Bankat kthejnë vëmendjen te bujqësia

13/10/2012 08:55 0 komente
bujqesi

Kriza ekonomike ka kthyer vëmendjen e bizneseve drejt sektorit të bujqësisë, ndër të vetmit që ka vijuar rritjen. Edhe bankat vendase duket se po “lëvizin” në këtë drejtim, duke shtuar gamën e kredive për këtë sektor.

Nga Laura Çela

Sipërmarrësit vendas janë duke e kthyer vëmendjen në sektorin e bujqësisë, për shkak të shterimit të burimeve të tjera të biznesit. Kriza ekonomike, e cila goditi shumë sektorë dinamikë të ekonomisë, si ndërtimi apo tregtia, duket se po riformaton ndryshe sipërmarrjen vendase. Bujqësia, e cila ka vijuar të rritet me gjithë krizën, po zgjon interesin për të investuar.
Kriza ekonomike e kohëve të fundit në Greqi, që ka numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë, ka detyruar një pjesë të madhe të tyre të kthehen në vendlindje dhe të nisin të investojnë në bujqësi, duke sjellë me vete kapital dhe teknologji të avancuara.
Në vitin 2011, qeveria nisi një sërë politikash mbështetëse për të ndihmuar të kthyerit nga emigracioni në integrimin në aktivitetet bujqësore dhe ato të agrobiznesit. Të gjithë përfituesit duhet të paguanin taksën e pronësisë mbi tokën dhe të regjistroheshin në skemat e sigurimeve shoqërore, për të përfituar prej tyre. Një sërë skemash të tjera, si dhe fonde, janë dhënë nga qeveria apo projekte të Bashkimit Europian në bujqësi, duke garantuar një fluks në rritje të kapitalit. Investimet e qeverisë gjatë 2011-s në këtë sektor arritën në 1.3 miliardë lekë, një peshë shumë e vogël në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (më pak se 2%)

Por as sistemi bankar nuk mbetet pas. Drejtuesit e disa bankave në vend kanë deklaruar se janë duke i dhënë prioritet financimeve në bujqësi, si një sektor që ka pasur rritje dhe ku parashikimet janë pozitive.
“Bankat përgjithësisht orientohen për të kredituar sektorë që kanë rritje të mirë në treg dhe dega e bujqësisë ka shënuar rritje gjatë viteve të fundit, me gjithë krizën ekonomike”, thotë Flutura Veipi, drejtuese e “Procredit Bank Albania”, një nga bankat më aktive në vend për kreditimin e bujqësisë.
Kreditimi në këtë sektor është përgjithësisht afatshkurtër sepse bëhet për të suportuar ciklin e biznesit, që është i tillë.
Ofertat janë shtuar edhe nga Banka Kombëtare Tregtare, e cila ka lançuar kredinë BKT-agro, të dizenjuar për këtë sektor.
Edhe presidenti i “Credins Bank”, Artan Santo, ka konfirmuar në një intervistë dhënë për “Monitor” se vëmendja e bankës gjatë këtij viti do të drejtohej te bujqësia, si një sektor me potencial dhe me interes për t’u mbështetur me kredi.

Këto nisma vijnë në një kohë kur aksesi i bujqësisë në kreditim mbetet shumë i ulët. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bujqësia zinte vetëm 1.21% të totalit të kredive për biznes deri në muajin korrik të këtij viti. Ajo që bie në sy është se edhe ky portofol, me gjithë interesin e bankave, ka pësuar rënie.

Bujqësia, vetëm 0.3% të investimeve të huaja

Bujqësia përllogaritet të marrë vetëm 0.3% të investimeve të huaja në vend dhe gjatë vitit të kaluar nuk ka pasur asnjë investim të ri të huaj në këtë sektor, sipas të dhënave nga raporti i Investimeve të Huaja, 2011. Shkaku kryesor i këtij ngërçi është copëzimi i madh i tokave bujqësore dhe problemet e pronësisë. Aktualisht ka një mbizotërim të fermave të vogla familjare, me një madhësi mesatare prej afërsisht 1.2 hektarë, çka pengon prodhimin modern dhe aksesin e investitorëve të rinj.
Pavarësisht nga progresi i bërë gjatë viteve të fundit, prodhimtaria e përgjithshme bujqësore në Shqipëri është më e ulët sesa në sektorët bujqësorë të vendeve të saj fqinje dhe të pjesës tjetër të Europës, megjithëse është vendi më bujqësor në rajon. Toka bujqësore (afërsisht 1.1 milionë hektarë) zë afërsisht 39% të sipërfaqes së vendit, nga e cila 699,000 hektarë ose 63 për qind janë tokë e punueshme dhe pemë frutore, ndërsa pjesa tjetër, janë pyje.
Bujqësia është një nga sektorët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.
Aktiviteti ekonomik “bujqësi, gjueti dhe pyje” zë 44% të punësimit, që gjithsesi, duket se ka shënuar rënie vitet e fundit.
Gjatë 15 viteve të fundit, sipërfaqja e tokës bujqësore është ulur me 1.4%, sidomos për shkak të zgjerimit të zonave urbane në ish-toka bujqësore (kryesisht në zonat që rrethojnë Tiranën dhe qytetet e tjera kryesore), ndërsa një pjesë e tokave të papërdorura është kthyer në kullota.
Prodhuesit e huaj mund të kenë akses në tokën bujqësore në Shqipëri, duke u regjistruar si kompani në Shqipëri. Kjo u jep mundësinë atyre të blejnë apo të marrin me qira tokën njësoj si subjektet e tjera vendase. Ndonëse pronësia e tokës bujqësore nga subjekte të huaja nuk është e kufizuar, ajo mbetet shumë e kufizuar për shkak të çështjeve dhe problemeve ekzistuese në lidhje me pronësinë, të drejtat e pronësisë, tokat e fragmentuara dhe problemeve që lidhen me tregun e tokës.

INTERVISTA/ Flet Znj.Flutura Veipi, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive në Procredit Bank Albania

Hapësira për kreditim në bujqësi është e madhe

Znj.Veipi, vitin e fundit ka një interes në rritje nga bankat vendase për të kredituar bujqësinë. Pse dhe si ka qenë ecuria?

Kreditimi i bujqësisë ka pasur një ecuri pozitive këtë vit edhe pse jo aq sa ishin pritshmëritë, kjo edhe sepse ky vit ka shënuar ecuri pozitive në këtë sektor dhe të ardhura më të larta.
Hapësira për kreditim në këtë sektor është e madhe dhe rëndësia e sektorit e padiskutueshme. Edhe pse në total, kreditë për agrobiznes zënë ende një peshë të vogël në kredinë totale bankare, vetëm 1.6% të saj, ka filluar një trend rritës.
Tregu bankar ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me vitin 2001, vit në të cilin ne ishim të vetmet nga bankat që filluam kreditimin në këtë sektor. Në ato kohë qëllimi ynë ishte të ofronim mundësinë e kreditimit për të sjellë një nivel zhvillimi, por sot me një treg bankar prej 16 bankash, me eksperiencë në treg, rritet dhe aksesi në financim nga ana e sipërmarrësve të bujqësisë.
Bankat përgjithësisht janë orientuar në kreditim në ata sektorë që kanë rritje të mirë në treg dhe agrobiznesi ka shënuar rritje gjatë viteve të fundit, megjithë krizën ekonomike, ose dhe e shtyrë prej saj, prandaj dhe vëmendja nga disa banka drejt këtij sektori pjesërisht lidhet me këtë zhvillim.
Por sektori i bujqësisë ka problematikën e vet dhe kërkon një teknologji të veçantë që i përshtatet më së miri ciklit të tij të investimit dhe kthyeshmërisë. Nëse karakteristikë për biznesin e vogël janë kreditë afat-shkurtra dhe nevoja për pagesa sezonale momente të caktuara gjatë vitit, 2 vitet e fundit vihet re që ka një rritje mjaft pozitive në investime në teknologji të reja dhe për rritje të aktivitetit. Kjo ka sjellë një rritje të interesimit nga kjo klientelë për kredi afatmesme që kërkon financim për këtë nivel të lartë investimi. Objektivi ynë është ndjekja e zhvillimit të këtij sektori për të krijuar sa më shumë mundësi për t’i ardhur në ndihmë agrobizneseve në plotësimin e nevojave të tyre që diktohen dhe kanë një specifike që vjen nga vetë karakteristikat e aktivitetit të biznesit.
Mundësia për sigurimin e financimit të nevojshëm për biznesin nuk është e vetmja çështje që luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtij sektori. Kur ne flasim për agrobizneset duhet të kemi parasysh që i referohemi një mase të madhe popullsie që jeton, punon në zonat rurale dhe siguron të ardhura nga ky sektor. Nxitja e investimeve në agrobiznes shkon paralel me rolin e pushtetit qendror nëpërmjet fondeve të zhvillimit, skemave mbështetëse, apo asistencë teknike për këto biznese. Njëkohësisht një nevojë shumë e madhe është ngritja e skemave të sigurimeve, të cilat garantojnë bankën dhe sipërmarrësin ndaj disa rreziqeve që nuk janë ato që bankat kanë përgjegjësi të vlerësojnë, por japin një ndjenjë sigurie për investitorin si mbrojtjes ndaj fatkeqësive natyrore që prekin shumë këtë sektor.

Si ka qenë cilësia e portofolit të huave në sektorin e bujqësisë?

Në 11 vjet eksperiencë kemi mësuar shumë. Ne kemi ngritur një strukturë në bankë të dedikuar ndaj klientëve agrobiznes, strukturë e cila krijon kushtet për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj kësaj klientele në kreditim, por jo vetëm. Punonjësit tanë të kualifikuar në këtë fushë ofrojnë konsulencë financiare për bizneset, bëjnë analiza cilësore në terren, kuptojnë dhe analizojnë rrezikun si dhe zgjedhin në mënyrë të decentralizuar vendimmarrjen për financimin apo jo të biznesit në aplikim. Cilësinë tonë në kreditim e sigurojmë nëpërmjet procesit të detajuar analitik që siguron jo vetëm një vendimmarrje të saktë për bankën, por dhe një profesionalizëm në komunikimin ndaj klientit kur i shpjegohet vendimmarrja jonë.
Sot ne numërojmë rreth 6,000 klientë aktive, 70% e të cilëve përfaqësojnë një portofol që është rreth 21 milionë euro, pjesa më e madhe e tyre kanë kredi të vogla, me një mesatare prej 5,000 euro. Limitet e kreditimit variojnë nga 2,000 euro deri në 1.5 milionë euro, por për plane të mira investimi që janë brenda fokusit të politikave zhvilluese të sektorit agrobiznes, por dhe brenda fokusit të bankës mund të aplikohen limite më të mëdha
Një tendencë pozitive që ka sjellë dhe rritjen e iniciativave për investim ka qenë prezente në dy vitet e fundit, kjo e nxitur nga fondet mbështetëse qeveritare përmes fondeve të AZHBR-së. Gjithashtu marrja e statusit kandidat ne BE dhe plani për marrjen e fondeve IPARD që vijnë pas marrjes së këtij statusi, është një tjetër shtyse për këto biznese për të planifikuar dhe ndërmarre investime ne biznesin e tyre, investime që padyshim t’i japin një hov më të madh sektorit të agrobiznesit. Një tjetër gjë që ne vëmë re është një rritje ne vlerën e portofolit të kredive të dhëna në shumat nga 5 milion-25 milionë lekë duke orientuar që këto fonde të shkojnë kryesisht tek biznesi i mesëm i agrobiznesit, jo vetëm në kultivim, por edhe në përpunim dhe tregtim të produkteve bujqësore duke sjellë një përmirësim të ekuilibrit të zinxhirit të agrobiznesit.

Sa ka ndikuar kriza në investimet në bujqësi?

Kriza ka bërë që mjaft biznese të kthejnë sytë nga agrobiznesi. Jo vetëm ato biznese që kanë qenë vazhdimisht në këtë sektor, por edhe biznese që kanë operuar në sektorë të tjerë të ekonomisë të cilët kanë pasur rënie gjatë kësaj periudhe, është vënë re se po orientojnë kapitalet e tyre në investime ne agrobiznes. Biznesi dhe individët kanë kthyer vëmendjen tek prodhimi që vazhdon të jetë një sektor i rëndësishëm dhe me ecuri të mirë. Ne nga ana tjetër për të ofruar atë që tregut në analizën tonë i mungonte, investuam ne 2 drejtime;
Kemi krijuar një trekëndësh bashkëpunimi: furnitor, bankë, përpunues. Ky trekëndësh vendos në të njëjtën kohë prodhuesit/fermerët, përpunuesit/fabrikat dhe bankën si partnere biznesi për ngritjen dhe zhvillimin e përbashkët. Duke rritur prodhimin në cilësi dhe sasi nga ana e fermerëve ata rrisin biznesin e tyre dhe të ardhurat, duke marrë këtë prodhim përpunuesi arrin të sigurojë lëndën e parë dhe të arrijë të punojë në kapacitet të plotë të fabrikës. Në këtë pikë banka jonë përmes financimit të të dyja këtyre hallkave të zinxhirit siguron për ta mjetet e nevojshme financiare për të arritur këtë nivel prodhimi nga fermerët dhe përpunimi nga fabrika. Ky trekëndësh siguron të treja palët në këtë proces duke sjellë rritje të konsiderueshme.
-Ndërkohë një potencial në rritjen e investimeve në bujqësi kanë dhënë edhe emigrantët, të cilët janë kthyer në Shqipëri si pasojë e krizës në vendet e BE-së. Për këtë segment klientësh ne kemi dizenjuar produktin e ri të kredisë “start up loan” (që në vetvete ka risk më të lartë ) ku ofrojmë kredi edhe për ata klientë që nuk kanë aktivitet biznesi të mëparshëm, por kanë një ide dhe plan të mirë investimi, ofrojnë kolateral si dhe arrijnë të mbulojnë vetë 30% të investimit.
Pikërisht për këtë ne kemi një strukturë të veçantë në agro që analizon projektet apo idetë, mbështetur edhe nga një grup ekspertësh të bujqësisë. Mbetet ende problem fakti që agrobiznesi është kryesisht familjar dhe nuk është atraktiv për punësim të arsimit të lartë, duke krijuar mundësi që më shumë të diplomuar t’i drejtohen këtij sektori dhe si pasojë të rritet edhe ekspertiza në të, që është ende në nivele të ulëta.

INTERVISTA/ Flet Admira Mlika, Drejtuese e Departamentit të Bankingut Tregtar në Bankën Kombëtare Tregtare

Interesi i fermerëve, në rritje

Vitin e fundit ka një interes në rritje nga bankat vendase për të kredituar bujqësinë. Pse dhe si ka qenë ecuria?

Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, sektori i bujqësisë është shumë i rëndësishëm dhe thelbësor në zhvillimin e një vendi. Sot në Shqipëri, një përqindje e mirë e fuqisë punëtore është aktive në sektorin e bujqësisë dhe bujqësia ofron një mundësi të rëndësishme punësimi dhe siguri sociale.
Sistemi bankar ka operuar në mënyrë të moderuar në financimin e bujqësisë, ndërkohë që aksesi në financim mbetet një nga sfidat më të rëndësishme të sektorit. Banka Kombëtare Tregtare, gjatë gjithë këtyre viteve, ka dhënë kontributin e saj në zhvillimin e SME-ve si dhe në rritjen e sektorit të bujqësisë, duke financuar projekte dhe ndërmarrje të ndryshme, si dhe bashkëpunimit me institucione të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Interesi i fermerëve dhe sipërmarrësve për të investuar në këtë sektor është rritur, nxitur kjo edhe nga nismat e ndryshme të ndërmarra nga operatorët e sektorit.

Cilat janë ofertat që ju keni lançuar për këtë sektor?

Përballimi i nevojave të agrobiznesit përmes një kredie fleksibël, dizenjuar sipas nevojave të sektorit, është shumë i nevojshëm.
Në këtë kuptim, duke qenë në linjë me angazhimin tonë të fuqishëm për kontributin në zhvillimin e sektorit dhe si rrjedhojë edhe zhvillimin e vendit, BKT ka prezantuar në treg produktin më të ri, me qëllim pozicionimin sa më afër agrobiznesit – Produktin BKT AGRO. Ky produkt është i ndarë në tri segmente; Agro Kredi Speciale, Agro Kredi Suport dhe Agro Kredi. Dizenjimi i segmenteve është bërë në mënyrë që të plotësojë sa më mirë nevojat për kreditim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në fushën e bujqësisë, me terma dhe kushte të përshtatshme për nevojat e aktivitetit.

TAB.

Përqindja e bujqësisë në ekonominë shqiptare (%)
Viti Vlera e shtuar Punësimi
1996 36.6 70.3
2000 25.5 71.8
2005 20.6 58.5
2009 18.8 55.2
2010 20.3 55.3
Përqindja e bujqësisë në ekonominë shqiptare (%)

Burimi: Llogaritur bazuar në të dhënat e INSTAT-it

Shqipëria: 16 masat kombëtare mbështetëse për bujqësinë

  1. Mbjellja e pemëve frutore (mollë, dardha, kumbull, qershi, pjeshkë, lajthi dhe luleshtrydhe), e ullinjve dhe agrumeve, jo më pak se 0.4 ha për fermerët individualë dhe jo më pak se 1 ha për grupet e fermerëve, 50 për qind e kostove legjitime të projekteve, por jo më shumë se 3,100 €/ha
  2. Për krijimin e vreshtave të reja, me një sipërfaqe jo më pak se 0.5 ha për fermerët individualë dhe jo më pak se 1 ha për grupet e fermerëve, 50% e kostove totale legjitime të projekteve, por jo më shumë se 4,600 €/ha
  3. Ujitja me spërkatje për kopshtet, agrumet dhe ullishtat intensive, 50% e kostove totale legjitime të projekteve, por jo më shumë se 2,300 €/ha
  4. Për mbrojtjen e ullishtave nga miza e ullirit 125 €/ha
  5. Për certifikimin e produkteve bio të bujqësisë nga bimët e kultivuara: (i) për prodhimin që ka për synim tregun vendas, jo më shumë se 50% të kostove të certifikimit dhe jo më shumë se 125 €/për fermë/për vit; (ii) për prodhimin për eksport, 50% e kostove të certifikimit, por jo më shumë se 540 €/për fermë/në vit.
  6. Për fidanët e prodhuar për varietetet “autoktone” të rrushit “Kallmet”, “Debinë” dhe “Vlosh”, për fidanishtet me sipërfaqe jo më pak se 0.3 ha, 9300 €/ha
  7. Ndërtimi i puseve për ujitjen e kopshteve me pemë frutore, agrume dhe ullinj, 50% e gjithë vlerës së projektit, por pa e kaluar shifrën 775 €/për pus
  8. Sigurimi i shtresave të reja plastike për të mbuluar serat tunel, 0.2 ha e lart, 2,300 €/ha/për serë.
  9. Për serat me ngrohje teknike për prodhimin e perimeve, për të ndryshuar llojin e ngrohjes nga ai me naftë në ngrohje solare, 11,600 €/ha
  10. Prodhimi i kërpudhave, 50% e kostove të pajisjeve dhe të instalimit, por jo për më shumë se 3,900 €/ha.
  11. Pagesat për 77 €/krerë të fermave blegtorale me më shumë se 10 lopë qumështi, por jo më shumë se 30 krerë; gjithashtu do të përfitojnë vetëm ata fermerë që u lëshojnë fatura blerësve kur shesin qumështin
  12. Pagesa prej 3.8 euro për kokë dele, për fermerët që kanë më shumë 50 kokë dele, të cilave u janë vënë etiketat; do të përfitojnë vetëm ata fermerë që u lëshojnë fatura blerësve kur shesin qumështin
  13. Pagesa prej 3.8 euro për koshere bletësh, për ata fermerë që kanë mbi 50 koshere
  14. Mbarështim intensiv i kërmijve, 50 për qind e vlerës së parcelës për një ha, por pa kaluar 3,880 €/ha
  15. Për prodhimin e vajit ekstra të virgjër: 0.8 €/litër
  16. Mbështetje përmes subvencionimit të përqindjeve të interesit për huatë për agropërpunim dhe për huatë e marrë gjatë vitit 2008 nga kompanitë që mbledhin, magazinojnë dhe përpunojnë produkte bujqësore dhe blegtorale, shoqatat për prodhimin dhe tregtimin bujqësor të regjistruara në bazë të ligjit, deri në 15,500 €, por pa kaluar 50% të përqindjes së interesit dhe për jo më shumë se tre vjet

Burimi: Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.