi i rritjes dhe të cilat mund të dëmtojnë edhe perspektivën afatmesme e afatgjatë të zhvillimit. Goditje të tilla nuk mund të përjashtohen as në të ardhmen, e afërt, të mesme apo të largët.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2018?

Viti 2018 ishte, në tërësinë e tij, një vit progresi për ekonominë shqiptare. Ky progres ishte i pranishëm në disa drejtime. Së pari, ritmi i rritjes erdhi në përshpejtim. Ky përshpejtim u ndihmua nga kushtet e favorshme të motit, të cilat sollën dhe rritjen e ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike, por ai pasqyroi dhe zgjerimin e vazhdueshëm të kërkesës së brendshme dhe rritjen e shpejtë të eksporteve shqiptare.

Së dyti, pozicioni ciklik i vendit u përmirësua dhe ekonomia shqiptare iu afrua më tej ekuilibrit të saj. Kjo ecuri dëshmohet nga rritja e punësimit dhe rënia e normës së papunësisë, nga rritja e pagave dhe nga forcimi i presioneve të brendshme inflacioniste.

Së treti, balancat kryesore ekonomike u përshpejtuan: deficiti buxhetor mbeti në nivele të ulëta, ndërsa borxhi publik erdhi në rënie; deficiti i llogarisë korrente u reduktua dhe pozicioni i jashtëm i ekonomisë – sikundër dëshmohet nga ecuria e borxhit të huaj – erdhi në përmirësim. Së fundi, treguesit e shëndetit të sistemit financiar, si likuiditeti, kapitali dhe përfitueshmëria, erdhën po ashtu në përmirësim apo qëndruan në parametra të lartë.

Kjo ecuri u mundësua nga një ambient i favorshëm financiar, i cili pasqyron politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, por dhe përpjekjet e qeverisë për konsolidim fiskal; nga balancat e përmirësuara financiare të biznesit dhe familjeve; nga një këndvështrim më optimist për të ardhmen nga bizneset dhe familjet shqiptare; si dhe nga një ambient i huaj i favorshëm.

Në një plan më afatgjatë, duhet evidentuar dhe roli pozitiv i reformave strukturore të ndërmarra ndër vite. Këto reforma kanë reduktuar rreziqet fiskale, kanë ndihmuar përdorimin më efektiv të financave publike, si dhe kanë krijuar premisat për një rritje më të shpejtë të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në vitet e ardhshme.

Të gjithë këta indikatorë japin sinjale inkurajuese për ecurinë e ekonomisë në vitet në vazhdim. Nga ana tjetër, viti 2018 shënoi edhe disa zhvillime të rëndësishme strukturore, veçanërisht në drejtim të konsolidimit të sektorit bankar, si dhe identifikoi disa sfida dhe oportunitete shtesë për zhvillimin e vendit në horizontin kohor afatmesëm e afatgjatë. Detyra jonë si politikëbërës është identifikimi dhe trajtimi i tyre me prioritet.

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë në 2019-n dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm në stabilitetin ekonomik të vendit?

Pritjet tona, sipas skenarit bazë, janë për një përmirësim të mëtejshëm të pozicionit ciklik të vendit në vitin 2019 e në vazhdim. Më konkretisht, parashikimet tona, bazuar në trendet ekonomike e financiare dhe faktorët mbështetës të tyre, janë për një rritje ekonomike afër nivelit të vitit të shkuar. Kjo rritje do të vijojë të ushqehet, në masën më të madhe, nga gjallërimi i konsumit dhe investimeve në ekonomi, ndërkohë që kontribut pozitiv pritet të vijë edhe nga rritja e mëtejshme e eksporteve.

Faktorët mbështetës të saj do të jenë të njëjtë me ata të vitit të shkuar: një ambient i brendshëm financiar i përshtatshëm, një fuqi blerëse në rritje e familjeve, si pasojë e rritjes së punësimit e pagave, si dhe një ekonomi e huaj përgjithësisht e stabilizuar apo në përmirësim. Nga ana tjetër, kontributi pozitiv që solli prodhimi i energjisë elektrike në rritjen e vitit 2018 do të vijë në zbehje vitin e ardhshëm.

Vijimi i rritjes ekonomike dhe konvergimi gradual i ekonomisë drejt potencialit do të ndihmojnë përmirësimin e mëtejshëm të ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të vendit. Megjithatë, sikundër e kemi theksuar në vazhdimësi, në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, balanca e rreziqeve rreth këtij skenari të pritur zhvillimesh qëndron e zhvendosur në kahun e poshtëm. Kjo do të thotë se probabiliteti i ngjarjeve, të cilat mund të prodhojnë shmangie të ekonomisë në kahun e poshtëm të pritjeve është më i madh se probabiliteti i ngjarjeve të cilat mund të sjellin surpriza pozitive, pra shmangie në kahun e sipërm.

Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikëbërësit dhe qytetarët shqiptarë në vitin 2019?

Shanset dhe sfidat e zhvillimit me të cilat përballet vendi janë të shumta.

Së pari, ambienti i huaj vijon të karakterizohet nga paqartësi lidhur me kahun dhe intensitetin e zhvillimeve ekonomike. Ky tipar është veçanërisht i pranishëm në partnerët tanë kryesorë tregtarë, si Italia dhe Greqia, por edhe në vendet e Bashkimit Europian dhe të Eurozonës. Në rast reduktimi të ritmit të rritjes, forcimi të barrierave proteksioniste, apo problemeve dhe turbullirave financiare në to, ndikimi në Shqipëri do të ishte i pashmangshëm.

Së dyti, me të gjithë konsolidimin progresiv të burimeve të rritjes ekonomike, qëndrueshmëria e tyre nuk duhet të merret e mirëqenë. Ekonomia shqiptare ka qenë dhe do të mbetet subjekt goditjesh, të cilat mund ta shmangin atë nga trendi i rritjes dhe të cilat mund të dëmtojnë edhe perspektivën afatmesme e afatgjatë të zhvillimit. Goditje të tilla nuk mund të përjashtohen as në të ardhmen, e afërt, të mesme apo të largët. Detyra jonë si politikëbërës është të kujdesemi për uljen e probabilitetit të këtyre goditjeve dhe rritjen e rezistencës së ekonomisë tonë ndaj tyre.

Së treti, në një kontekst afatmesëm dhe afatgjatë, përshpejtimi i ritmit të rritjes ekonomike dhe i shpejtësisë së konvergimit të mirëqenies së shqiptarëve me atë të vendeve të Bashkimit Europian do të kërkojë rritjen e mëtejshme të produktivitetit, si dhe zgjerimin e tregjeve dhe të konkurrueshmërisë së produkteve tona. Kjo detyrë bëhet më komplekse nëse mbajmë parasysh dy trende të zhvillimit ekonomik botëror dhe rajonal:
Shtrëngimin e kushteve të financimit për vendet në zhvillim, si në kontekstin europian, ashtu dhe në atë botëror.

Ky shtrëngim, pasojat e të cilit kanë qenë dhe janë të pranishme në ekonominë shqiptare, imponojnë zhvillimin e segmenteve të reja të tregjeve financiare dhe një disiplinë më të madhe në përdorimin e fondeve.
Rritje e konkurrencës rajonale për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, si një nga instrumentet më efektive për nxitjen dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.

Adresimi i sfidave afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit realizohet vetëm nëpërmjet zbatimit dhe përshpejtimit të reformave strukturore në vend. Këto reforma duhet të bazohen në një vizion të qëndrueshëm afatgjatë zhvillimi, ndërsa hartimi dhe zbatimi i tyre duhet të tërheqë ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, si dhe të mbajë parasysh burimet e kufizuara financiare të vendit.

Së fundi, vizioni afatgjatë i zhvillimit dhe lista e reformave prioritare duhet të bazohen në një konsensus sa më të gjerë politik e social, çka do të garantonte qëndrueshmërinë, do të ndihmonte koherencën e brendshme dhe do të rriste konsistencën e tyre në kohë.

Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike (modeli ekonomik) në periudhën afatmesme?

Politikat ekonomike dhe infrastruktura ligjore, ekonomike dhe sociale e zhvillimit, duhet të garantojnë ambient të përshtatshëm për një rritje sa më të shpejtë dhe sa më të qëndrueshme ekonomike. Në minimumin e vet, ky ambient duhet të garantojë stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe duhet të ofrojë: një mjedis ligjor, i cili garanton respektimin e kontratave dhe mbështet e inkurajon konkurrencën e ndershme; një mjedis fiskal, i cili inkurajon investimet afatgjata; një sistem financiar, i cili mundëson ndërmjetësimin eficient të kursimeve në investime; një kuadër marrëveshjesh ekonomike dhe tregtare, të cilat inkurajojnë eksportet shqiptare dhe investimet e huaja në Shqipëri; një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të shëndetshme; si dhe, një infrastrukturë të zhvilluar dhe të integruar me vendet partnere.

Në vizionin e Bankës së Shqipërisë, detyra e përcaktimit të prioriteteve dhe e shpërndarjes së fondeve, në një ekonomi të tregut të lirë, ka qenë dhe duhet të jetë prerogativë kryesore e sektorit privat. Nga ana tjetër, detyra e politikëbërësve është të garantojnë në mënyrë prioritare stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, të përcaktojnë dhe të kujdesen për zbatimin e rregullave të lojës, si dhe të adresojnë mangësitë e infrastrukturës së zhvillimit.

Në afat të gjatë, ndjekja dhe përmbushja e këtyre objektivave nga sektori publik jo vetëm që nuk krijon konflikte, por dhe përforcon efektin e njëri-tjetrit. Në afat të shkurtër, për arsye të burimeve të kufizuara financiare, ndjekja dhe zbatimi i këtyre objektivave të zhvillimit ka dhe do të ketë gjithnjë konflikt.

Për këtë arsye, reforma strukturore duhet të jetë gjithnjë e studiuar dhe e bazuar në një analizë sistematike të kostove dhe përfitimeve të alternativave të saj. Ajo që Banka e Shqipërisë ka kërkuar dhe kërkon në vazhdimësi është garantimi me prioritet i qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit.

Cilën konsideroni ju si emergjencë në aspektin ekonomik dhe social mbi të cilën qeveria duhet të ketë fokus të veçantë më 2019?

Në gjykimin tonë, ngjarja madhore e vitit 2019 do të jetë – padyshim – çelja e pritur e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Shqipëria duhet të kujdeset që të mos ta humbë këtë datë, për asnjë arsye të brendshme.
Ndërkohë, paralelisht me të, autoritetet publike duhet të vazhdojnë t’i kushtojnë rëndësi dhe vëmendje procesit të konsolidimit fiskal, zhvillimit të mëtejshëm të reformës dhe ristrukturimit të sistemit financiar, si dhe monitorimit e shfrytëzimit të oportuniteteve, që shfaqen në mjedisin e brendshëm e të jashtëm.

2019

Më konkretisht, parashikimet tona, bazuar në trendet ekonomike e financiare dhe faktorët mbështetës të tyre, janë për një rritje ekonomike afër nivelit të vitit të shkuar. Kjo rritje do të vijojë të ushqehet, në masën më të madhe, nga gjallërimi i konsumit dhe investimeve në ekonomi, ndërkohë që kontribut pozitiv pritet të vijë edhe nga rritja e mëtejshme e eksporteve

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of