Fitimi i sistemit bankar për 8 mujorin ishte 11 miliardë lekë, sipas statistikave mujore të publikuara nga Shoqata e bankave.
Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fitimi i sistemit banker është rritur me 55%. (për periudhën janar-gusht 2014 bankat kishin raportuar 7.1 miliardë lekë fitime).
Sipas të dhënave të detajuara, që janë të disponueshme deri për 6 mujorin, zëri kryesor që ka ndikuar në këtë performancë pozitive, është ai i të ardhurave neto nga interesat, që është rritur me 15% apo 3.2 miliardë lekë për janar-qershor 2015, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulja e shpenzimeve për interesa me ritme shumë më të larta se të ardhurat nga interesat kanë ndikuar në shtimin e fitimeve të bankave nga ky zë.
Sipas bankierëve kjo diferencë lidhet më shumë me faktin e mospërputhjes së maturitetit të interesave, teksa depozitat janë afatshkurtra dhe kreditë janë dhënë me një afat më të gjatë.
Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit bankar, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave ishte 16% në qershor, mbi nivelin prej 12%, që konsiderohet i shëndetshëm, megjithëse në rënie nga 17.5% që ishte një vit më parë. Kjo rënie ka ardhur sipas bankierëve, më shumë si rrjedhoje e rregullores së re për llogaritjen e mjaftueshmërisë së kapitalit, në fuqi nga 1 janari i këtij viti.
Në përmirësim të ndjeshëm janë treguesit e kthyeshmërisë nga aktivet dhe nga kapitalit, si rrjdhojë e rritjes së fitimeve.
Kthyeshmëria nga aktivet (fitimi/aktivet mesatare) u rrit nga 0.9% në 1.3% në gusht 2015 (ndryshimi vjetor).
Kthyeshmëria nga kapitali (fitimi/kapitalin mesatar) u rrit nga 10.2% në 14%.
Ndërsa bankat kanë përmirësuar ndjeshëm treguesit e rentabilitetit, në gusht u konstatua sërish një rritje e kredive të humbura, me rreth 2 miliardë lekë, ndërsa kreditë me problem mbetën 21%.( Lexo: Kreditë me probleme mbeten 21 % në gusht)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.