Ndërsa bijat ndoqën strategjinë e kundërt, duke depozituar paratë e lira, kryesisht kursimet e shqiptarëve, jashtë vendit….
Gjatë vitit 2013, bankat e kanë financuar aktivitetin e tyre edhe nëpërmjet burimeve të tjera të financimit, si huatë nga mëmat ose institucionet e tjera financiare jorezidente, sipas raportit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë.
Gjatë viteve të fundit vihet re një trend rënës i këtyre vlerave, si në kontekstin absolut, ashtu edhe relativ. Konkretisht, këto huamarrje kanë shënuar rreth 0.9% të totalit të aktiveve të sistemit në fund të vitit 2013 – kundrejt 1.4% që shënonin në dhjetor 2012. Nga ana tjetër, disa nga bankat e sistemit kanë të aprovuara linja kredie nga bankat mëma, të cilat janë të papërdorura por mund të aktivizohen në rast nevoje.
Ulja e financimit nga bankat mëma dhe rritja e diversifikimit të fondeve në pasiv vjen si rezultat i strategjisë së disa prej bankave për të ulur varësinë nga grupet bankare të cilave iu përkasin, thekson BSH.
Në një lëvizje të kundërt, ndonëse në muajin mars 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi një paketë masash prudenciale, e cila synonte nxitjen e rritjes së kreditimit të ekonomisë në vend (Për të mbështetur këtë objektiv, paketa e masave u përcaktua në mënyrë të tillë që të mundësonte favorizimin e investimit të fondeve të lira të bankave në ekonominë e vendit përkundrejt alternativave të investimit të tyre në tregjet e huaja), bankat sërish kanë preferuar të investojnë paratë jashtë sesa të kreditojnë ekonominë.
Për të shmangur rritjen e investimeve të fondeve të lira të bankave në tregjet e huaja, u vendos rritja e nivelit të ponderimit për efekt të llogaritjes së raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit, rrjedhimisht të kërkesave për kapital, të shtesës së investimeve tek jorezidentët në krahasim me gjendjen e investimeve në fund të muajit mars 2013.
Departamenti i Mbikëqyrjes ka monitoruar në mënyrë periodike, çdo tre muaj, ndikimin tek bankat dhe në sistem të këtyre masave. Matjet në fund të vitit 2013 tregojnë se raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit është 0,34 pikë përqindje më i ulët sesa po të ishte llogaritur pa efektin e masave. Kjo tregon që efekti i investimeve tek jorezidentët ka qenë më i lartë sesa ai i kreditimit të ekonomisë. Pesë nga bankat e sistemit e kanë raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit më të madh sesa po të ishte llogaritur pa efektin e masave, me një luhatje në nivelet 0,37 – 1,38 pikë përqindje më të lartë. Tre prej bankave nuk kanë asnjë ndikim, ndërsa tetë bankat e tjera kanë raport të mjaftueshmërisë së kapitalit më të vogël sesa po të ishte llogaritur pa efektin e masave, me një luhatje në nivelet (-0,19) – (-2,99) pikë përqindje, thekson BSH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.