Në përfundim të afatit të paracaktuar të veprimit të masave kundërciklike për të mbështetur kreditimin dhe kufizuar fluksin e investimeve të sektorit bankar me jorezidentët, Këshilli Mbikëqyrës analizoi ndikimin e këtyre masave që prej hyrjes së tyre në fuqi, në muajin maj 2013, sipas nje njoftimi zyrtar për shtyp, lidhur me mbledhjen e funit të Këshillit Mbikëqyrës. Ndonëse këto masa ishin me një spektër të ngushtë veprimi, kryesisht në krahun e ofertës së kredisë, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ato kanë dhënë ndikim duke ulur ritmin e zgjerimit të investimeve me jorezidentët dhe duke zbutur ngadalësimin e kreditimit nga sektori bankar. Aktualisht, rritja e kreditimit nga sektori bankar vlerësohet ende e dobët dhe e brishtë, e përcaktuar nga një mori faktorësh që përfshijnë cilësinë e aktiveve të bankave dhe pritshmëritë për rritjen ekonomike. Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës beson se këto masa ofrojnë nxitje për bankat që të jenë aktive në gjetjen e mundësive cilësore të kreditimit, duke kontribuar për vendosjen e ecurisë së kreditimit në një prirje rritëse më të qëndrueshme. Për këto arsye, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të zgjasë periudhën e zbatimit të këtyre masave, përkatësisht deri në fund të qershorit 2015 për masat që mbështesin kreditimin dhe deri në fund të dhjetorit 2015 për masat që kufizojnë flukset e investimeve me jorezidentët nga sektori bankar. Forma dhe ndikimi i masave do të vijojnë të analizohen në vazhdimësi, dhe Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë vendimet e nevojshme në përputhje me ecurinë e treguesve që ndikohen prej tyre.
Gjithashtu banka miratoi kuadrin nënligjor që do të rregullojë veprimtarinë e sistemit të shlyerjes dhe të regjistrimit të titujve (AFISaR). Aktet nënligjore do të rregullojnë funksionimin dhe operimin e sistemit të shlyerjes dhe regjistrimit të titujve. Zbatimi i këtij sistemi, konsiderohet një hap i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të tregjeve financiare në përgjithësi dhe tregjeve të tregtimit të titujve të qeverisë në veçanti. Bazuar në standardet e Bankës Ndërkombëtare për Shlyerjen, ky sistem synon minimizimin e rreziqeve në tregtimin e titujve, duke stimuluar rritjen e tregtimit të tyre, për rrjedhojë duke rritur likuiditetin, duke ndikuar në formimin e çmimit në treg dhe duke ndihmuar në transmetimin më të mirë të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.
AFISaR do të jetë nën administrimin e Bankës së Shqipërisë.
Në mbledhjen e fundit u miratua dhe rregullorja “Për kapitalin rregullator të bankës”. Ndryshimet në rregulloren “Për kapitalin rregullator të bankës” synojnë përafrimin me direktivat e Bashkimit Evropian për veprimtarinë e institucioneve të kreditit dhe standardeve të Komitetit të Bazelit mbi mjaftueshmërinë e kapitalit (Bazel II). Qasja e zgjedhur nga Banka e Shqipërisë është ajo e metodave standarde për llogaritjen e kërkesës për kapital për rrezikun e kredisë, rrezikun e tregut dhe rrezikun operacional, të pasqyruar në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit (RMK), pjesë e rëndësishme e të cilit është dhe kapitali rregullator. Rregullorja përcakton kërkesat e autoritetit për bankat lidhur me strukturën, elementët përbërës dhe metodën e llogaritjes së kapitalit rregullator të bankës dhe përcaktimit të nivelit minimal të tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.