Bankat e Europës janë ende në vështirësi

19/04/2019 10:03 PM 0 komente

Si mund të përmirësohet situata e huadhënësve të Europës. Europa ka nevojë për bankat e saj për të pasur një ecuri më të mirë

 

Situata nuk është edhe aq e keqe sesa mund të duket. Në vitin 2008, banka e madhe britanike Lloyds përvetësoi HBOS, një bankë rivale, e cila po i mbijetonte me vështirësi situatës së krizës financiare globale. Për shumë pak, HBOS pothuajse e tërhoqi me vete edhe Lloyds. 20.3 miliardë paund (rreth 30 miliardë dollarë amerikanë) u nevojitën për të mos ta lënë këtë grup të bashkuar bankar që të fundosej. Sot, Lloyds është në gjendje shumë të mirë, shkruan The Economist.

Nën drejtorin e saj ekzekutiv, António Horta-Osório, që nga viti 2011, Lloyds ka hequr dorë thuajse nga të gjitha operacionet e saj të jashtme, ka ngushtuar gamën e produkteve dhe (si shumë banka të tjera) ka shpenzuar shuma të mëdha parash në dixhitalizim. Në vitin 2017, shteti shiti pjesën e fundit të aksioneve të tij. Vitin e kaluar, kthimi i kapitalit të prekshëm të bankës (ROTE), një matës i rentabilitetit, ishte në 11.7%.

Ndërsa këtë vit, z. Horta-Osório synon ta rrisë atë në 14-15%, pavarësisht Brexit. Edhe disa banka të tjera europiane kanë histori suksesi për të treguar. ING e Holandës është një rast rimëkëmbjeje nëpërmjet ndihmës shtetërore. Banka e saj gjermane online, ING-DiBa, pretendon të çojë në mbi 20% kthimin e kapitalit të prekshëm. Santander e Spanjës, banka më e madhe e Eurozonës sipas kapitalizimit të tregut, arriti që ta përballojë të gjithë stuhinë e krizës financiare që përfshiu vendin, pa shënuar asnjë humbje.

Më 3 prill, ajo publikoi planet për të rritur kthimin e kapitalit të prekshëm nga 11.7% vitin e kaluar në 13-15% këtë vit, gjë që synon ta realizojë nëpërmjet uljes së kostove dhe duke shfrytëzuar dixhitalizimin. Edhe bankat nordike kanë kthime në nivele të konsiderueshme, pavarësisht skandaleve të kohëve të fundit të pastrimit të parave që përfshinë bankën Danske dhe Swedbank dhe që çuan në shkarkimin e drejtuesve të tyre. Por, situata e përgjithshme nuk është edhe aq pozitive. Përkundrazi, ajo është e zymtë.

Në një anketë tremujore të publikuar më 29 mars, Autoriteti Bankar Europian (EBA), një mbikëqyrës, zbuloi se në tre muajt e fundit të vitit 2018, mesatarja e ponderuar e kthimit mbi kapitalin (ROE) e 190 bankave të Bashkimit Europian ishte 6.5%. Gjatë katër viteve të fundit, ROE mesatare në raportin e Autoritetit Bankar Europian është luhatur nga 3.3% dhe 7.3%.

Kjo nuk është e mjaftueshme për t’i lumturuar aksionerët. Ata duan që niveli i kthimit mbi kapitalin të jetë 10% ose edhe më shumë. Në një konferencë të kohëve të fundit, organizuar nga Morgan Stanley, 70% e pjesëmarrësve vlerësuan koston e kapitalit të bankave europiane (COE), minimumin që aksionerët e kthimit mbi kapitalin (ROE) e konsiderojnë të pranueshëm, të jenë midis 9% dhe 11%. Gjithashtu, dy herë në vit, Autoriteti Bankar Europian u kërkon bankave të vlerësojnë koston e kapitalit të tyre (COE). Dhjetorin e kaluar, dy të tretat e bankave i vendosën standardet e tyre në 8-10%, ndërsa një e gjashta në 10-12%. Vetëm 55% thanë se po fitonin më shumë se kostoja mbi kapitalin e tyre (COE).

Niveli 6.5% është shumë më poshtë kthimeve që marrin investitorët në anën tjetër të Atlantikut. Ndër bankat më të mëdha të Amerikës, vetëm Citigroup raportoi vitin e kaluar një kthim mbi kapitalin nën nivelin prej 10%, në 9.4%. Ndërsa niveli i kthimit mbi kapitalin e bankës amerikane Bancorp, e shtata më e madhe nga asetet, ishte në 15.4%. Bankat europiane kanë një nivel performance më të ulët, si në drejtim të kthimit mbi kapitalin e prekshëm (ROTE), edhe në drejtim të kthimit të aktiveve (ROA). Sipas të dhënave të mundësuara nga Stuart Graham nga Research Autonomous, kthimi mesatar mbi aktivet (ROA) i nëntë bankave të mëdha amerikane ishte sa dyfishi i 24 huadhënësve kryesorë europianë.

E gjithë kjo është reflektuar në vlerësimin e tregut të aksioneve të vlerës relative të bankave europiane.Shpjegimet për performancën e dobët të bankave europiane fillojnë që nga pasojat e periudhës pas krizës financiare të 2007-‘08. Bankat amerikane u rikapitalizuan me shpejtësi nëpërmjet Programit të Ndihmës së Aseteve me Probleme (Troubled Asset Relief Programme), edhe nëse ata kishin nevojë apo jo për këtë.

Pjesa më e madhe e vendeve europiane (edhe pse ndër to nuk bënte pjesë Britania, Hollanda dhe Zvicra) vepruan në mënyrë shumë të ngadaltë. Eurozonës i mungonte një mbikëqyrës i vetëm dhe një autoritet i përbashkët për t’i ardhur në ndihmë dhe për të dhënë zgjidhjen e duhur për bankat me probleme dhe për ato që kanë falimentuar. Të dy prej këtyre institucioneve u krijuan disa vjet më vonë, dhe vetëm pasi kriza e borxhit sovran të Eurozonës kishte përkeqësuar problemet edhe për huadhënës të tjerë.

Bankat ankohen se politikëbërësit ia kanë vështirësuar shumë jetën. Në Eurozonë të ardhurat neto nga interesi, të cilat përbëjnë pjesën kryesore të të ardhurave të bankave, kanë shënuar rënie si nga rritja e ngadaltë, ashtu edhe nga vitet me norma shumë të ulëta të interesit, madje duke shkuar edhe në nivele negative. Gjithashtu, bankat duhet që t’i paguajnë Bankës Qendrore Europiane (ECB) 0.4% në vit për të depozituar paratë e tyre. Autoriteti Bankar Europian raporton se në tre vitet e fundit, marzhet neto të interesit kanë rënë nga 1.57% në 1.47%.

Mario Draghi, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, u shpreh në fund të muajit të kaluar se “përfitimi i ulët i bankës nuk është një pasojë e pashmangshme e normave negative”, megjithëse pranoi se Banka Qendrore do të merrte në konsideratë “lehtësimin e efekteve anësore”. Në mars, BQE-ja njoftoi edhe kryerjen e operacioneve të mëtejshme për t’u siguruar bankave një financim afatgjatë më të lirë.
Bankierët ankohen edhe për kërkesat e kapitalit. Jo vetëm që ato janë kufizuar që nga kriza financiare, por rregullat e reja, të njohura si Basel III, u përfunduan vetëm në fund të vitit 2017.
Sipas Magdalena Stoklosa nga Morgan Stanley, rregullorja e rezolutës, po i detyron bankat të financojnë veten me mjete mjaft të shtrenjta.

Bankat europiane nuk kanë shkallën e disa prej bankave më të mëdha të Amerikës. Ndryshimet ndërmjet tregjeve kombëtare dhe dështimi i BE-së për të përfunduar “bashkimin e saj bankar” pengojnë bashkimet ndërkufitare që mund të krijojnë gjigantë kontinentalë.
Bankat në Qipro, Greqi, Itali dhe Portugali vazhdojnë të përballen me nivele të larta të kredive të këqija. Mbipopullimi i tregut është i zakonshëm; po kështu edhe konkurrenca nga sektori bankar publik dhe ai i kooperativave, të cilat kanë qëllime të tjera përveç fitimit. Gjermania është shteti me ambientin më të ashpër në të dyja anët. Edhe në rastin e një bashkimi të mundshëm bankar, bankës Deutsche dhe Commerzbank do t’u duhej ende të luftonin për të përmirësuar situatën.

Por bankat europiane që janë në vështirësi nuk mund të fajësojnë thjesht historinë, zyrtarët dhe strukturën e tregut për problemet e tyre. Ata mund të bëjnë shumë më tepër se kaq nëse duan të ndihmojnë veten. Për shembull, studimi i ri i Autoritetit Bankar Europian ka zbuluar se në pothuajse tre të katërtat e bankave europiane, shpenzimet zënë më shumë se 60% të të ardhurave. Raporti mesatar i kostove dhe të ardhurave, në 64.6%, është më i lartë se katër vjet më parë. Bankat më të suksesshme të Europës tregojnë mënyrën sesi duhet të veprohet.

Një studim i kryer nga pesë ekonomistë të Bankës Qendrore Europiane, botuar në nëntor të vitit të kaluar, zbuloi se bankat e Eurozonës që kanë shpenzuar shumë në drejtim të teknologjisë së informacionit, janë gjeografikisht të ndryshme (si ING, Santander dhe BBVA, një tjetër bankë spanjolle), dhe që mbështeten më pak në të ardhurat nga interesi, priren të jenë më fitimprurëse.
Edhe bankat që kanë risqe më të ulëta të kreditit (d.m.th. që janë më të sigurta) kanë tendencë që të kenë një performancë më të mirë. Por asnjëra prej tyre nuk do ta transformojë sistemin bankar europian në një pemë magjike që prodhon para. Bankat kudo janë më pak fitimprurëse në krahasim me periudhën përpara krizës.

Bankat ngushëllohen disi nga rezultatet e studimit të ekonomistëve të BQE-së dhe nga ato të sondazhit të Autoritetit Bankar Europian se kostot mbi kapitalin po bien kryesisht si një nënprodukt i normave të ulëta zyrtare. Por, pronarët e bankave nuk do të tregoheshin aspak të zgjuar, nëse do të mbështeteshin në një fakt të tillë, apo të supozonin se ata nuk janë përgjegjës për fatin e tyre.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of