Bankat e BE-së do përballen me sfida të mëdha; ndikim dhe në sistemin bankar shqiptar

11/07/2012 16:02 0 komente
0423euro

Autoriteti Bankar evropian (EBA) tha bankat e Europës do të përballen me sfida të rëndësishme, pasi ato plotësuan me sukses kërkesat e reja për rritjen e treguesve të kapitalit.

EBA tha të mërkurën se bankat e BE-së kishin rritur kapitalin e tyre të kombinuar me 94.4 miliardë euro (116 miliardë $) për të plotësuar pritshmëritë e autoritetit. Por kreu i EBA-së, Andrea Enria tha se bankat kanë ende shumë rrugë përpara drejt rimëkëmbjes nga kriza financiare dhe përmbushjes së rregulloreve të reja globale.

“Gjithnjë kemi thënë se ky është një përbërës i një pakete më gjithëpërfshirëse masash që duhen zbatuar për të sjellë qëndrueshmërinë në sektorin bankar Europian,” tha ai në një intervistë për Reuters.

EBA i kishte dhënë bankave afat deri në fund të qershorit për të arritur një raport të kapitalit ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik në 9%, në kuadër të përpjekjeve për të rikthyer besimin tek bankat e Europës.

Enria tha se rikapitalizimi ka qenë një “hap i nevojshëm dhe i rëndësishëm në procesin e riparimit të bilanceve të bankave në mbarë BE-në”.

“Pozicioni i kapitalit tani duket shumë më mirë se sa ishte një vit më parë,” tha ai.

EBA zhvilloi një test stresi për bankat në korrik të vitit 2011, dhe disa muaj më pas, një rishikim tjetër pasi bankave iu parashtruan disa kërkesa të tjera.

Testi kishte si notë kaluese raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit 5%, i cili është treguesi kryesor i shëndetit të një banke. Ndërsa kriza e borxhit të eurozonës u përkeqësua vitin e kaluar, kërkesa për rikapitalizim erdhi më vonë si një ushtrim me kritere më të rrepta për institucionet huadhënëse.

 

Ndikimi në tregun shqiptar

Ankthi i bankave me kapital nga Europa perëndimore që kanë filiale dhe në Shqipëri është ndier dhe në tregun shqiptar, teksa ato kanë ulur ndjeshëm agresivitetin e tyre sipas direktivave të bankave mëmë. Banka më e madhe në vend, Raiffeisen, ka reduktuar për herë të parë aktivet me 1.1% në fund të marsit 2012, në krahasim me fundin e 2011-s, e ndikuar kryesisht nga ulja me 6% (rreth 62 milionë euro) e stokut në investimet me letrat me vlerë të qeverisë, duke vënë në vështirësi financat për financimin e borxhit të brendshëm. Raiffeisen ka ndikim të ndjeshëm në këtë treg, teksa zotëron rreth 40% të stokut të letrave me vlerë të qeverisë që mbahen nga bankat.

Me sfidat përpara që vazhdojnë të mbeten të mëdha, duket se tërheqja e bankave me kapital perëndimor në vend do të vazhdojë.  Efektet do të vazhdojnë të ndihen  në sistemin bankar shqiptar, siç treguan dhe muajt e parë të këtij viti, ku bankat me kapital perëndimor u tërhoqën nga tregu i bonove të thesarit dhe tkurrën kreditimin (ritmet e rritjes se kredise ne vend jane pergjysmuar ne pese muajt e pare te ketij viti), në një lëvizje për të rregulluar raportin e kapitalit ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik.

 

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.