E PERDITESUAR Banka qendrore ka ulur normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar nga 2.5 % aktualisht në 2.25 % një tjetër rekord historik i ulët i normës bazë të interesit. Njoftimi është publikuar në faqen e Bankës së Shqipërisë, ndërsa më vonë pritet të bëhet publike dhe deklarata e plotë. Që pas largimit të guvernatorit Fullani, njoftimi i vendimit të politikës monetare nuk bëhet më përmes konferencës për shtyp.
Qëllimi i uljes së normës bazë të interesit lidhet me dekurajimin e kursimeve dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve për të mudnësuar një ritëm më të lartë të rritjes ekonomike.
Një lëvizje e tillë u paralajmërua dhe mbrëmjen e djeshme, ku në konferencën e përbashkët për shtyp me FMN-në, zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë Elisabeta Gjoni tha se politika monetare do të vazhdojë të jetë lehtësuese, duke paralajmëruar hapa të tjerë në këtë drejtim. Kjo u mbështet dhe nga shefi i FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, që pohoi se politika monetare e Bankës së Shqipërisë duhet të vazhdojë të mbështesë politikat ekonomike.
Mësohet që një ulje e normës ishte planifikuar që në shtator, por vendimi u shty pas situatës së krijuar me largimin e ish guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Kjo është hera e 12, që institucioni monetar qendrore redukton normën bazë, që nga shtatori 2011, kur filloi politika agresive lehtësuese monetare, që synonte uljen e kostos së lekut dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve në ekonomi.
Por, gjatë kësaj periudhe segmenti që ka reflektuar më shumë politikën lehtësuese janë interesat e depozitave në lekë, që kanë zbritur në 1.6% në shtator (maturimi 12 mujor), duke u ulur me 4.3 pikë përqindjeje në raport me shtatorin 2011. Gjatë së njëjtës periudhë, interesat e kredive (mesatare për të gjitha maturitetet) janë reduktuar me 2.6 pikë përqindje, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, duke sjellë në këtë mënyrë rritjen e diferencës mes interesave të kredive e depozitave, në rreth 7%, nga 5% që ishte para fillimit të lehtësimit të politikës monetare, duke qenë një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e fitimit të bankave.
Nga ana tjetër, depozitat, sidomos ato me afat në lekë kaë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes muajt e fundit, ndërsa është rritur paraja jashtë bankave, në mungesë të alternativave të investimit.
Edhe kredia është rritur me ritme të ulëta, për t’u gjallëruar vetëm muajt e fundit.
Ulja e normës bazë vjen në një kohë që yield-i i letrave me vlerë afatshkurtër të qeverisë kishte filluar rritjen prej disa javësh, duke reflektuar tërheqjen e bankave në investimet në bono thesari dhe duke rritur kostone shërbimit të borxhit të qeverisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.