Banka e Anglisë do të vlerësojë elasticitetin e shtatë bankave më të mëdha të Britanisë kundrejt rënies në ekonominë kineze, rënies së mëtejshme të çmimeve të naftës dhe një periudhe të zgjatur deflacioni në seksionin e saj të dytë të testeve të stresit.
HSBC dhe Standard Chartered do të përballen me një raund të ashpër të testeve të stresit këtë vit teksa banka qendrore e kthen fokusin e saj ndaj rreziqeve në rritje jashtë vendit. Të dy huadhënësit, të cilët gjenerojnë shumicën e të ardhurave të tyre jashtë Britanisë së Madhe, e kaluan qetë testin e stresit të vitit të kaluar përkundër kërcënimeve vendase sikundër janë kolapsi në cmimet e banesave dhe rritja e kostove të huamarrjes.
Skenarët e rinj përfshijnë një model ku rritja ekonomike në Kinë ngadalësohet në vetëm 1.7 për qind dhe çmimet e naftës bien në 38 dollarë për fuçi. Kjo do të provokonte një rënie të çmimeve të konsumit në Mbretërinë e Bashkuar dhe një periudhë deflacioni të zgjatur në gati dy vjet. Modeli gjithashtu merr në konsideratë luhatjet e monedhës, përfshirë një rënie 25 për qind të euros kundrejt dollarit dhe një rënie 15 për qind kundrejt paundit.