Bankat kanë vijuar rritjen e tyre të qëndrueshme në 9 muajt e 2017-s, me përjashtim të Raiffeisen që ka vijuar të tkurret dhe bankave greke, që në prag shitjeje nuk kanë ndonjë oreks për t’u zgjeruar, sipas shifrave të publikuara nga Shoqata e Bankave. Societe Generale ka kaluar në bankën e pestë më të madh në sistem, duke lënë pas Tirana Bank. Një tjetër ndryshim është që Credins ka kaluar në vend të dytë përsa i përket stokut të kredisë pas BKT-së, duke lënë pas Raiffeisen që rezulton me një fshirje të madhe të huave.
Ndërsa një pjesë e madhe e bankave kanë pasur rritje të depozitave, shumë prej tyre hezitojnë të kreditojnë teksa disa po ulin ndjeshëm portofolin e huasë, edhe si rrjedhojë e procesit intensiv të fshirjes.
–BKT mbetet banka më e madhe në sistem, duke shënuar dhe rritjen më të lartë në 2017-n. Totali i aktiveve u zgjerua me 3.9% në krahasim me fundin e 2016-s. Në rritje ishin dhe kreditë e depozitat, me përkatësisht 3.4 dhe 5.4%.
–Raiffeisen vijon të tkurret me ritme të shpejta. Totali i aseteve të saj u reduktua me 9.2% në fund të shtatorit, në krahasim me dhjetorin 2016, duke ndikuar në ngadalësimin e rritjes së të gjithë sistemit. Stoku i kredisë u reduktua me gati 20% dhe ai i huasë më 10%.
–Credins ka shënuar një aktivitet pozitiv përgjatë këtij viti. Aktivet u rritën me 4.4%% në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Banka ka qenë aktive në kreditim, duke e rritur stokun me 4.7%, në nivele të njëjta me BKT. Depozitat u zgjeruan me 5.4%.
–Intesa SanPaolo ka pasur një rritje më të ngadaltë të aktiveve, me 1.6%. Banka ka vijuar të jetë e kujdesshme në kreditim, teksa stoku ka mbetur i pandryshueshëm. Në kahun e depozitave rritja ishte më e lartë, në 4%. Pas përthithjes së bankës Veneto, që është në proces, Intesa pritet të rrisë peshën e saj në sistemin bankar, nga 10.95% në 12.7% të totalit të aktiveve.
–Tirana Bank prej disa kohësh është në tkurrje. Totali i aktiveve gjatë 9 mujorit ra me 3.8%. Tkurrja e kredisë ishte e lartë, me 22.6%, teksa banka ka vijuar me procesin e fshirjes, ndërsa depozitat ranë me 4.4%.
–Alpha Bank, ndryshe nga bankat e tjera greke ka rritur aktivet me 3.9% për 9 mujorin. Kredia ra me 6.7%, ndërsa depozitat u zgjeruan me 9.2%.
–Union Bank ka vijuar me rritjen e qëndrueshme dhe të shpejtë. Aktivet u shtuan me 9.1%. Stoku i huasë u zgjerua me 3.2%. rritja e depozitave ishte e lartë, me 12.4% në fund të shtatorit, në krahasim me dhjetorin.
–Banka Amerikane e Investimeve (ABI) ka rritur aktivet me 11.5%. Por banka është treguar e kujdesshme në kreditim dhe stoku i huasë u ul me 1.2%. Depozitat u zgjeruan me 11.9%, por banka preferoi t’i vendoste fondet e lira në bankat jashtë.
–NBG Albania në prag të shitjes nuk është aktive në treg. Aktivet u ulën me 3.3% dhe stoku i kredive ra me 20.9%.
–Pro Credit Bank nuk ka rritur aktivet, por banka ka rigjallëruar aktivitetin e huasë, stoku i të cilës u rrit me 9%.
–Veneto, që është në proces përthithjeje nga Intesa ka reduktuar aktivet me 2.1%, ndërsa stoku i huasë është zgjeruar me 1.8%.
–Banka e Parë e Investimeve (FiBank) është rritur me shpejtësi. Aktivet e bankës u zgjeruan me 6.8%, ndërsa stoku i huasë u rrit me 24.5%.
Bankat e tjera International Commercial Bank, United Bank of Albania dhe Credit Bank of Albania kanë prej vitesh një aktivitet modest në vend.
Ulen degët dhe punonjësit
Vitet e fundit, bankat jo vetëm që nuk po zgjerohen, por ato po mbyllin edhe degët dhe po shkurtojnë punonjësit. Në fund të muajit shtator, sistemi bankar kishte 494 degë, 9 më pak se në dhjetor 2016.
Raiffesien ka mbyllur 3 degë, Pro Credit ka reduktuar 5 degë dhe Alpha Bank ka mbyllur një.
Në linjë me reduktimin e degëve edhe numri i punonjësve është ulur me 41 persona përgjatë këtij viti. Reduktimet më të mëdha të stafit i ka shënuar Raiffeisen, me 80 persona. Edhe Pro Credit, që po investon në teknologji për të reduktuar kontaktin me klientët, ka shkurtuar personelin me 23 persona.
Këto humbje janë neutralizuar disi nga Credins, që ka marrë 51 persona në punë përgjatë këtij viti. Tirana Bank dhe Union e kanë shtuar personelin përkatësisht me 8 dhe 7 persona, ndërsa në bankat e tjera lëvizjet kanë qenë minimale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.