Si ka ndryshuar treguesi i huasë së pakthyer në afat sipas bankave në vitin 2015. Bankat që i përmirësuan dhe ato që i rritën më shumë NPL-të vitin e kaluar…
Viti 2016 u karakterizua nga një luhatje e treguesit të kredive me probleme. Rënia e këtij treguesi, e evidentuar në fund të vitit 2016, pati burim shlyerjen/ristrukturimin e kredive me probleme, si dhe fshirjen e tyre, sipas Bankës së Shqipërisë.
Megjithëse niveli i treguesit në fund të vitit 2016 mbetet pothuaj i njëjtë me atë të një viti më parë, gjatë nëntëmujorit ka pasur rritje të vazhdueshme të tij deri në nivelin 21,3% dhe rënie të ndjeshme në tremujorin e fundit, duke arritur nivelin 18,27% në fund të vitit. Kjo rënie ka ardhur si pasojë e fshirjeve të kredive në zbatim të kuadrit rregullativ përkatës të Bankës së Shqipërisë, ristrukturimeve efektive të bëra nga bankat apo edhe masave të tjera të marra prej tyre. Tendenca rënëse e treguesit të kredive me probleme është konstatuar edhe gjatë tre muajve të parë të vitit 2017 dhe ndjekja nga afër e këtyre zhvillimeve është një nga prioritetet e punës së Bankës së Shqipërisë.
Në fund të vitit 2016, kredia me probleme arriti nivelin 109.7 miliardë lekë, duke u rritur me 2.95 miliardë lekë, ose 2.8% krahasuar me një vit më parë, raporton Banka e Shqipërisë.
Por, cilat janë bankat që kanë kreditë më të larta me probleme, dhe si ka ndryshuar ky tregues në raport me një vit më parë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor” nga treguesit indirektë të publikuar nga Banka e Shqipërisë, 6 banka e kanë ulur treguesin e kredive të këqija, nga të cilat tre në nivele relativisht të ndjeshme. Bankat e tjera kanë parë rritje të këtij treguesi, për pjesën më të madhe të lehtë, ndërsa për dy prej tyre përkeqësimi i NPL-ve ka qenë i ndjeshëm.
Për shkak të procesit të fshirjes së huave (kreditë që nuk shlyhen prej të paktën tre vjetësh hiqen nga bilancet e bankave, pavarësisht se vazhdojnë të ndiqen), nga viti në vit ka një luhatje të madhe të NPL-ve mes bankave.
“Ecuria
Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor” nga treguesit indirektë të publikuar nga Banka e Shqipërisë, 6 banka e kanë ulur treguesin e kredive të këqija, nga të cilat tre në nivele relativisht të ndjeshme. Bankat e tjera kanë parë rritje të këtij treguesi, për pjesën më të madhe të lehtë, ndërsa për dy prej tyre përkeqësimi i NPL-ve ka qenë i ndjeshëm”.
“Luhatjet
Për shkak të procesit të fshirjes së huave (kreditë që nuk shlyhen prej të paktën tre vjetësh hiqen nga bilancet e bankave, pavarësisht se vazhdojnë të ndiqen), nga viti në vit ka një luhatje të madhe të NPL-ve mes bankave”.
Veneto Banka
Veneto është banka që ka raportuar nivelin më të lartë të kredive me probleme në vitin 2016, me rreth 42%, me një rritje të ndjeshme nga rreth 17% që kishte qenë ky tregues një vit më parë.
Në bilancin e 2015-s, banka raportoi një humbje prej 1 miliard lekësh, si rrjedhojë e shpenzimeve të larta për provigjionime (që u rritën nga 653 milionë lekë në 1.2 miliardë lekë). Bilanci i 2016-s nuk është publikuar ende, por sipas Shoqatës së Bankës, humbjet u rritën në 3 miliardë lekë.
Sipas të dhënave të pasqyrave financiare të raportuara nga banka, në fund të vitit 2016, nga portofoli total bruto prej rreth 14.7 miliardë lekë, 26% konsiderohej e humbur. Kredia e dhënë në Tiranë paraqitej veçanërisht problematike, ku gati një e treta e stokut prej 8.7 miliardë lekësh nuk kishte shpresë për arkëtim.
Megjithatë, në 2017-n, Veneto e ka përmirësuar ndjeshëm pozicionin e saj, duke fshirë kreditë problematike dhe duke shtuar kapitalin.
Në qershor 2017, sipas depozitimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kapitali i shoqërisë u rrit nga rreth 1.1 miliardë lekë, në 9.8 miliardë lekë, apo 72.5 milionë euro. Rritja e kapitalit të bankës për të adresuar çështjet e mjaftueshmërisë së kapitalit rregullator dhe humbjeve ishte një rekomandim i dhënë nga audituesit në vlerësimet në bilanc.
Në fund të muajit qershor, Banka Veneto u bë pjesë e Intesa Sanpaolo Bank Albania, në kuadër të vendimeve të marra nga Banka e Italisë dhe Qeveria e Republikës së Italisë, të cilat sollën ristrukturim të plotë të veprimtarisë së grupit bankar Veneto Banca. Pjesa më e mirë e veprimtarisë së këtij grupi, ku përfshihen edhe filialet e tij në Shqipëri dhe në disa vende të tjera, i kanë kaluar Bankës Intesa Sanpaolo, grupi më i madh bankar në Itali. Për sektorin bankar shqiptar, kjo do të thotë që Banka Veneto sh.a., deri më parë e zotëruar plotësisht nga grupi bankar Veneto Banca, tani do të zotërohet nga grupi bankar Intesa Sanpaolo dhe aktiviteti i saj do të bëhet pjesë e këtij grupi bankar. “Ndryshimi i aksionerit do të ruajë treguesit e mirë të bankës dhe do të përmirësojë administrimin e saj. Si edhe në raste të tjera të ngjashme, ndryshimi i aksionerit do të jetë një proces i pandjeshëm për veprimtarinë e përgjithshme, për depozituesit dhe për klientët e tjerë të bankës”, theksoi Banka e Shqipërisë.
Tirana Bank
Tirana Bank vijon të jetë problematike në treguesin e kredive të pakthyera në afat, duke u renditur e dyta. Megjithatë, banka e ka ulur ndjeshëm këtë tregues me 10 pikë përqindjeje në 2016-n, duke e zbritur në rreth 38%. Banka ka reduktuar humbjet nga 3.1 miliardë lekë në 2015-n, në 520 milionë lekë në 2016-n, sipas të dhënave nga raporti vjetor 2016, si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të shpenzimeve për provigjione.
“Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të Bankës (siç përshkruhet nga BSH) më 31 dhjetor 2016 është 17.89% (2015: 20.07%) dhe është më e lartë se minimumi i përcaktuar specifikisht për Bankën nga Banka Qendrore prej 15%. Për më tepër, raporti i likuiditetit të Bankës më 31 dhjetor 2016 ishte 47% (2015: 48%), e cila është në përputhje me nenin 71 të Rregullores së Bankës së Shqipërisë për likuiditetin, të datës 14 tetor 2009”, thuhet në raportin vjetor të bankës.
Në bilancin e 2016-s, banka raporton se fshirjet (pakësimet) ishin 3.5 miliardë lekë, pjesa më e madhe e të cilave u përket huave dhënë korporatave dhe SME-ve.
Raiffeisen
Banka Raiffeisen ka shënuar rritje të NPL-ve me rreth 5 pikë përqindje, për të arritur në rreth 25%.
Negativisht ka ndikuar shpallja e falimentimit për arsye ristrukturimi të kompanisë së prodhimit të çelikut, Kurum, në shkurt të vitit 2016, ndaj të cilit Raiffeisen kishte ekspozim të lartë prej rreth 21 milionë eurosh, sipas të dhënave që u zbardhën nga Gjykata e Tiranës, në procesin e falimentimit të kompanisë.
Banka rezultoi me humbje prej 4 miliardë lekësh para tatimit në 2016-n, nga fitimet prej 2.5 miliardë lekësh vitin e mëparshëm, si rrjedhojë e dyfishimit të humbjeve neto nga zhvlerësimi i huave.
Sipas raportit vjetor të bankës, totali i huave dhe paradhënieve për klientët në fund të vitit 2016 ishte 110,383 milionë lekë (2015: 114,611 milionë lekë) duke përfaqësuar kështu një rënie prej 4% të portofolit të kredisë gjatë këtij viti. Sektori i Korporatave përfaqëson 61% të totalit të portofolit të kredisë dhe zuri vendin kryesor në këtë portofol me një tepricë kredie prej 67,450
milionë lekë (2015: 75,722 milionë lekë). Segmentet e Ndërmarrjeve të Mesme shënuan rritje në portofolin e kredisë përkatësisht 5%. U shënua rënie në portofolin e kredisë prej 7% për segmentin e ndërmarrjeve të vogla me një tepricë prej 1,859 milionë lekë (2015: 2,008 milionë lekë).
NBG, huatë problematike mbeten në 20%
Banka Kombëtare e Greqisë (NBG) është e katërta në sistem për nivelin e kredive të pakthyera në afat, në rreth 20%, i pandryshuar me një vit më parë.
Sipas bilancit të bankës, fitimi i NBG, sipas standardeve lokale ishte 506 milionë lekë.
Mëma e NBG-së, Banka Kombëtare Greke (NBG) ka njoftuar së fundmi se do të shesë pjesën më të madhe të aseteve në Ballkan, duke përfshirë operacionet e saj rumune, për të përfunduar një plan ristrukturimi, për të cilin është rënë dakord me autoritetet europiane. “Ne jemi shumë afër njoftimit të blerësit për Banca Romaneasca”, – tha CEO i Bankës, Leonidas Fragiadakis, për Reuters, në një intervistë. “Shitja do të përfundojë në muajt e ardhshëm dhe do të ndikojë në rritjen e likuiditetit të bankës”.
Ai tha se Credit Suisse e ka këshilluar grupin për shitjen.
Përveç Romaneasca, Fragiadakis tha se NBG do të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët.
“Më shumë se 90% e ristrukturimit tonë ka përfunduar. Këto operacione përbëjnë një pjesë shumë të vogël të angazhimeve në kuadër të planit”, tha ai, duke shtuar se proceset e shitjes ishin duke u zhvilluar.
Në Shqipëri, filiali i NBG kishte asete prej 41 miliardë lekësh në fund të tremujorit të parë, sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, duke u renditur e nënta në sistem dhe duke përbërë gati 3% të totalit të aktiveve. Banka kishte një stok kredie prej rreth 29 miliardë lekësh, apo gati 5% të kredisë së dhënë nga sistemi bankar shqiptar. Banka raportoi një fitim prej 100 milionë lekësh në tremujorin e parë të vitit.
Alpha Bank uli ndjeshëm kreditë e këqija
Alpha Bank ka shënuar përmirësimin më të lartë të treguesit të NPL-ve në vitin 2016, duke e ulur atë me rreth 11 pikë përqindjeje, në rreth 18%.
Edhe rezultati financiar i bankës është përmirësuar, duke arritur një fitim neto pre 1 miliard lekësh, sipas të dhënave të publikuara në raportet e saj financiare.
Banka thekson se në tremujorin e parë 2017, në përputhje me kërkesat e Rregullores nr.71 “Për menaxhimin e riskut të likuiditetit”, Banka ka kryer ushtrimin e stresit të radhës, i cili
tregoi situatën solide dhe likuide të Bankës dhe të gjithë treguesit janë në linjën e “gjelbër” (green area) edhe pas zbatimit të skenarëve përkatës të testit.
Bankat e tjera i kanë huatë me probleme nën 20%
Bankat e tjera, Intesa Sanpaolo, BKT, Credins, Societe Generale, Union Bank, Banka e Parë e Investimeve (FIB), Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI), ICB, ProCredit, i kanë huatë e pakthyera në afat (më shumë se 90 ditë vonesë), më pak se 20% të totalit të stokut të kredisë që kanë dhënë për bizneset dhe individët.
Intesa Sanpaolo ka vijuar të ulë ndjeshëm për të dytin vit radhazi NPL-të, duke i zbritur sërish me rreth 5 pikë përqindje (pas reduktimit me 9 pikë përqindje vitin e mëparshëm), në rreth 13.5%.
Dy bankat me nivelin më të ulët të NPL-ve në sistem vijojnë të mbeten BKT, më e madhja në vend, që e ka rritur lehtë NPL-në me 1.6 pikë përqindjeje në rreth 10.7%, ndërsa Societe Generale mban rekordin pozitiv, pasi ka arritur të ketë huatë e pakthyera në afat në vetëm 8.9%, shumë më poshtë se mesatarja e sistemit prej 18.27%.
Adresimi i NPL-ve
Sipas Bankës së Shqipërisë, në zbatim të planit kombëtar të masave për adresimin e kredive me probleme, në vitin 2016 janë ndërmarrë disa ndryshime që konsistuan në qartësimin e konceptit të fshirjes së kredive nga bilanci, në rishikimin e trajtimit mbikëqyrës të pronave të patundshme të marra në pronësi, si pasojë e proceseve gjyqësore
për ekzekutimin e kolateraleve të kredive me probleme, në rishikimin e kuadrit rregullativ për lehtësimin e shitjes së kredive me probleme si dhe u bënë disa përmirësime të nevojshme në regjistrin e kredive.
Thellimi i zbatimit të planit kombëtar të masave për adresimin e kredive me probleme mori po ashtu një vëmendje të veçantë. Dy çështje të rëndësishme të këtij plani, të cilat janë edhe detyrë e Bankës së Shqipërisë për t’u zbatuar, koordinimi i punës së bankave për zgjidhjen e 35 kredimarrësve të mëdhenj, si dhe ristrukturimi jashtëgjyqësor i borxhit janë diskutuar me përfaqësues të Bankës
Botërore, me qëllim marrjen e ekspertizës mbi këto çështje që janë trajtuar në juridiksione të tjera të ngjashme ndërkombëtare. Nga ky bashkëpunim pritet të finalizohen dy dokumente të rëndësishme që janë: udhëzimi për ristrukturimin e kredive, që është rishikimi tërësor i udhëzuesve aktualë, duke sjellë parimet më të mira ndërkombëtare, si dhe krijimi i një kuadri për bashkëpunim midis bankave për adresimin e duhur të problematikave të kredimarrësve të përbashkët.
Statistika/ Kreditë me probleme ulen në 15.86% maj
Huatë me probleme janë ulur ndjeshëm nga niveli i tyre më i lartë prej gati 25%, që arritën në tremujorin e tretë të vitit 2014.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, huatë që nuk janë kthyer në bankë prej të paktën më shumë se tre muajsh, arritën në maj në 15.86%, në krahasim me 16.6%, që ishin muajin e mëparshëm.
Dy vitet e fundit, bankat kanë zbatuar procesin e fshirjes së huave, sipas të cilit hiqen nga bilancet e bankave kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë të ndiqen nga bankat.
Një tjetër element, që ka ndikuar në reduktimin e huave me probleme është procesi i ristrukturimit të 35 kompanive të mëdha, që deri pak kohë më parë zotëronin 60% të kredive me probleme.
Aktualisht, sipas burimeve zyrtare të Bankës së Shqipërisë, nga 35 kompani janë ristrukturuar 21 prej tyre.
Nga 21 kompanitë e ristrukturuara, 10 prej tyre nuk janë më në vonesë, duke bërë që ato të dalin përfundimisht nga lista e sipërmarrjeve problematike. Ndërsa për 11 të tjera, procesi i ristrukturimit ka ecur, por do të duhet të kalojnë edhe pak muaj derisa ato të dalin nga lista e të këqijve. Nga këto 35 kompani, 7 janë në proces falimenti.
Pavarësisht rënies, Shqipëria mbetet ndër shtetet me nivelet më të larta të huave të pakthyera në afat në rajon, së bashku me Serbinë, që e ka këtë tregues rreth 17%.
Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria ishin vendet më problematike në rajon për nivelin e lartë të NPL-ve, duke e pasur këtë tregues midis 20 dhe 25% deri në vitin 2015. Më pas të tre shtetet nisën planin për uljen e NPL-ve, kryesisht përmes ristrukturimit. Më mirë rezulton të ketë ecur Mali i Zi, që në fund të vitit 2016 i kishte huatë me probleme 10.3% të totalit.
Ndër shtetet më pak problematike në rajon janë Maqedonia dhe Kosova, që në fund të vitit 2016 i kishin NPL-të përkatësisht 6.3 dhe 4.9%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.